E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti; Shifrat përplasin deputetët

Është apo jo realist buxheti i shtetit për vitin 2009 apo ai mbart me vetë risqe për shkak dhe të krizës globale? Këto kanë qenë dy pikat e forta që kanë ndezur debatin mes deputetëve të Komisionit të Ekonomisë për projektbuxhetin e vitit 2009. Ministri i Financave ka paraqitur dje në këtë komision buxhetin ku garantoi se është një buxhet realist. Por kjo është kundërshtuar fort nga opozita, sipas të cilës ky buxhet mbart me vete risqe dhe nuk garanton rritjen ekonomike që qeveria premton

Buxheti i shtetit për vitin 2009, më i larti që ka miratuar ndonjëherë qeveria shqiptare, me rreth 5 miliardë dollarë, përsëri vë në pikëpyetje garancinë për rritjen ekonomike.

Rritja e investimeve, e pagave, pensioneve, ulja e borxhit në masën 4.2 për qind, të deklaruara nga ministri Bode, i cili prezantoi dje projektbuxhetin në Komisionin e Ekonomisë, nuk kanë bindur deputetet opozitës se buxheti është realist. Bode tha dje se ky buxhet është buxhet konservator dhe realist, por opozita mendon se drafti përmban rreziqe, të cilat shtohen në kontekstin e krizës globale, duke iu referuar për këtë edhe një parashikimi të FMN-së për uljen e rritjes ekonomike vitin e ardhshëm. Pikërisht niveli i rritjes ekonomike për vitin 2009 ka ndezur debatin mes deputetëve të opozitës me ministrin e Financave. Sipas opozitës, ky buxhet mbart me vete risqe dhe nuk garanton rritjen ekonomike, sipas parashikimeve. Ata e quajtën këtë një buxhet të varfër që do të varfërojë më shumë shqiptarët. "Ne shohim se nuk ka para të mjaftueshme për të kredituar ekonominë dhe për të mbuluar efektet e nivelit të varfërisë", - u shpreh deputeti Braçe. Rritja ekonomike ka ndezur debatin mes opozitës dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Duke iu referuar të njëjtit burim, Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), përfaqësuesit e të dy krahëve politikë kanë dhënë shifra të ndryshme për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm. “FMN-ja ka një ekspert të vendosur tek INSTAT-i. Eksperti i tyre bëri në mënyrë të pavarur dhe e llogariti 6 %. Sepse rritja ekonomike është caktuar në mënyrë arbitrare dhe nuk ka interes shumë të madh dhe ne pranojmë aq sa thonë ata”, - tha Bode. Por deputeti socialist Braçe

tha se shifrat e paraqitura nga Bode përmbysin parashikimet e qeverisë. “Rritja ekonomike 6% apo mbi 6%, siç thoni ju, u vu në dyshim. Shifra që na u referua që mund të jetë e pritshme në projeksion ka qenë mbi 7%, që në këtë rast përmbys të gjitha parashikimet tuaja në këtë buxhet”, - tha anëtari socialist në Komisionin e Ekonomisë, Erion Braçe.

Për të diskutuar mbi projektbuxhetin 2009, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka zhvilluar gjatë paradites një takim me dyer të mbyllura me Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Deputeti socialist, Shpëtim Idrizi, deklaron se FMN-ja ka bërë vërejtje edhe për sistemin e referencave të zbatuar nga qeveria mbi biznesin. “Përfaqësues të FMN-së na thanë se rritja ekonomike e planifikuar për vitin e ardhshëm do të jetë rreth 3.7% dhe këtu ka një çoroditje të madhe në krahasim me atë që thotë Ministria e Ekonomisë”, - tha Idrizi.

Bode: Buxheti, realist me marxhe sigurie

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2009 se ky buxhet është realist dhe me marxhe të mjaftueshme sigurie. "P/buxheti merr në konsideratë zhvillimet dhe ecurinë e ekonomisë shqiptarë në vitet e fundit, por dhe ato në tregun e jashtëm, në kuadrin e disa ndryshimeve që ka pasur ekonomia botërore për shkak të krizës së sistemit financiar", - tha Bode. Sipas kreut të financave publike, p/buxheti pasqyron të gjitha kapacitetet e qeverisë dhe reflekton të gjitha prioritetet e saj dhe institucioneve të tjera të shtetit. "Ky buxhet synon të konsolidojë më tej stabilitetin makroekonomik të vendit përtej zhvillimeve që ka pasur ekonomia botërore, ndërsa ne mbetemi një vend me një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik, për sa i takon rritjes ekonomike, nivelit të inflacionit, kursit të këmbimit, bilanceve të tjera që kanë të bëjnë me tregtinë ndërkombëtare dhe nivelit të papunësisë", - deklaroi ministri Bode. Ministri Bode tha se të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2009 janë parashikuar në 333 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të madh historik, sa dyfishi i të ardhurave në vitin 2004, ndërsa shpenzimet llogariten 383 miliardë lekë rritje në total të tyre. BOX

Bode: Nëse kriza ndihet, qeveria plan ndërhyrjeje në treg

Qeveria shqiptare e ka një plan të hartuar për të ndërhyrë nëse efektet e krizës globale do të prekin ekonominë shqiptare. Garancia vjen nga ministri i Financavem Ridvan Bode, i cili për herë të parë është prononcuar dje rreth krizës globale dhe efekteve të saj në vendin tonë. Sipas Bodes, ende askush nuk e di si do shkojë në vazhdimësi kjo krizë, pasi askush s’e parashikon dot, por gjithsesi, qeveria shqiptare ka menduar edhe nëse kjo krizë intensifikohet dhe shtrin efektin e saj negativ në ekonominë shqiptare. "Efektet reale në të gjithë botën priten të ndihen në fillim të vitit tjetër. Askush nuk e di se deri kur do të shkojë kriza dhe askush nuk e di si do të reagojnë bankat. Gjithçka do të bëhet e qartë nga pranvera e vitit që vjen", - u shpreh Bode. Por ministri tha se qeveria e ka një plan rezervë për të mbajtur para të papërdorura, të cilat mund t'i duhet t'i hedhë në treg kur të vërejë që bankat do të jenë në vështirësi. "Duke marrë parasysh gjithë këto ngjarje, ne kemi lënë 16 miliardë lekë për t'i përdorur nëse shohim se ka vështirësi", - u shpreh Bode.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›