E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia miraton MSA me Shqipërinë

 

Marko Caka / Aristir Lumezi

Parlamenti grek miratoi mbrëmë MSA-në me Shqipërinë. Pas një seance të gjatë parlamentare, gjatë së cilës deputetë nacionalistë këmbëngulnin për mosmiratimin e Marrëveshjes me Shqipërinë, forcat e mëdha politike, me 274 vota hapën dritën jeshile për në BE të Shqipërisë. Ishin 151 vota të Demokracia e Re dhe 123 vota të PASOK që miratuan marrëveshjen, ndërsa partia e majtë Sipaspizmos, e cila ka qëndruar në krah të emigrantëve ka abstenuar. Laos, partia e ekstremit të djathtë ka votuar kundër marrëveshjes. Greqia ishte vendi i fundit i Bashkimit Evropian që ratifikoi marrëveshjen, ndërsa nuk kanë munguar dhe protestat e grupimeve ekstremiste jashtë parlamentit grek që kundërshtonin miratimin e saj. Gjatë seancës së djeshme në Parlamentin grek ishte i pranishëm edhe ambasadori ynë në Athinë, Vili Minarolli, i cili ndoqi nga afër të gjithë debatin. Deputeti i PASOK, njëkohësisht dhe prefekt i Athinës, Janis Zguros kërkoi miratimin e MSA-së me Shqipërinë. "Pranimi i Shqipërisë në BE është shumë i domosdoshëm, jo vetëm për faktin se ai është vend fqinj, por nuk duhet harruar kontributi i pashoq i emigrantëve në zhvillimin e Greqisë, por dhe depozitat e tyre që janë frymëmarrje për ekonominë greke", tha Zguro. Gjatë kësaj seance partia nacionaliste greke LAOS ka dhënë qëndrimin e saj kundër ratifikimit të MSA-së ku përdorën si argument letrën e firmosur nga organizata OMONIA dhe disa organizata të tjera të minoritetit grek që kërkojnë mosratifikimin e MSA-së për Shqipërinë nga ana e Greqisë, për sa kohë sipas tyre, Shqipëria nuk respekton të drejtat e vorio-epirotëve. Deputetë të tjerë kërkuan që integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mos të jetë thjesht integrim gjeografik, por integrim thelbësor. Ndërkohë, pak para fillimit të seancës plenare rreth 200 përfaqësues të minoritetit grek dhe anëtarë të shoqatës ultranacionaliste "Hrisi Avgji" u mblodhën para parlamentit ku protestuan dhe kërkuan qe kuvendi grek të mos ratifikojë MSA-në me Shqipërinë. Madje të bindur për votën pro MSA-së nga ana e shumicës parlamentare, thirrjet e tyre ishin edhe kundër deputetëve grekë, duke i cilësuar ata tradhtarë të interesave të minoritarëve grekë në Shqipëri. Me parulla "Toka jonë është shpirti jonë" dhe "Himara është greke" ata kanë shoqëruar seancën e djeshme të pasdites së parlamentit grek të vëzhguara nga qindra forca dhe mjete policie.

Ushtarët grekë, qeveria miraton marrëveshjen

Në ditën kur parlamenti grek nisi procedurat për ratifikimin e MSA-së mes Shqipërisë dhe BE-së, qeveria shqiptare miratoi në parim marrëveshjen me Greqinë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë të rënë në vendin tonë. "Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane, të vitit 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, në territorin e Republikës së Shqipërisë", thuhet në titullin e marrëveshjes së propozuar nga Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Shqipëria dhe Greqia nënshkruan më 21 nëntor marrëveshjen për ndërtimin e dy varrezave për eshtrat e ushtarëve grekë, të rënë gjatë luftës italo-greke në tokën shqiptare. Sipas akordit mes dy vendeve, dy varrezat që do të ndërtohen, nga katër që ka kërkuar Greqia, do të jenë në fshatin minoritar Bularat në Gjirokastër si dhe në Këlcyrë. Gjithashtu është rënë dakord që eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore, kudo që janë, do të mblidhen në këto dy varreza, të cilat do të kenë përmasa të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›