Financimi, rektorët: Me skemën e re, favorizohet privati
zirina llambro
Rektorët e universiteteve publike kundërshtojnë propozimin e Ministrisë së Arsimit, për financimin e universiteteve private me fondet e buxhetit të shtetit. Në draftin e diskutuar dje, në mbledhjen e konferencës së rektorëve, argumentohen të gjitha problemet që do t'u sillte universiteteve publike kjo formë financimi. Grupi i punës, i cili ka studiuar modelet që zbatohen sot në vendet e BE-së e të rajonit, ka konkluduar se Shqipëria renditet e fundit për nga financimi i Arsimit të Lartë. "Rreth 3.4 për qind e GDP-së është pjesa që shkon për të financuar Ministrinë e Arsimit nga buxheti i shtetit dhe 0.6 për qind e GDP-së, është vetëm pjesa që shkon për të financuar Arsimin e Lartë Universitar", thuhet në draft. Sipas tij, në 4 vite pagat e pedagogëve janë rritur vetëm me 5.5%. Duke e krahasuar me universitetet private, ajo është 4 herë më e ulët. Një tjetër argument është se nëse universitetet private nuk kanë asnjë kontroll nga shteti mbi shpërndarjen e të ardhurave të tyre, të ardhurat e universiteteve publike nuk mund të përdoren për rritjen e pagave të pedagogëve. Ato mbeten nën nivelin minimal, duke u bërë të pakonkurrueshme me universitetet private, të cilat kanë liri të plotë sipas ligjit. Në draftin e hartuar nga grupi i punës, thuhet se implementimi i sistemit kilian që ka zgjedhur MASH do të sillte asgjësim të universiteteve publike, rënie të cilësisë së universiteteve, pasi ky sistem do të sillte ulje të pagave të pedagogëve tek universitetet publike dhe largim të stafit të kualifikuar, duke sjellë favorizim të universiteteve private.Në draft thuhet se vetë Qeveria kiliane e ka njohur këtë skemë si një dështim, i cili u aplikua nga junta ushtarake. Profesorët që kanë hartuar këtë draft kanë saktësuar se ajo që e bën edhe më të rrezikshme financimin e universiteteve private me fondet e shtetit është se shumë familje në nevojë rrezikojnë të përjashtohen nga e drejta për t'u arsimuar, duke shkelur një nga të drejtat kushtetuese. Me këtë skemë të re edhe këto para, sipas draftit të Ministrit të Arsimit, do t'i shkojnë universiteteve private të cilat nëse kanë bilance pozitive, një financim nga shteti do të shkaktonte rrjedhje financiare për përfitime individuale. "Këto kushte pabarazie, ku universitetet private kanë mundësi t'i përdorin të ardhurat dhe fondet sipas dëshirës së tyre, ndërkohë që universiteteve publike iu mohohen edhe të ardhurat e vetë institucionit, përbëjnë hallkën e parë të pengesës për një shpërndarje të buxhetit të shtetit për të dyja sistemet e Arsimit të Lartë", thuhet në draftin studimor.
Mungesa e Konkurrencës me privatin
Paga e një pedagogu të ri në universitetet publike, sot është 45 mijë lekë të reja, përafërsisht e barabartë me pagën e një mësuesi.
Pagat në universitetet private në raport me ato publike janë në raportin 1:4.
Pagesa për orë të pedagogëve të jashtëm, ose për orë shtesë të pedagogëve është 1:30.
Universitetet publike sot, nëse ftojnë një pedagog të huaj duhet ta paguajnë me 400 lekë të reja për një orë mësimore, ose 3 euro, dhe nuk kanë të drejtë të heqin asnjë shpenzim të tij, edhe pse të ardhurat për një nismë të tillë ekzistojnë, për shkak të ligjit.
Universitetet private nuk kanë asnjë kontroll nga shteti mbi shpërndarjen e të ardhurave të tyre.
Të ardhurat e universiteteve publike nuk mund të përdoret për rritjen e pagave të pedagogëve, të cilat janë nën nivelin minimal, duke u bërë të pakonkurrueshme me universitetet private, të cilat kanë liri të plotë sipas ligjit.