Buxheti, Kuvendi shtyn sërish punimet me 3 ditë
Kuvendi do të shtyjë sërish punimet dhe pushimet e verës për shkak të miratimeve të ndryshimeve në Buxhetin e Shtetit, ku shkurtohen rreth 20 për qind të shpenzimeve. Kuvendi miratoi dje kalendarin e shqyrtimit të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10190 datë 26.11.2009 “Për buxhetin e vitit 2010”, që ishte miratuar më parë me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve. Kështu seanca e fundit do të mbahet në datën 29 korrik, kur ishte parashikuar që të mbyllet në datën 26. Ndërkaq në ditët që kanë mbetur, Kuvendi do të mblidhet edhe disa herë të tjera. Deputetët do të mblidhen në seanca plenare të datës 19 korrik, 22 korrik, 26 korrik dhe në datën 29 korrik. Në këtë periudhë janë programuar të miratohen rreth 20 ligje, duke filluar që nga ndryshimet në buxhet por edhe disa projektligje me rëndësi si ato të ndryshimeve në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave, ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë etj. Njëkohësisht janë parashikuar që të miratohen dhe projektligje që kërkojnë konsensusin e opozitës si Gjykata Administrative dhe ndryshime në Kodin Doganor, Detar, Penal, Civil, Rrugor, Detar etj.