E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luksemburgu: OK me liberalizimin e vizave

 

Luksemburgu i bën thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të hapin kufijtë për qytetarët e vendeve jo anëtare të Unionit. Deklaratën e bëri dje në Tiranë Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij Basha. Sipas tij, "si Ministër i Jashtëm kam marrë pjesë në shumë tryeza të rrumbullakëta ku ka diskutime dhe ide të shumta e të ndryshme dhe shpesh aty duhet të luftojmë ndërmjet nesh. Çështja e liberalizimit të vizave është mjaft e rëndësishme dhe siç e theksova edhe më sipër, vendet tona duhet të hapin jo vetëm zemrat por edhe kufijtë e vendeve tona. Ju e dini se kriminelët futen në vendet tona me dhe pa vizë, me dhe pa pasaporta; ky nuk përbën argument për liberalizimin e vizave. Unë siç ju thashë sapo erdha nga Sarajeva dhe edhe aty u ngrit kjo çështje". Nga ana e tij, ministri Basha u shpreh optimist për raportin që do të hartojë Komisioni Evropian për Shqipërinë dhe që do të paraprihet nga katër vizita të përfaqësuesve të komisionit nga shkurti deri në prill. Sipas kreut të diplomacisë shqiptare, ky vit do të jetë i rëndësishëm në drejtim të liberalizimit të vizave. "Ne do të shkojmë para BE-së dhe vendeve anëtare me informacionin e duhur që ilustron arritjet e Shqipërisë në të katër fushat dhe po presim me optimizëm vendimin e Këshillit Evropian, i cili, pa dyshim, do të merret për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të rajonit. Dhe duke dëgjuar sot mikun tim Asselborn, ashtu siç kam dëgjuar dhe miq të tjerë si, z. Fratini, z. Shvarcenberg, i cili sot ka presidencën e BE-së, unë mbetem optimist se viti 2009, do të jetë vendimtar për një hap tjetër historik, lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën Shengen", theksoi Basha. Ministri i Jashtëm i Luksembugut u takua dje me Presidentin Topi dhe Kryeministrin Berisha. Kreu i shtetit i cilësoi marrëdhëniet dypalëshe si shumë të mira, duke i ilustruar edhe me nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike. Sipas kreut të qeverisë, nga ana politike, viti 2008 ishte viti i reformave të mëdha. Me konsensusin e opozitës u miratuan reforma elektorale, reforma kushtetuese, ligji për prokurorinë dhe ligji për gjyqësorin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›