Gara për Tiranën ; Në garë edhe Paloka, Bumçi e Strazimiri
Posti i kryetarit të ri të PD-së së Tiranës “josh” emra të njohur, por dhe të hyrë rishtas në politikën e djathtë. Dega më e madhe e demokratëve ka ngjallur ambiciet e shumë politikanëve të PD-së për të marrë kryesimin e ri pas mbylljes së mandatit të Sokol Olldashit. Pas Besnik Mustafajt, është dhe deputeti Edi Paloka që do garojë për pasardhësin e Olldashit në krye të demokratëve të kryeqytetit. Me afrimin e zgjedhjeve të reja në PD, pritet dhe shpallja e kandidatëve të tjerë, ndërkohë që aktualisht përmenden edhe emrat e Gjergj Bojaxhiut, Aldo Bumçit dhe Gent Strazimirit. Në rast të një mbështetjeje nga forumet e larta të PD-së, z. Paloka është i gatshëm të garojë përballë kujtdo në këtë garë të re elektorale. Duke vlerësuar rëndësinë e një posti të tillë, z. Paloka dje bëri të qartë se pasi të konsultohet me drejtuesit e PD-së do të jetë i gatshëm të hyjë në garë. “Është një detyrim statutor që të propozojnë seksionet. Mund të dilja edhe unë ta shpallja kandidaturën, nuk më ndalonte askush, është e drejtë e gjithsecilit, por kam pritur për të parë nëse realisht anëtarët e Partisë Demokratike më mendojnë si një mundësi për ta drejtuar degën e Tiranës”, - tha z. Paloka. Sipas tij, dega e PD-së së Tiranës është një degë përcaktuese për zgjedhjet, është një degë që nëse e merr përsipër, duhet të jesh i bindur që nuk do të dështosh. Është një degë që të detyron suksesin. “Unë jam gati që ta marr përsipër drejtimin e degës së Tiranës”, - u shpreh deputeti dhe anëtari i Kryesisë së PD-së, Edi Paloka. Para disa javësh ishte Besnik Mustafaj ai që shpalli i pari kandidaturën për kreun e ri të PD-së së Tiranës. Në gjykimin e tij, Tirana është motori de fakto dhe këtu janë përqendruar forcat më të mëdha intelektuale të vendit dhe me shumëfishimin e popullsisë së saj, Tirana është një Shqipëri. “Në këtë kuptim, Tirana do të jetë motori i vërtetë i fushatës. Në bazë të statutit, lejohet kandidimi im. I kam një detyrim PD-së në Tiranë për t’u angazhuar më shumë në këtë parti. Partia Demokratike më ka votuar që në vitin 1991 si deputet. Ky vendim është instaluar në kokën time. Kam shumë energji dhe vendosmëri”, - theksoi z. Mustafaj. Mënyra se si zgjidhet kryetari i degës së partisë përcaktohet qartë në statut. Në nenin 27 të tij thuhet se kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e përgjithshme e PD-së. “Kandidaturat e dala për kryetarë të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat”, - saktësohet në statut. Në të ashtuquajturin ligj të funksionimit dhe organizimit të jetës politike dhe organizative të partisë parashtrohen edhe atributet e kreut të degës. “Kryetari i degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës. Ai organizon funksionimin normal të kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të partisë dhe shprehjen lirë të çdo anëtari të kryesisë”, - thuhet në statut. Ndërkohë, sanksionohet se kryetarët e degëve janë edhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të partisë.
Kryetari i degës
Neni 27
Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga Kryesia e PDSH-së. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat.
Kryetari i degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës. Ai organizon funksionimin normal të kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të partisë dhe shprehjen lirë të çdo anëtari të kryesisë. Kryetari i degës është anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë.