E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti. Rrog shtes per punen jashte orarit te policeve. Pikepyetje per te perndjekurit

23/11/2009  Ministri i Brendshëm i kënaqur me buxhetin që i ka akorduar qeveria për 2010-n

Policia, pagë shtesë për punë jashtë orarit

Albana Lika

Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha ka siguruar dje se të gjitha fondet e parashikuara në buxhetin e vitit të ardhshëm për orët shtesë të policisë dhe ato për blerjen e automjeteve do të shpërndahen. Ai ka mënjanuar në këtë mënyrë përsëritjen e fenomenit që ka ndodhur në këtë vit, ku ndonëse këto fonde janë parashikuar në buxhetin e këtij viti, ato nuk janë shpërndarë ende. “Gjithashtu buxheti mbështet plotësisht angazhimet për pagesat mbi kohën e punës, për turnet e dyta dhe të treta, pasi dihet që Policia e Shtetit është e organizuar në një shërbim 24-orësh për të siguruar rendin dhe sigurinë për qytetarët”, - theksoi Basha gjatë seancës dëgjimore që Komisioni parlamentar për Sigurinë Kombëtare zhvilloi dje me institucionet për projektbuxhetin e 2010-s. Për sa u takon shifrave të buxhetit në tërësinë e tyre, ministri Basha u shpreh i kënaqur. “Në stadin që po kalon vendi ynë, kur parashikohet që brenda vitit 2010 qytetarët shqiptarë të udhëtojnë pa viza drejt vendeve Shengen , ky buxhet i plotëson më së miri detyrat për sigurimin e kufijve, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kriminalitetit në përgjegjësi”, - tha Basha. Sipas këtij projekti, në vitin 2010 Ministria e Brendshme përfiton 17.565 miliardë lekë. Në krahasim me planin me ndryshime të vitit 2009 prej 16.555 miliardë lekë ka një rritje prej rreth 6 %. Ministri vuri në dukje se sipas programeve buxhetore buxheti i Policisë së Shtetit për vitin e ardhshëm do të zërë 73 % të buxhetit total të ministrisë së që ai drejton. “Ky buxhet siguron mbështetjen e nevojshme financiare për të gjitha sistemet që po implementohen në Policinë e Shtetit, pasi këto sisteme sigurojnë njohjen dhe plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian”, - tha Basha. Për Policinë e Shtetit buxheti për vitin 2010 është 12.796 miliardë lekë ose 73 % e buxhetit total. “Shpenzime personeli 8.375 miliardë lekë; shpenzimet e tjera 2.743 miliardë lekë; shpenzimet për Investime me financim të brendshëm 964 milionë lekë; shpenzimet për investime me financim të huaj 714 milionë lekë”, - përcakton buxheti. Ndërkohë që sektorët e tjerë paraqiten si më pishtë: planifikim, menaxhim dhe administrim 978 milionë lekë; Garda e Republikës 1,394 miliardë lekë; prefekturat dhe funksionet e deleguara 645 milionë lekë; Gjendja Civile 806 milionë lekë; Emergjencat Civile 758 milionë lekë; Rezervat e Shtetit 98 milionë lekë; menaxhimi dhe zhvillimi i administratës publike 91 milionë lekë. Sipas llojit të financimeve, ato me fonde nga Buxheti kapin shifrat e 16.260 miliardë lekëve, financimet me fonde nga të ardhurat 317 milionë lekë, financim i huaj 714 milion lekë, pagesë për TVSH dhe kosto lokale 273 milionë lekë.

Imami: Të rriten pagat e ushtarëve

Ndërsa Ministria e Mbrojtjes përmes kreut të saj Arben Imami kërkoi rritje page për ushtarët profesionistë. “Ministria ka një buxhet të përcaktuar për shkak të anëtarësimit të vendit në NATO me 2 për qind të GDP-së, por unë kërkoj që ushtarëve profesionistë tu rritet paga, pasi më e larta është 28 mijë lekë. Pa një rritje substanciale të pagave nuk do të jetë e mundur kryerja e një reforme të plotë dhe serioze”, - tha Imami gjatë raportimit në Kuvend. Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka dëgjuar me dyer të mbyllura edhe pretendimet e Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH). Ky institucion ka përfituar këtë herë nga buxheti i shtetit një rritje të lehtë në fonde me 40 milionë lekë më shumë se buxheti i vitit të kaluar.

