E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja nuk mund të zëvendësojë opozitën

Sa pritet të ndryshojnë raportet amerikano-shqiptare pas zgjedhjes së Presidentit Obama. Sa mendoni se mund të ndikojë ky ndryshim i politikave drejtuese në SHBA, në politikën shqiptare? Po në raport me interesat kombëtare, veçanërisht Kosovën, a mund të pritet ndonjë ndryshim?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është e njohur tashmë. Është si të thuash “mbarëpopullore”. Jo vetëm nga ata që e njohin pak historinë së-paku-njëshekullore të marrëdhënieve mes dy vendeve e mes dy kombeve tona, por edhe nga ata që njohuritë politike dhe kujtesën historike i kanë fare modeste. Të gjithë të njëjtën gjë po thonë. Në këtë anë dhe në atë anë të Atlantikut. Që këto marrëdhënie nuk do të, e nuk mund të ndryshojnë në themelin dhe thelbin e tyre. Që ato do të mbeten të mira dhe do të zhvillohen e shëndoshen më tej. Deri këtu duket se s’kemi dalë aspak nga korniza e një deklarate formale diplomatike. Dhe ekziston rreziku që si e tillë të ngurtësohet e fosilizohet në mendjen e njerëzve. Thjesht si një paragjykim, si një regjistrim sekretarie telefonike, si një dogmë që s’ka nevojë për asnjë freskim e asnjë sforco vërtetimi. Së paku në mendjen dhe fjalorin e politikës shqiptare, më duket se kjo çështje pikërisht kështu është përvetësuar. Si një qëndrim shabllon dhe fasadë diplomatike. Po, po, patjetër, sigurisht që do shkojmë mirë e më mirë me Amerikën. Se Amerika na do dhe na ka debulesë ne shqiptarëve. Dhe se kjo mjafton e tepron për të na pasur “xhan” e mos na e prishur qefin asnjëherë. Në çfarëdo rrethane e çfarëdo standardi të sjelljes sonë shoqërore e politike, ajo do të na fërkojë kokën dhe do të na gjendet pranë...

Këtu ka një gjysmë të vërtetë historike dhe një pasaktësi botëkuptimore tonën, lidhur me realpolitikën, sidomos në rrethanat e një bote kaq komplekse e dinamike si e sotmja. Është gjysmë e vërtetë historike, sepse vërtet që ne shqiptarët kemi marrë kaq shumë nga kjo miqësi, por ama nuk ka kurrfarë dyshimi, se qëndrimet e fuqive të mëdha, më shumë sesa nga interesat e aspiratat specifike të kombeve e vendeve të vegjël në këtë apo atë pikë të globit, udhëhiqen nga parimet dhe ekuilibrat e mëdha. Qëndrimi pra i kësaj apo asaj qeverie apo lideri të SHBA-së, Britanisë etj., në këtë apo atë moment historik, padyshim që përcaktohen nga ca gjëra të mëdha e me peshë, që jo gjithmonë janë të njëjta me ato ndjesi e emocione me të cilat kemi si huq t’i lidhim gjërat ne shqiptarët. Ato përcaktohen së pari nga parimet bazë morale e politike, që ato kombe kanë më për zemër, nga interesat e tyre kombëtare, si dhe nga roli e përgjegjësia që kanë në ekuilibrat globale. Dhe vetëm pas këtyre, ato ndikohen edhe nga respekti dhe afeksioni që një popull ka ndaj një populli e një vendi tjetër. Një gjykim apriori e jashtë kësaj logjike nuk të çon asgjëkundi. Sepse ja, a mund të përmendni ju një popull, një komb apo një vend të vetëm që nuk e ka respektin e SHBA-së? Unë them se nuk ka asnjë vend të tillë. Nuk ka asnjë vend, asnjë popull, asnjë fis, asnjë fe, asnjë prejardhje, asnjë racë për të cilën të mund të thuash se “nuk e do Amerika” apo “nuk e do aq shumë sa na do ne”. E kështu me radhë.

