E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet në Kuvend ligji që kundërshtoi NATO e SHBA, gati shkarkimi i kreut të SHISH, Shaqiri



ADI SHKEMBI

Maxhoranca rikthen për miratim në Parlament ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Në një moment që në Kuvend po diskutohej një draft i ri për marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Shërbimit, Konferenca e Kryetarëve ka miratuar rikthimin e draftit të Qeverisë, të miratuar në janar të këtij viti, por të shtyrë për shkak të reagimit të madh të ndërkombëtarëve.
Votimi
Në kalendarin e miratuar të hënën në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve, në mbledhjen e 22 korrikut, do të votohet edhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 26.10.1998 “Për Shërbimin Informativ të Shtetit” të ndryshuar”. Me miratimin e këtij drafti shkarkohet menjëherë kreu aktual i SHISH-it, së bashku me vartësin e tij. Në fund të projektligjit është vendosur një dispozitë kalimtare, sipas të cilës “Në zbatim të nenit 5/1 të këtij ligji, drejtori dhe zv. drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit emërohen në detyrë brenda 60 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në ndryshim nga neni 5/1 i këtij ligji, zv. drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, herën e parë ka një mandat 3-vjeçar”.
Kundërshtimi i ambasadorëve
Qeveria miratoi në mbledhjen e 20 janarit projektligjin për ndryshimin e ligjit të Shërbimit, por ky akt i saj solli reagimin e SHBA, BE dhe NATO, të cilat kërkuan që drafti të konsultohet me organet e tyre të specializuara, përpara se ta kalojë në Kuvend. I pari që foli publikisht ishte Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, i cili deklaroi se SHBA është e shqetësuar me këtë draft. “është me rëndësi jetike që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Si rrjedhojë, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit, Shërbimit Informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Ne druhemi se ky projektligj, në formën e tij aktuale, po e dëmton këtë imazh”, deklaroi Uidhers. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i NATO-s. Aleanca i dërgoi një letër Qeverisë shqiptare, ku i bënte thirrje që të mos miratojë në Parlament ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror, pa u konsultuar më parë me ekspertët ndërkombëtarë. Zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinimin global të sigurisë, i ashtuquajturi “NOS”, i kërkoi Tiranës zyrtare që drafti, i cili është në zyrat e Kuvendit, të kalojë më parë pikërisht nga NOS-i, e cila përbëhet nga tre degë: orientimet e përgjithshme, inteligjenca për sigurinë dhe siguria e mbrojtjes. Brenda pak ditësh edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rassmusen, i telefonoi Kryeministrit Berisha lidhur me këtë çështje. Pas këtij reagimi, maxhoranca vendosi të mos e kalojë për miratim ligjin, duke e lënë në sirtaret e kuvendit.

Ndryshimet në ligjin e SHISH

Neni 3 paragrafi 10
SHISH në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim në parim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme.
Neni 5
Shërbimi Informativ i Shtetit drejtohet nga drejtori, i cili është përgjegjës për:
a) veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kontrollin e saj;
b) mbarëvajtjen e Shërbimit Informativ të Shtetit;
c) garantimin që çdo informacion të disponohet vetëm brenda qëllimit dhe funksioneve të Shërbimit Informativ të Shtetit;
d) garantimin se Shërbimi Informativ i Shtetit nuk ndërmerr veprime, të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë, apo t’i sjellin përfitime ndonjë partie politike;
e) garantimin e zbatimit të marrëveshjeve ndërinstitucionale;
f) informimin dhe raportimin te Presidenti i Republikës dhe te Kryeministri, për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar.
Drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, për çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH.
Me kërkesë të Kryeministrit, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, raporton edhe në Këshillin e Ministrave”.
Neni 9
Dispozitë kalimtare
Në zbatim të nenit 5/1 të këtij ligji, drejtori dhe zv. drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit emërohen në detyrë brenda 60 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në ndryshim nga neni 5/1 i këtij ligji zv. drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, herën e parë ka një mandat 3-vjeçar.

Deputeti i PS: Berisha do të uzurpojë shërbimin
Gjoni: Maxhoranca do të kalojë në mënyrë të fshehtë ligjin e SHISH-it

“Qeveria po e fut në seancë për votim në mënyrë të fshehtë ligjin për SHISH në seancën e 22 korrikut”. Anëtari socialist i komisionit parlamentar të sigurisë, Ilir Gjoni, u shpreh dje se
“është parashikuar votimi i këtij projektligji për në seancën e datës 22 korrik, ndërkohë që ligji nuk është sjellë në komision për t’u diskutuar”. “Bëhet fjalë për ligjin e SHISH i cili pas reagimeve të forta të Ambasadës amerikane në Tiranë, por dhe të vetë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rassmusen, u tërhoq nga Qeveria në muajin mars, për t’u riformuluar dhe për t’u diskutuar në komisionet parlamentare”, u shpreh Gjoni. Duke analizuar veprimet që po bëhen lidhur me rregullimin e funksionimit të Shërbimit Informativ, deputeti socialist tha dje se të gjitha këto tregojnë përpjekjet e Qeverisë për ta uzurpuar këtë shërbim. Një sulm ndaj kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, e sheh opozita rishfaqen e amendimeve në ligjin organik të këtij institucioni. Sipas deputetit të komisionit të sigurisë, Ilir Gjoni, ndaj SHISH po bëhet një luftë jo e ndershme në tentativë për ta uzurpuar. “Nuk është vetëm largimi i kryetarit të SHISH, për mendimin tim, situata është shumë e rëndë. Jam i bindur se reagimi i opinionit publik, i opozitës dhe i partnerëve ndërkombëtarë, do të jetë shumë i ashpër, shumë i rëndë. Ne e gjykojmë që kjo ishte një rrugë e tërthortë që maxhoranca të ushtronte kontroll ndaj këtij ligji”, deklaroi Ilir Gjoni, deputet i PS. Në të njëjtën linjë kontrolli i sheh deputeti socialist dhe shkurtimet në buxhetin e SHISH, të cilat ia bëjnë, sipas tij, të pamundur funksionimin. Janë dy projektligjet në Kuvend, që lidhen me shërbimin informativ shtetëror, njëri që ka të bëjë me marrëdhëniet e tij me Kuvendin dhe tjetri që kundërshtohet nga opozita, që ka të bëjë me organizimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›