Projektbuxheti 2010, ministri i Drejtësisë sqaron arsyet

Asnjë fond për të pushkatuarit pa gjyq

Albana Lika

Qeveria ka parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë për të kompensuar financiarisht ish-të përndjekurit politikë, por në këtë zë nuk përfshihet kompensimi i familjarëve të personave të ekzekutuar pa gjyq dhe të internuarit. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i pranishëm në Komisionin parlamentar të Ligjeve për të komentuar rreth projektbuxhetit të 2010-s për dikasterin e tij, tha se dëmshpërblimi për këto dy kategori mund të fillojë kur të mbyllen procedurat e nevojshme ligjore. Për sa i përket fondit të propozuar në projektbuxhetin e vitit 2010, Nishani u shpreh i kënaqur për rritjen me 475 milionë lekë krahasuar me vitin 2009.

Ish-të përndjekurit

“E rëndësishme është që të dalë kuadri ligjor. Pa të nuk mund të ketë planifikime për sa i përket buxhetit. Nga pikëpamja procedurale ne kemi qenë dhe mbetemi në negociata të vazhdueshme me Ministrinë e Financave, e cila na ka garantuar se sapo plotësohet pjesa e akteve të duhura nënligjore për këtë qëllim, pa dyshim që do të ketë dhe rialokim të buxhetit për të filluar menjëherë dëmshpërblimin e tyre”, - tha ministri Nishani. Për sa u përket kërkesave, ai garantoi se gjatë vitit të ardhshëm qeveria parashikon që të realizojë 1000 kërkesa të tjera në kuadër të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë. “Aktualisht në Ministrinë e Drejtësisë po punohet me intensitet nga sektori përkatës dhe deri tani janë mbi 3500 kërkesa të realizuara dhe të kaluara me vendim qeverie, ndërkohë është në përfundim një tjetër vendim qeverie me 500 kërkesa të tjera, që kanë përfunduar të gjithë procesin e plotësimit të dosjeve sipas ligjit”, - vijoi Nishani.

Regjistrimi i pasurive

Investimi në Shërbimin e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për vitin 2010 shkon në shifrat e 150 milionë lekëve. “Në lidhje me funksionimin e zyrave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme në vend llogariten rreth 4 milionë pasuri, nga të cilat rreth 3 milionë e pak kanë kryer regjistrim fillestar. Problematika e regjistrimit të pasurive të paluajtshme është kryesisht në qarqet të mëdha, aty ku tregu është më sensibël, në ato qarqe që përfshihen në projektin e BB-së si Tirana, Durrësi, Vlora etj. Llogaritim rreth 500 mijë pasuri, që janë vërtet problematike dhe që përfshihen në këto qarqe”, - sqaroi ministri mbi këtë çështje.

Projektbuxheti

Fondet për shpenzimet e personelit për vitin 2010 zënë rreth 55.5 % të fondit të përgjithshëm. Për vitin 2010 në raport me vitin 2009 rezultojnë me një rritje prej 601 milionë lekë. Rritjen më të madhe, prej 411 milionë lekë, e ka Sistemi i Burgjeve, jo vetëm si pasojë e numrit të lartë të punonjësve, por dhe si rrjedhojë e zbatimit të ndryshimeve në ligjin për “Policinë e Burgjeve”. Rritje të ndjeshme ka dhe Shërbimi për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme me 125 milionë lekë. Ndërkohë shpenzimet operative paraqiten me një ulje në masën 5 % në raport me buxhetin fillestar të vitit 2009 dhe janë në të njëjtin nivel me buxhetin e rishikuar të vitit 2009.

