Elbasan, gati largimi i shtatë drejtuesve në shkollat e fshatit
Duket se ardhja në krye të Drejtorisë Arsimore Elbasan e zonjës Mimoza Matraxhiu dhe e specialistit në degën e kuadrit, zotit Shpëtim Sulanjaku, kanë kthyer normalitetin në sistemin arsimor të krejt qarkut. Sipas drejtuesve të rinj të DAR-it në Elbasan, Matraxhiu dhe Sulanjaku, “krahas punës për evidentimin e problemeve, sheshimin e tyre me urgjencë për të mos pasur asnjë shqetësim lidhur me personelin e shkollave në qytet dhe fshatra, kemi ecuri normale edhe me kthimin e detyrueshëm të zbatimit të kritereve në të gjitha emërimet e bëra nga ne”. Drejtoria Arsimore e Elbasanit, e cila deri para dy muajsh ishte e përfolur lidhur me emërimet e pabazuara n ligje dhe kritere profesionale, sot gjendet krejtësisht në një situatë tjetër. Matraxhiu dhe Sulanjaku deklaruan për “standard” se “kemi konstatuar emërime të pabazuara në kritere profesionale në shkollat e Trojasit, Belesh, ku drejton Sami Bajrami, Cerrujë, Funar ku drejton Banush Ruci, Plangaricë, ku drejton Beqir Shahini, Polis i Vogël ku drejton Nazmi Balla, Gjolen, ku drejton Bujar Azizolli, Dragot ku drejton Avni Dragoti, dhe po marrim masa urgjente për të gjetur zëvendësuesit e tyre, duke përmbushur kriteret e vëna nga MASH për drejtuesit e shkollave”. Sipas tyre, mësuesit e këtyre shkollave janë me numër mësuesish por që gjithsesi po trajtohen si të barabartë me shkollat e qytetit. Aktualisht DAR Elbasan është përfshirë nga një zbatim korrekt reformash, të cilat duhet thënë se ishin të cunguara ose kishin munguar fare deri para dy muajsh. Lidhur me këto ecuri, Matraxhiu dhe Sulanjaku deklaruan se “asnjë reformë dhe emërim nuk është duke u bërë nga ne mbi baza politike dhe partiake, por vetëm mbi kritere profesionale. Elbasani ka tradita të shkëlqyera në ecurinë e sistemit arsimor, është qyteti që ka furnizuar me mësues gjithë vendin me Normalen e famshme, ndaj mbetet detyra jonë të kthejmë normalitetin e munguar”. Nga ekipi i ri drejtues, po reflektohet duke perfeksionuar edhe punën e inspektorëve, të cilët kanë edhe ata një detyrim të rëndësishëm ligjor për kontrollet e shpeshta që bëjnë në gjithë shkollat e Elbasanit, qytetit dhe fshatrave, pasi siç u shpreh edhe drejtoresha Matraxhiu, “puna dhe raportimet e tyre, mbeten një test i mirë për punën dhe kontributin që ata japin, pasi çdo rezultat i verifikuar nga inspektorët, tregon edhe rezultatet e punës sonë dhe drejtuesve në shkolla”. Sipas statistikave nga DAR Elbasan, mësohet se në shtatë shkollat e fshatrave të lartpërmendura, ku pritet të ketë edhe zëvendësim të drejtuesve aktualë, mësojnë rreth 787 nxënës me afro 58 mësues. Një tjetër arritje mbetet edhe fshirja e radhëve të gjata në shkallët dhe korridoret e DAR, e atyre që prisnin emërimin apo për të zgjidhur një problem punë problem punësimi me drejtuesit e arsimit.