E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, Meta: Zgjedhje nëse Rama nuk reflekton

 

Aristir Lumezi

Kryetari i LSI-së Ilir Meta, mbështeti dje votën e këshilltarëve të kësaj force politike në Këshillin bashkiak pak ditë më parë për buxhetin 2009. Ai kërkoi reflektim nga ana e kryetarit të bashkisë, që buxheti i 2009 të realizojë nevojat e qytetarëve dhe të jetë sa më transparent, në rast të kundërt duhet të shprehen qytetarët. "Në rast se mungon vullneti dhe reflektimi për propozimet e bëra nga grupi i këshilltarëve tanë, që buxheti të jetë i detajuar në çdo qindarkë të vetën, e cila duhet të ketë destinacion të sigurt dhe mirë përdorim në funksion të komunitetit, atëherë nuk do të jetë faji ynë që për këtë buxhet do t'i duhet të shprehen qytetarët e Tiranës me votim", tha Meta.
Sipas tij, "LSI ka premtuar që këshillat vendore të kthehen në parlamente vendore dhe këtë do ta nisim me Parlamentin e Tiranës, në mënyrë që ai vërtet t'i shërbejë qytetarëve të Tiranës. Koha kur bashkia ishte në funksion të karteleve ka mbaruar. Bashkia do të jetë e hapur ndaj qytetarëve, do të jetë në shërbim të tyre dhe çdo qindarkë e taksave të qytetarëve të Tiranës do të shkojë vetëm për qytetarët e Tiranës. Ky është angazhimi dhe serioziteti i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kujt nuk i pëlqen ky qëndrim, le të vazhdojë me fletërrufetë e 2005-ës", tha Meta.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha dje në mbledhjen e qeverisë sulmoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama dhe e ftoi të japë dorëheqjen pas rrëzimit të p/buxheti të Bashkisë së Tiranës për 2009. "Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Bashkisë, pas rrëzimit të projektbuxhetit të vitit 2009 nga Këshilli Bashkiak i Tiranës", tha Berisha. Kreu i qeverisë komentoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe shtoi se "nëse do të më ishte rrëzuar buxheti i qeverisë që unë drejtoj, do të kisha dhënë dorëheqjen". "Nuk di të ketë në planet, një buxhet-rrëzuar që nuk gjen përgjegjësinë qytetare të japë dorëheqjen, përveç njërit. Por kjo është çështje e takimeve të tjera me median. Unë vetë do të kisha dhënë dorëheqjen", theksoi Kryeministri Berisha.
Shalsi
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi, akuzoi Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokratike, se duke mos votuar buxhetin e bashkisë për vitin 2009 lanë pa ngrohje shkollat dhe çerdhet. Në një prononcim për mediat, pranë shkollës "Petro Nini Luarasi", Shalsi tha se "LSI dhe PD folën me të njëjtën gjuhë kur treguan sistemin e munguar të ngrohjes në shkollën "Petro Nini Luarasi", duke shtuar se "LSI dhe PD votuan kundër buxhetit të Bashkisë për vitin 2009, çka do të siguronte edhe ngrohjen e kësaj shkolle dhe shkollave të tjera të kryeqytetit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›