Tepelenë, protestë ndaj Bollanos dhe Kserës
TEPELENA - Tepelena si rrallë ndonjëherë është karakterizuar nga protesta popullore në mbrojtje të dy të rinjve që lëshuan thirrje nacionaliste një vit më parë. Me akuzën e tubimit të paligjshëm janë në proces gjykimi nga drejtësia shqiptare Luan Halili dhe Orgen Hasanbegaj. Ndërsa pritej të niste seanca e radhës paraditen e djeshme, përfaqësues të disa shoqatave atdhetare si dhe qytetarë të Tepelenës dhe Memaliajt, kanë protestuar në sheshin qendror të qytetit. Me thirrjet "Poshtë Bollano dhe Spiro Ksera", protestuesit kanë mbështetur dy të rinjtë nga fshati Toç i Tepelenës. Protestën e djeshme e kanë udhëhequr drejtues të shoqatave të ndryshme atdhetare si ajo e "Mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve", "Çamëria", "Fieri", etj. Gjatë ditës së djeshme u ngjitën dhe fletushka, ku akuzohej qeveria dhe policia për bllokimin e protestës në mbrojtje të flamurit.