Dhe për të dëshmuar këtë nuk është nevoja të shkoni më larg. Për të flet pikërisht kjo që thoni ju: zgjedhja e senatorit Barak Obama në postin e Presidentit të SHBA-së. A mos bëri ndonjë pengesë origjina kombëtare e gjakut? A mos përmendi kush se e fortë ishte miqësia midis popujve e dy kombeve që formojnë origjinën e Presidentit të 44-t të SHBA-së, e për të cilat ai është njëlloj krenar? A mund të thotë kush se një origjinë nga Shqipëria i jep ndokujt më shumë shanse se të tjerëve në Amerikë? Askush s’mund të thotë të tilla gjëra. Natyrisht është fat i madh për një komb e vend të vogël, që në momente kritike e pika kulmore, një fuqi e madhe t’i ndodhet pranë. T’i mbajë anën. Ta ndihmojë në të drejtën e vet përkundrejt të tjerëve që s’kanë të drejtë. Ne si Shqipëri e patëm këtë rast. Pika të tilla kulmore shënonin sidomos viti 1913, kur shtetit -foshnje shqiptar i kanosej vetë “fshirja nga harta”. Një të tillë pikë patëm në Luftën e Dytë Botërore, kur SHBA bëri sa mundi për të mos lejuar mbylljen tonë në gardhin komunist. E patëm edhe në 1992, kur vizita e sekretarit të Shtetit Bejker në Tiranë, shënonte jo vetëm përshëndetjen e përmbysjes që kishte ndodhur (siç u kuptua përgjithësisht), por edhe djegien përfundimtare të çdo shprese e çdo plani që mund të thurej në mendjen e ndokujt për rikthim të komunizmit në këtë vend. Të komunizmit si sistem e kemi fjalën, sepse komunistë të veçantë sigurisht që kemi e do t’i kemi (me sa duket për shumë kohë) nëpër nyjat e pushtetit dhe për këtë nuk ka se si të fajësojmë Amerikën. Moment po aq kritik e vendimtar, e për nga rrethanat specifike, akoma më kulmor, shënoi për ne shqiptarët, qëndrimi dhe angazhimi i hapur i SHBA-së në çështjen e Kosovës. Shikoni pra, se si, ky qëndrim nuk është ndikuar aspak nga fakti se presidentët Wilson, Roosvelt apo Klinton ishin demokratë apo Presidenti Bush që u ndodh republikan.

***

Po nga çfarë u ndikuan e ndikohen këto mbështetje? Nga ato pra që thamë më lart. Parimet universale, interesat kombëtare të SHBA-së dhe roli i tyre në ekuilibrat globale. Kur këto gjëra koinçidojnë me vullnetin dhe fuqinë reaguese të popullit shqiptar, atëherë ne arrijmë zgjedhje të mëdha, po kur ky vullnet dhe reagim i yni është i cofur, natyrisht që i kalojmë ca vjet si mos më keq. Se kjo na ndodhi me mbasluftën apo jo. Amerika na ftoi të bënim demokraci, por ne i kthyem krahët. Hilen e madhe natyrisht që na e bëri Enveri, por edhe mbështetje ama gjeti aq sa i duhej. Komunizmi këtej nga anët tona pat hyrë aq “në modë” sa që për 50 vjet jo që s’foli njeri për shpëtimin kombëtar që na bëri Wilson, por nuk ngurruam edhe që presidentët amerikanë t’i bënim rregullisht tabelë qitje nëpër zboret tona. Të gjithë kemi qenë nga pak komandantë nëpër ato zbore, apo jo? Ju kujtohen zboret, apo jo? Vetëm fëmijët e Bllokut s’vinin, se ishin me raport. Kjo iu jep plotësisht të drejtë atyre tani të ngrihen e të na shajnë ne të tjerëve për anti-amerikanë. Mund të thonë se ata raportin atëherë prandaj e merrnin, që të mos vinin në zbor. S’mund të ngrinin dorën ndaj një tabele që kishte figurën e një Presidenti amerikan. E thonë që ç’ke me të dhe as që ke ç’u thua. Një kjo. Po t’i shtosh edhe gjuhën angleze, që ata e mësonin nga pak me magnetofon, pikërisht atëherë kur të tjerët nuk kishin as çorape e pantallona; shtoi pastaj edhe paratë e nomenklaturës, që qarkulluan në këto vite, kryesisht në sajë të aksesit special në leje ndërtimi, dhe do të shohësh se çfarë ndryshimi radikal, vertikal e transhedental ka ndodhur në Shqipëri, lidhur me bindjet e ideologjitë dhe përshtatjen darviniste. Nejse, e hapa kot këtë parantezë. Sado që kam vënë re se, pikërisht kjo, përbën pjesën më me kosto të arsyetimeve të mia. Pas çdo “arsyetimi” të tillë, shoh se si të që të nesërmen të mbyllen disa dyer zyrash, mediash e NGO-sh. Sidomos e qartë ndjehet kjo ftohje e ky distancim, tek disa qarqe të “elitës shqiptare”. “Elita” jonë e sotme, është padyshim pjesa më e lezetshme e shoqërisë shqiptare. Po nejse, ndoshta njëherë tjetër i hyjmë më gjatë kësaj teme.

