Wollfarth: Kontrolli i armëve me rëndësi për paqen dhe stabilitetin.

Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth në fjalën e mbajtur në simpoziumin për kontrollin e armëve tha se, çështja e kontrollit të armëve është një çështje me një rëndësi shumë të madhe.
Ai tha se, OSBE-ja është, para së gjithash, një organizatë rajonale për sigurinë, që merret me çështje të sigurisë, duke nxitur një mirëkuptim më të madh rajonal.
“Të gjitha armët përbëjnë një rrezik të mundshëm, ato vënë në rrezik sigurinë individuale dhe atë kolektive. Kjo është arsyeja pse OSBE-ja, që në fillimet e veta ka miratuar një sërë dokumentesh që i ndihmojnë Shtetet pjesëmarrëse të arrijnë një mjedis të sigurt përmes mjeteve dhe metodave të kontrollit të armëve. Përveç kësaj, në zonën e OSBE-së, nuk mund të flitet për kontrollin e armëve pa përmendur dy mjete shumë të rëndësishme: Traktatin e vitit 1990 për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë dhe Traktatin e vitit 1992 për Qiejt e Hapur”, u shpreh Wollfarth.
Wollafarth theksoi se, kontrolli i armëve mbetet i rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si një çështje politiko-ushtarake.
Sipas ambasadorit të OSBE-së, që prej hyrjes së saj në OSBE, në vitin 1991, Shqipëria ka miratuar të gjitha dokumentet e OSBE-së që shtrojnë rrugën drejt një kontrolli më të madh të armëve dhe duke bërë këtë, Shqipëria ka treguar një vullnet të qartë politik për të marrë përsipër me seriozitet përgjegjësitë e saj në këtë fushë.
Nga ana tjetër zv.ministri i Mbrojtjes Arjan Starova theksoi se sfida jonë e përbashkët është siguria dhe, në mënyrë më të veçantë, siguria bashkëpunuese.
“Jam i sigurt se ne të gjithë jemi dakord që siguria është e pandashme. Prandaj, kontrolli i armëve mbetet i rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si një çështje politiko-ushtarake. Sfida jonë e përbashkët është siguria dhe, në mënyrë më të veçantë, siguria bashkëpunuese. OSBE-ja zë një vend unik në gjirin e organizatave ndërkombëtare për sigurinë. Forca e Organizatës vjen nga kapaciteti dhe rëndësia e saj në adresimin e kontrollit të armëve. Në kontekstin e Shqipërisë, stoqet e tepricave të municioneve konvencionale dhe armëve të vogla e të lehta të pasiguruara si duhet përbëjnë ende një rrezik të konsiderueshëm. Shqipëria ka treguar një vullnet të qartë politik për të marrë përsipër me seriozitet përgjegjësitë e saj në fushën e kontrollit të armëve . Është bërë shumë deri më tani, por ende mbetet shumë për të bërë”-përfundoi Starova.