Plagosen me armë e thika dy persona
TIRANE - Në një hark kohor prej 30 minutash pasditen e djeshme u plagosën dy persona në dy zona të ndryshme të kryeqytetit. Një 33-vjeçar u qëllua me armë zjarri pas një sherri në një lokal bastesh sportive, në kompleksin e pallateve malajziane tek kthesa e Kamzës. Sipas policisë Ledjon Kurti është qëlluar me pistoletë nga i dyshuari Gentjan Hasa, i cili është identifikuar dhe shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes. Ndërsa plagosja tjetër ka ndodhur pothuajse në të njëjtën kohë, në rrugën "Don Bosko" në Tiranë, tek blloku i pallateve "Almak". Policia sqaroi se është plagosur me thikë 24-vjeçari Elton Shyti, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak dhe sipas mjekëve ndodhet në gjendje kritike për jetën. Grupi hetimor ende nuk ka identifikuar autorin e ngjarjes.