***

Sado që mund të kem dalë pak nga qendra e pyetjes suaj, mendoj se kjo nuk është pa dobi. Le që në fund na nxjerr po aty ku duam. Në çështjen e ndryshimit të marrëdhënieve e politikës së SHBA-së ndaj nesh. Edhe unë ashtu mendoj, si shumica, që nuk do të ketë kurrfarë luhatje, së paku e përjashtoj çdo hamendësim për dobësim të tyre. Nuk ka asnjë bazë për një skenar të tillë. Po ndryshe nga disa, që bazën për këtë e kërkojnë tek ndjenjat e thella dhe afeksioni i rrallë mes dy kombeve, unë jam i prirur që këtë ta shikoj më shumë tek parimet që rendita më sipër. Jo vetëm në raport me të vërtetën, por edhe në planin pragmatik ky vështrim na bën më mirë. E para, sepse raportin me Amerikën ai e transpozon në një raport me parimet e mëdha universale, të lirisë dhe demokracisë, gjë që ne shqiptarëve na nevojiten jashtëzakonisht shumë në stadin, ku jemi. Së dyti, e na bën esëll në raportin me politikën e vendimmarrësit tanë. Gjykimet, pushteti e veprimet e tyre nuk shikohen si të buruara e të bekuara nga “amerikanizmi natyror” i këtyre njerëzve dhe “dashuria amerikane” (një tablo që jo vetëm shtetarët tanë kanë kaq qejf ta sfilojnë e interpretojnë në skenën tonë), por nga standardet politike që ata do të demonstrojnë në sjelljen e punën e tyre. Më së paku është e nevojshme të kuptojmë se, mbi këtë ndjenjë e “debulesë” amerikane ndaj nesh shqiptarëve, mbi këtë angazhim në favor të çështjeve tona, ne nuk mund e nuk duhet të spekulojmë asnjë çast. Do të ishte me pasoja të pakëndshme nëse do të silleshim ai fëmija i superpërkëdhelur. Nëse hidhemi e përdridhemi sa e si të duam, të bëjmë pis muret e të thyejmë xhama e gota, të luajmë e të trembim komshinjtë, madje edhe t’i nxjerrim gjuhën cilitdo. Edhe më i dashuri mik në kësi rastesh do të tregonte vendin. Dhe një rast i tillë s’ka si të quhej “ndryshim i politikës amerikane”.

Ilir Meta dhe opozita e drejtuar prej tij ka ashpërsuar akuzat ndaj opozitarit tjetër, Edi Rama, për bashkëpunim me Kryeministrin, njëherazi edhe shefi i mazhorancës, Sali Berisha. Sa vërtetësi gjeni në këto akuza të zotit Meta. Nëse po, ku e shihni bashkëpunimin apo aleancën Rama- Berisha?

Nuk do të hyja fare në këtë qerthull qëndrimesh që ngrihet mbi emra të përveçëm liderësh. Nuk na shkon edhe aq kjo punë, neve që gjërat duam t’i vështrojmë pakëz ftohtë, dhe për t’i parë ftohtë duhet ndenjur pakëz larg skenës dhe kontaktit me liderët. Për më tepër që të tre këta, i njohim pak edhe personalisht nga jeta, sepse tashmë u bëmë edhe goxha të vjetër në moshë.

