Buxheti, deputetët kërkojnë fonde shtesë për zyra e makina
Bledar Hoti
Kuvendi kërkon shtesë fondesh prej 90 milionë lekësh në buxhetin e ri të vitit 2009, për krijimin e kushteve më të mira për deputetët. Në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, deputetja socialiste Rajmonda Stefa, në emër të Kuvendit paraqiti disa kërkesa për fonde shtesë në buxhetin e ri të shtetit. Ajo bëri prezent një kërkesë në emër të Sekretariatit të Buxhetit të Kuvendit, në përbërje të të cilit janë deputetët Rajmonda Stefa e PS-së dhe Ramiz Çoba i PD-së, Angjelina Kola e LSI, Jak Ndokaj i PDK dhe Petrit Gjoni i PAA-së. Kuvendi kërkon një shtesë fondi prej 94 milionë lekësh për të realizuar disa investime në godinën e Kuvendit edhe pse në mandatin e fundit të këtij Legjislativi, PS-PD kanë rënë dakord që të kryejnë disa shpenzime në lidhje me rikonstruksion godinash dhe zyrash. Kështu mësohet se 50 milionë lekë të reja do shkojnë për rikonstruksionin e sallës ku zhvillohen seancat plenare. Ndërsa 34 milionë lekë janë propozuar për t'u përdorur për rikonstruksion të zyrave për deputetët e ardhshëm të Kuvendit.
Zyrat e reja
Sipas deputetit demokrat Ramiz Çobaj, parashikohet që të ngrihen zyrat e reja për deputetët e Kuvendit, të cilët do jenë në godinën aktuale të kryesisë së Kuvendit. Pas largimit të Ministrisë së Integrimit, ambientet janë lënë në përdorim të Kuvendit. Sipas Çobajt, në bazë të ligjit të ri elektoral nuk do të ketë zyra deputetësh në zonat elektorale, por ato do të jenë në kryesinë e Kuvendit, ku deputetët do të kenë zyra të përbashkëta në formë qarqesh. Deputetja e PS-së, Stefa, gjatë diskutimit të saj në Kuvend hodhi poshtë pretendimet se këto bëhen për shtim privilegjesh. "Janë kërkuar 34 milionë lekë për të rikonstruktuar zyrat që po lirohen për të qenë deputetët. Po hidhet kaq shumë baltë mbi deputetët, sa unë nuk di në ndonjë vend tjetër, se i kujtohet se kanë makina rrangalle, po këtu nuk është vendi për të bërë analiza. Por duhet ta dini se këto nuk do t'i marrin deputetët me vete, janë pasuri e shtetit", deklaroi Stefa. Ajo shtoi se kryetarët e komunave kanë makina më të mira se sa deputetët e Kuvendit. Ndërsa deputeti i PS-së, Arben Malaj, ka bërë të ditur se "ka filluar një studim krahasues për të parë të gjithë sistemin e pagave dhe shpërblimin e bonuseve që marrin deputetët në çdo vend të Evropës". Ai kërkoi që pas këtij studimi duhet të nxirren modelet që duhet të respektohen edhe me shkallën e popullsisë, që të mos bëhet gjithçka spontane. Privilegjet e deputetëve kanë qenë shpeshherë objekt i debateve, ku shumat e mëdha, makinat e tyre janë kritikuar jo vetëm nga shoqëria civile, por edhe nga europarlamentarët. Kohët e fundit dhe Kryeministri Berisha në një mbledhje të qeverisë kritikoi në maksimum mënyrën se si trajtohen deputetët e Kuvendit. Në mbledhjen e qeverisë së mbajtur më 3 tetor, Berisha deklaroi se "situata e Parlamentit shqiptar është e papajtueshme me standardet evropiane". "Nëse ne mbajmë deputetë me makina dhe shoferë në kurriz të taksapaguesve, mos mendoni se bindim kënd me vullnetin e madh për të luftuar me tolerancë zero korrupsionin. Korrupsioni është abuzim me fondet. Ligji i statusit të deputetit është i bazuar në 'babëzinë'. Nuk ka vend në botë që deputeti të marrë 1.5 herë më shumë se kryeministri, në dieta e të tjera. Ky fakt nuk më shqetëson, por deputeti shqiptar nuk mund të jetë deputeti i vetëm në Evropë me makinë dhe shofer", theksoi kryeministri. Madje, sipas tij, në këtë drejtim edhe deputetët e kohës së diktaturës ishin më mirë, pasi nuk kishin makina.
Ndryshimet në buxhet
U pranua
• Kërkesa e Kuvendit për një fond prej 94 milionë lekësh
• 53 milionë për rikonstruksionin e sallës së seancave
• 34 milionë lekë për zyrat e pajisjet e deputetëve
• 10 milionë për shtesë në administratën
• Pranohet pjesërisht kërkesa e KLSH-së për një fond prej 20 milionë lekësh për pagat e 15 punonjësve të rinj, nga 39 që kërkoi
Nuk u pranua
• Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për 91 milionë lekë shtesë në buxhet, ku 80 milionë lekë ishin për investime dhe 11 milionë lekë për rritje pagash.
• Kërkesa e SHISH për 123 milionë lekë shtesë për investime
• Kërkesa ILDKP për 3 milionë lekë
• Kërkesa e KLD-së për 5 milionë lekë