E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Investimet publike thithin 90 miliardë lekë të buxhetit



Buxheti i vitit 2009 mund të quhet fare mirë edhe buxheti i investimeve. Buxheti prej 5 miliardë dollarësh, i miratuar nga qeveria ditë më parë, parashikon që pjesa më e madhe e tij të shkojë për investime, ku brenda kësaj rrugët do të zënë vendin kryesor. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka shpjeguar dje në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend buxhetin e vitit 2009. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se investimet publike për vitin 2009 në projektbuxhetin e shtetit llogariten 90 miliard lekë, ku mbështetjen më të madhe do ta ketë infrastruktura rrugore. Kreu i financave publike, Bode, tha se në dispozicion të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për realizimin e programeve të saj janë parashikuar 57 miliardë lekë, 98 % e të cilave për infrastrukturën rrugore. "Akset rrugore që pritet të financohen tashmë janë projektuar dhe tenderuar, ndërsa fillimvitin që vjen, do të alokohen edhe fondet përkatëse", - deklaroi ministri Bode.

Sipas tij, ajo që vlen të theksohet, është fakti se edhe pse fondet janë katërfishuar për investime, numri i projekteve është ulur me 4 herë. "Nga 4500 projekte që ne gjetëm në vitin 2005, numri i tyre u ul në nën 1000 dhe kjo për faktin se në vitin 2009 do të mbështeten projektet që kanë impakt mbi ekonominë dhe zhvillimin e vendit", - nënvizoi Bode. Ministri sqaroi se janë 4-fishuar fondet për investime publike dhe janë pakësuar projektet po me 4 herë. Pra do të thotë, kemi rritur investimet dhe përqendruar në projekte të qenësishme të cilët japin efekte mbi ekonominë, janë efikase në raport me buxhetin dhe që minimizojnë avullimin e fondeve përmes tenderave të vegjël pa rezultat konkret në ekonomi në tërësi, pas përfundimit të projekteve. “Ky përbën elementin më pozitiv dhe të dukshëm. Sigurisht që në investimet publike janë mbështetur ministritë prioritare, infrastruktura rrugore, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, sikurse edhe Ministria e Mbrojtjes për të mbajtur në nivelin 2 % të PBB-së financimet për modernizimin e ushtrisë në kuadrin e anëtarësimit në NATO”, - tha dje Bode.

Rritje pagash dhe pensionesh në maj 2009

Pagat dhe pensionet do të rriten në datën 1 maj 2009. Punonjësit e administratës shtetërore dhe të gjitha kategoritë e pensionistëve do përfitojnë rritjen e pagës mujore dhe pensionit të tyre. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje ngjatë prezantimit të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2009 se rritja e pagave dhe pensioneve do të bëhet në muajin maj të vitit 2009, ndryshe nga vitet e tjera, kur kjo rritje bëhej në muajin korrik. Sipas Bodes, rritja e pagave dhe pensioneve në maj do të bëhet për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale në muajin qershor të vitit 2009. Bode tha, gjithashtu, se në mandatin e saj qeveria e përmbushi premtimin për dyfishimin e pagave për sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, ndërsa bëri një rritje të qenësishme edhe për pjesën tjetër të pagave. Numri maksimal i punonjësve buxhetorë më 1 janar 2009, sipas të cilit është përgatitur projektbuxheti i shtetit i vitit 2009, është 107 000 veta. Fondi për pagat dhe pensionet në projektbuxhet llogaritet 8. 200 milionë lekë.

Në 2009-ën, deficiti buxhetor pritet të ulet në 4.2 % të PBB-së

Deficiti buxhetor gjatë vitit 2009 parashikohet të ulet me një pikë përqindje, duke arritur në këtë mënyrë nga 5.2 % që është në vitin 2008 në 4.2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha gjatë prezantimit të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2009 se deficiti buxhetor do të ulet me një pikë përqindje, duke arritur në këtë mënyrë në 4.2 % të PBB-së. Sipas p/buxhetit 2009, kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit nga burime të brendshme dhe të huaja është 50 010 milionë lekë, nga i cili 200 milionë lekë financohen nga të ardhurat e privatizimit. “Ajo që kemi modifikuar në muajt e fundit në krahasim me programet e paraqitura më parë në projektin e muajit gusht apo gjatë pranverës, është fakti i financimit të deficitit buxhetor. Ne mendonim që në vitin 2009 Shqipëria të kishte arritur pjekurinë e mjaftueshme në tregun financiar, por edhe në kapacitetet fiskale për të dalë me eurobond, për të nxjerrë vendin në tregun e bonove evropiane të thesarit”, - tha Bode. Sipas tij, zhvillimet në tregun financiar kohët e fundit kanë dëshmuar një mungesë stabiliteti dhe një tronditje çka është shoqëruar jo vetëm me pakësimin e fondeve publike, por edhe me një rritje të normës së interesit. Qeveria mendon se në këtë situatë nuk është momenti i përshtatshëm për të dalë në treg dhe për të blerë bono 15 – 20-vjeçare, pasi do të paguante një kosto të lartë.

Ndaj, qeveria ka zgjedhur rrugën e financimeve afatshkurtra dhe në momentin kur tregu financiar do të jetë i stabilizuar, Shqipëria do të dalë në treg me rreth 300 milionë euro për të nxjerrë një bono në tregun evropian, por në kushtet e një tregu stabël me interesa të përshtatshme dhe jo në kushtet që jemi aktualisht. “Kemi programuar dhe kemi thënë që do të jetë financim i brendshëm, financimi i investimeve, por kjo do të jetë fleksibël. Pra, ne do të marrim fondet që na ofrohen me koston më të ulët në euro, pasi nevojat për investime publike në një sërë projektesh i kemi në euro”, - thotë Bode.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›