Nuk do t’i hyja pra kësaj pyetjeje nëse nuk gjej atje një shqetësim real dhe një arsye më se të plotë për alarm. Shqipërisë ka kohë që i mungon opozita e PS-së. Kjo së paku mund të thuhet me plot gojën. Mungesa e mobilizimit dhe veprimit opozitar të lidershipit Rama. Nuk e shoh këtë. E them këtë jo sepse mua më ha malli të shikoj socialistë që marrin hunjtë e që përleshen nëpër sheshe e rrugë për të marrë pushtetin. Mos o zot, nëse e dua këtë. Një largim nga ky reagim politik është padyshim në rezultanten e vet, sado që me thënë të drejtën nuk kuptoj dhe aq mirë se si, të njëjtët socialistë që në 1996-n këto hunj nuk hezituan t’i rrëmbejnë me aq egërsi edhe kundër ministrash si unë, që tërë kohën e “ministrimit” banova vetëm një dhomë e kuzhinë parafabrikati në Allias, tani, në epokën e Gërdecit, Fazlliçit e perandorive familjare e klanore, janë zbutur kështu në këtë farë feje. Kanë zgjedhur papritur rrugën e dialogut të kadifenjtë dhe etik. Të më thonë ç’të duan, por që ky ndryshim nuk ka për bazë ndonjë proces “riedukimi” dhe “elitizimi”, për këtë unë jam më se i sigurt. Nuk mësohen kështu me ngut këto gjëra. Për më tepër që ca liderë atje kanë një lëkurë tepër të trashë për të bërë kësi procesesh “delikatizimi”. ǒtë jetë tjetër atëherë? Mendja të shkon që të tjera motive janë ato që “frymëzojnë” një zbutje të tillë. Dhe mendja këtu nuk ka se si të mos na shkojë tek raporti i eksponentëve të dy kupolave me drejtësinë. Vetëm një raport i tyre me drejtësinë mund ta shpjegojë këtë zbythje të papritur në momentet e tensionimit parimor. Këtë nuk e themi kuturu, por mbi bazën e akuzave që të dyja palët i kanë listuar njëra-tjetrës. Mbi bazën e insituatave dhe nëpërdhëmbjeve - që krerët i bëjnë njëri-tjetrit sa herë që tjetri i afrohet “kufirit kritik” të kritikës. Me referimin e dosjeve e “dokumenteve” që i disponojnë njëri-tjetrit dhe që s’përtojnë t’i marrin me vete edhe nëpër studio televizive, por që nuk i çojnë asnjëherë atje ku duhet, në Prokurori. E shoh edhe në faktin që edhe për ato dosje e akuza që në inat e sipër i kanë nxjerrë nga dora e ia kanë lënë prokurorisë, tani janë në siklet. Duan t’i tërheqin. Ndonjë duan edhe ta anulojnë. Që pastaj ta tundin sërish nga podiumi i Parlamentit. Dhe meqë prokuroria s’është një agjenci a një sportel i tyre, atëherë nxehen keqas me vetë prokurorinë. Bëjnë çmos “ta reformojnë”. Ku është këtu kompromisi do të thoni ju? Po ja, kur njëri nxehet e sulmon prokurorinë, tjetri hesht. Dhe niset për në male. Për ndonjë bisedë me barinjtë e Nemërçkës. Mbi rolin e arsimit pasuniversitar për rritjen e leshit të deles. Të deles së Nemërçkës.

