E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryehetuesi i Gërdecit: Iki nga presionet

 

Trazhgim Sokolaj

Përgjegjësi i grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, Zamir Shtylla, paraqiti dje dorëheqjen nga kjo detyrë "për shkak të presioneve të vazhdueshme politike". Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, i cili deri dje kryente edhe detyrën e drejtorit të Kontrollit të Hetimeve dhe Ndjekjes Penale, dorëzoi shkresën e dorëheqjes rreth orës 16:00 në zyrën e kryeprokurores Ina Rama. Mësohet se dorëheqja e prokurorit Zamir Shtylla, është formalizuar pak çaste, pasi publikisht u bë me dije se përmes heshtjes Presidenti i vendit Bamir Topi, i hapi rrugë hyrjes në fuqi të "ligjit të Dosjeve". Zyrtari i dorëhequr Zamir Shtylla është një nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, që ikën nga detyra si pasojë e ligjit që hyri në fuqi ditën e djeshme për shkak të dosjeve, që ai ka hetuar gjatë regjimit komunist. Në letrën e dorëheqjes, mësohet se prokurori Zamir Shtylla është shprehur se largohet nga detyra e përgjegjësit të grupit hetimor të dosjes "Gërdeci", si dhe nga funksioni i drejtorit të Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale, "për shkak të presioneve të shumta politike të ushtruara publikisht ndaj tij kohët e fundit". Një fakt i tillë konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme sipas të cilave, në aktin e dorëheqjes, por edhe në procedurën formale që vjen pas saj nuk përfshihet largimi i Zamir Shtyllës nga detyra e prokurorit. Ai mund të mbajë detyrën e përfaqësuesit të akuzës derisa komisioni përkatës i ngritur mbi bazën e ligjit të Dosjeve të marrë vendim lidhur me këtë çështje. Në orët e mbrëmjes së djeshme, zyra e kryeprokurores Ina Rama ka konfirmuar se kishte marrë në dorëzim dorëheqjen e prokurorit Zamir Shtylla. Sipas burimeve zyrtare, kryeprokurorja ishte duke shqyrtuar kërkesën për dorëheqje dhe më pas do të marrë një vendim rreth saj.
"Dosjet" shkarkojnë 30 prokurorë
Përkundër zërave që në rrugë jozyrtare përfolën dje në mbrëmje mundësinë që kryeprokurorja Ina Rama të ketë pranuar dorëheqjen e Zamir Shtyllës, burimet zyrtare thanë se një vendim i tillë nuk është marrë ende. "Po shqyrtohet dorëheqja, ende nuk ka një vendim", thanë burimet zyrtare duke aluduar se përgjigjja e prokurores së Përgjithshme mund të artikulohet ditën e sotme dhe më pas largimi i Zamir Shtyllës të merret në vlerësim nga Këshilli i Prokurorisë. Ligji që hyri në fuqi ditën e djeshme pritet të shkaktojë një furtunë të vërtetë në Prokurorinë shqiptare. Sipas përllogaritjeve të deritanishme, ende jo zyrtare, rreth 30 prokurorë preken nga "ligji i Dosjeve" çka do të thotë se largohen nga detyra si pasojë e zbatimit të ligjit, që hyri dje në fuqi. Largimi i këtyre prokurorëve pritet të bëhet shkak për ndryshime në organikën e hetuesve për çështje të rëndësishme. Veç dosjes së Gërdecit pritet, që ligji i zosjeve të prekë edhe prokurorët e dosjes së dërguar në gjykatë me ministrin e Jashtëm Lulzim Basha si të pandehur kryesor. Një tjetër prokuror që pritet të largohet është Xhevat Hana, i cili është edhe prokurori i dosjes penale të zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha.

Topi nuk firmos, hyn në fuqi ligji për hapjen e Dosjeve

Presidenti Topi vendos të abstenojë për ligjin e dosjeve. Në këtë mënyrë sipas kushtetutës, kur kalohet afati prej 20 ditësh brenda të cilit presidenti duhet të shprehet, ligji konsiderohet i dekretuar dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare. Afati i fundit brenda të cilit kreu i shtetit duhet të shprehej ishte ora 16:00 e ditës së djeshme. Por edhe brenda këtij afati Topi ka vendosur të mos shprehet, duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi të ligjit. Heshtja e presidentit në fakt parashihet në nenin 84 të kushtetutës, "Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni dhe në paragrafin 1 të nenit 85". Në këtë mënyrë presidenti Topi ka zgjedhur rrugën e mesme pas debateve të shumta që lindën kohor e fundit mes maxhorancës, e cila kërkoi me forcë dekretimin e tij dhe faktorit ndërkombëtar që e kontestoi fuqishëm ligjin para se të miratohej në kuvend. Kreu i shtetit zhvilloi bisedime të shumta ditët e fundit, përpara se të vendoste se çfarë qëndrimi do të mbante për një ligj kaq shumë të debatuar. Megjithë insistimin e faktorit ndërkombëtar për të mos e miratuar këtë ligj, maxhoranca e votoi me 73 vota të hënën e 22 dhjetorit, duke ia dërguar atë Presidentit për dekretim.

Dosjet, radha e Gjykatës Kushtetuese

Pas miratimit në heshtje që Presidenti Topi i bëri ligjit për dosjet, do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të thotë fjalën e fundit. Por ky institucion vihet në lëvizje nëse do të ketë një kërkesë të firmosur të paktën nga 28 deputetë të Kuvendit. Në fakt opozita paralajmëroi pak pas miratimit të ligjit në Kuvend se do ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese. "Jemi për hapjen e dosjeve, një ligj të mirë, jo për të mbrojtur korrupsionin. S'mund të bëhemi palë me një projekt të tillë, që cenon institucionet. Tërhiqni projektin e të konsultoheni me ndërkombëtarët. Nuk mund të bëhemi pjesë, por do ndjekim hapat kushtetuese, duke e ankimuar në Gjykatën Kushtetuese", tha pak ditë më parë kreu i grupit të PS-së, Leskaj. Por në fund të dhjetorit, në një pritje me gazetarët, kryeministri Berisha u shpreh se nëse vërehet se anëtarë të caktuar të Gjykatës Kushtetuese kanë konflikt interesi gjatë shqyrtimit të Ligjit të Dosjeve, ky institucion do të shpërbëhet. "Nëse Gjykata Kushtetuese do e kthejë ligjin, ne do të marrim parasysh vërejtjet dhe do e votojmë prapë. Por nëse ligji prek ndonjë anëtar të kësaj gjykate, atëherë ka konflikt interesi, gjykata do të ribëhet", u shpreh kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›