Investimet

Investimet e brendshme nga buxheti rezultojnë me një rritje prej 74 milionë lekë. Konkretisht: investimi në programin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor - 50 milionë lekë; projekti i informatizimit të sistemit penidenciar - 46 milionë lekë; arkivi elektronik i sistemit të drejtësisë - 8 milionë lekë; përmirësimi i lidhjes on-line të sistemit gjyqësor me Ministrinë e Drejtësisë - 13 milionë lekë; përmirësimi i rrjetit të shpërndarjes on-line të botimeve zyrtare - 2 milionë lekë; aplikacioni i kartave WEB për kartelat e të dënuarve, personelit dhe aktivitetit financiar të sistemit të burgjeve - 10 milionë lekë; projekti i sistemit të bllokuesve të valëve të telefonave celularëve - 30 milion lekë, duke siguruar mosfunksionimin e celularëve në sistemin e burgjeve e duke rritur elementet e sigurisë.

Burgjet

Pjesën kryesore të buxhetit e fiton sistemi i burgjeve - 17. 6 % ose 411 milionë lekë. Ministri Nishani tha se këtu përfshihet aplikimi i sistemit të gradave për punonjësit e burgjeve për tiu përgjigjur nivelit të pagave dhe rritja e kapaciteteve të burgjeve. “Nga zbatimi i shërbimit të provës ka shkuar në 400 numri i përfituesve. Kjo tregon për një shfryrje, sepse ata dalin nga ambientet e burgjeve dhe ul koston për mbajtjen e tyre. Tendenca do të jetë në këtë drejtim. Deri tani shërbimi i provës ka qenë vetëm në 3-4 qarqe, por më pas do të vendoset dhe në qarqet e tjera. Ulja e mbipopullimit do të vijë edhe përmes kësaj plus hapjes së burgjeve të reja me financime të BE-së. Konkretisht ndërtimi i paraburgimit në Elbasan me vlerë 4 milionë euro, në Berat me vlerë 6 milionë euro”, - tha ministri.

Komision i Ligjeve pranon shtimin e zërit të pagave, refuzon atë për pyetësorin

Kuvendi i “dhuron” ILDKP-së 1 milion lekë nga 3 që kërkoi

Deputetët e komisionit të Ligjeve kanë mbështetur kërkesat e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurive. Përmes inspektorit të lartë Adriatik Llalla ky institucion kërkoi një rritje prej 3 milionë lekë, por komisioni miratoi rritjen me 1 milion lekë në zërin e pagave dhe të sigurimeve, duke e çuar këtë shifër në nivelin e 61 milionë lekëve nga 55 milionë që ishin parashikuar paga, plus 5 milionë që ishin parashikuar kontribute të sigurimeve shoqërore. “Jam në krah të ILDKP-së për shkak të vetë qëllimit që ky institucion ka për shkak të punës kundër korrupsionit të zyrtarëve”, - tha nënkryetari i Kuvendit Nasip Naço. Të njëjtën mbështetje shprehu edhe deputeti i PD-së Gent Strazimiri. “Ky është një institucion që ka katër makina në dispozicion me një shofer dhe kërkon të ketë dy. Mendoj se e ka ekonomizuar vetë buxhetin dhe është brenda limiteve të nevojshme në kërkesat e tij. Jam pro mbështetjes”, - tha Strazimiri. Komisioni refuzoi kërkesën e ILDKP-së për shtimin e fondit për shkak të pagesave jashtë orarit të grupit të punës që do të ngrihet në këtë institucion për plotësimin e pyetësorit sipas kërkesës së Ministrisë së Integrimit. “Nuk mendoj që institucionet të kenë fond shtesë për këtë pjesë, pasi përgjigjja e pyetësorit është një detyrë shtetërore e punonjësve, për të cilën ata marrin një pagë mujore”, - tha deputeti i PD-së Viktor Gumi. ILDKP-ja ka përfituar gjithsej nga projektbuxheti 92 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›