A ka bashkëpunim hileqar Rama-Berisha, pyesni ju me të drejtë. Ku shfaqet konkretisht. Dhe a është kjo një gjë që prish punë? Ca gjëra i thamë më lart. Por edhe këtu, përjashtojmë nga diskutimi sigurisht atë aspekt kompromisi që lidhet me reformat e shëndosha. Sidomos përjashtojmë shtysat e shëndosha për reforma të shëndosha. Gjë që është një “lëshim” i pranueshëm, madje i dobishëm i opozitës. Mirëpo ato që thamë më lart nuk ka se si të na lënë aspak të qetë. Pa le po t’i shtojmë pastaj edhe një seri akordesh mes palësh, që lidhet me “kopsitjen” e vendimmarrjeve të leverdishme “reciprokisht”. Kjo është ç’është. Sepse kemi të bëjmë me dy liderë kundërshtarë që paradoksalisht ndodhen të dy në majë të pushtetit. Janë aq lart sa mund edhe t’i flasin njëri-tjetrit e ne kurrgjë të mos dëgjojmë. Mund edhe të na tallin e qeshin që atje lart e ne kurrgjë të mos kuptojmë. Në fakt as që dihet mirë cili është posti më i lakmuar nga pikëpamja e leverdisë materiale dhe shfrytëzimit të saj. Zoti Rama ka më pak territor, por ka më shumë pushtet ekonomik mbi të. Ka edhe më shumë potencial të ardhurash për metër katror në territorin që mbulon. Është pëllëmbë e flori territori i Tiranës. Flori e shkuar floririt bëhet nëse të lejojnë edhe disa plane të reja betonizimi urban. Pa le pastaj sikur ta lejojnë të shtrihet pak edhe mbi zona deri më tash të rezervuara për ne publikun. Nga ato pak gjëra që na kanë mbetur rreth e rrotull. Domethënë nga liqeni, pishinat dhe parku i rrjepur e i sulmuar nga një sulm i ri betoni. Kryeministri ka më shumë territor e pushtet global, të shtrirë sigurisht, por ka edhe më shumë telashe e punë. Ka shumë më pak “potencial ekonomik” për çdo metër katror që mbulon pushteti i tij. Qytete, fshatra e krahina të tëra sjellin më shumë telashe se të ardhura. Janë dy njerëz pra që kanë “mall” për t’i shitur njëri-tjetrit. Pa llogaritur shitjen e frikës, dosjeve reciproke, e me radhë.

Dhe së fundi, mos kërkoni që bashkëpunimi në trajtën e vet negative të shfaqet direkt dhe fizikisht. Ai shfaqet krejt ndryshe. Nëse njëri fjala vjen zhytet thellë në një proces pasurimi që dikur shpërthen sa shemben malet, tjetri mund t’i bëjë një shërbim të madh krejt indirekt. P.sh. duke ndërruar bisedën. Duke ikur fshatrave e luginave, për ndonjë “bisedë me hallexhinjtë”. Ose duke aprovuar konsensualisht një reformë që në vështrimin e vet neutral është patjetër e dobishme. Në këtë mënyrë, “i dyshuari” shndërrohet direkt në një “success story”. E marrin raportet ndërkombëtare, indekset e reformës në to ngrihen menjëherë nja 2-3 pikë, dhe kështu që fol ti po deshe.

Këtë javë ambasadori i KE-së, Lohan, i dorëzoi Kryeministrit Berisha raportin e KE-së për Shqipërinë. Raporti dominohet nga një fryme e qartë vlerësimi pozitiv për zhvillimet politike e demokratike, si dhe përpjekjet për të arritur standardet e integrimit në BE. Duket qartë një vlerësim i kundërt me atë të opozitës dhe pjesës më të madhe të mediave shqiptare. Si e komentoni një raport kaq kontradiktor midis vlerësimit ndërkombëtar dhe atij të opinionin të brendshëm?

Mendoj se këtë çështje e trajtuam më lart. Është fiks ajo që thamë. BE-ja, mungesave e dështimeve i ka mëshuar gjatë gjithë vitit. I ka lënë të kuptohet qartë, si qeverisë edhe opozitës, se fjala vjen, është pak turp që sot tre vjet e gjysmë mbas premtimit për t’i mbyllur “brenda vitit” gjithë përgatitjet zgjedhore dhe për t’i zhdukur brenda tre muajve certifikatat primitive, përsëri shqiptarët nuk kanë në dorë as Kodin Elektoral, asgjë “biometrike” dhe ende zhgërryhen për një vërtetim a certifikatë. Ka shumë vërejtje në dosjen e vet BE-ja, kjo është e sigurt. Po ç’mund të bëjë ajo thoni ju, ndaj një gjendjeje që nuk atakohet aspak nga ai faktor që duhet ta bëjë këtë punë? ǒmund të bëjë ajo përballë një përgjumjeje “opozitare” dhe apatie aspak të kuptueshme? Të vërë kujën? BE-ja s’mund të zëvendësojë opozitën. Më mirë i bie të thotë: Kështu e doni? Kështu e gëzofshi! Dhe i shton dhe një këtë libër serialit të vet me titullin e njohur “as mish as peshk”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›