E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Konomit, zbulohen armët



Etleva Delia

Dy armë të ndryshme janë përdorur në atentatin ku mbeti i vrarë Franc Konomi, më 8 korrik në qendër të Tiranës. Vrasësit kanë shkrepur në vendin e ngjarjes nga një motorr, 14 herë dy pistoleta të ndryshme me kalibër të njëjtë, 9 milimetra. Sipas policisë, e cila dje ka përfunduar ekspertizën e gëzhojave, pistoletat e përdorura janë, njëra tip "Glock" dhe tjetra "Bereta". Ekspertët e Laboratorit të Kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme, kryen ekspertizën balistike përfundimtare, të 14 gëzhojave që u gjetën në vendngjarjen ku u vra Franc Konomi, person me precedentë penalë. Sipas rezultateve përfundimtare, 42-vjeçari është qëlluar 9 herë me pistoletën tip "Glock" dhe 5 herë me pistoletën tjetër "Bereta". Armët janë përdorur nga dy personat që me skafandra në kokë iu afruan me një motorr makinës së Franc Konomit pranë sheshit "Avni Rrustemi" në Tiranë. Të dhënat balistike janë krahasuar në sistem me armë të përdorura në ngjarje të mëparshme kriminale. Armët e përdorura në vrasjen e Franc Konomit kanë rezultuar se nuk janë përdorur më parë në ngjarje të skeduara nga policia.
ATENTATI
Bazuar në "hartën" e shpërndarjes së gëzhojave në vendin e ngjarjes, policia ka arritur në përfundimin se dy personat kanë qëlluar nga i njëjti vend, pa zbritur nga motorri. Preçizioni ka qenë i lartë, pasi makina tip "Mercedez", me targë TR 0626 S, ka pësuar dëmtime vetëm në xhamin e derës së parë të shoferit, ku ndodhej viktima e vrasjes Franc Konomi. Ky i fundit sapo kishte dalë nga një lokal në anë të rrugës dhe po nxirrte makinën nga parkimi, kur në anën e përparme është afruar motorri. Vrasësit kanë qëlluar nëntë herë, ndërsa Franc Konomi po ecte mbrapsht me makinë pasi ishte përballur me motorrin dhe kishte parë armët t'i drejtoheshin. Më pas autorët e ngjarjes janë afruar edhe më shumë tek makina, duke qëlluar edhe pesë herë të tjera. Personi që ishte në objektiv të atentatit, 42-vjeçari Franc Konomi mori katër plumba në trup dhe vdiq pa mbërritur ende në spital. Policia dhe prokuroria nuk kanë ende asnjë emër konkret si person të dyshuar për vrasjen e Franc Konomit, edhe pse nga mekanizimi i ngjarjes, është e qartë se atentatorët kanë qenë dy persona. Pistat që po hetohen si shkak i atentatit janë: ngjarjet e vjetra të viteve 1990-1992, me protagonist Franc Konomin, mosmarrëveshje për trafik droge dhe eliminim për shkaqe gjobëvënie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›