E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i 2009-s hidhet poshtë për të 2-n herë

13/01/2009  Më parë kërkohet analiza e detajuar financiare e buxhetit të 2008-s për të parë se ç’ka ndodhur me fondet

Projektbuxheti i paraqitur nga Bashkia e kryeqytetit për të dytën herë radhazi nuk arrin të kalojë pragun e nevojshëm të votave për aprovim. Mbledhja e djeshme e këshillit bashkiak të Tiranës është shoqëruar me replika dhe debate të shumta ndërmjet përfaqësive të këshillit, por jo me miratimin e buxhetit, ku vetëm 20 vota ishin pro, ndërsa 29 kundër dhe dy të tjera abstenime. Shkak i mosmiratimit është bërë mosmarrja parasysh e kërkesave të paraqitura nga anëtarët e këshillit, veçanërisht ata të PD-së dhe LSI-së për detajimin e fondeve sipas zërave pas mbledhjes së zhvilluar në fund të dhjetorit të vitit të shkuar. Këta të fundit e kanë cilësuar projektbuxhetin si aspak transparent, duke qenë se nuk është diskutuar me komunitetet, çka rrjedhimisht nuk sjell plotësimin e nevojave reale të qytetarëve. Në shumicë është kërkuar që para se ky buxhet të marrë miratimin të jetë detajuar edhe analiza financiare e vitit që lamë pas për të bërë dhe ndryshimet e nevojshme e që u duhen kryeqytetasve.

Mbledhja

Mungesa e analizës financiare për realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të ndodhura në buxhetin e vitit 2008 kanë çuar në replika të tensionuara ndërmjet anëtarëve të këshillit, duke e cilësuar këtë projekt jo si buxhet që plotëson nevojat e qytetarëve, por që vihet në shërbim të fushatës elektorale që po afron. Përfaqësuesi i mazhorancës Ferdinand Pone është shprehur se “ky nuk është aspak buxhet i ndershëm e aq më tepër transparent apo i shpresës, siç është pohuar nga hartuesit, çka tregohet dhe me mungesën dhe injorimin që i bën kreu i Bashkisë mbrojtjes së buxhetit, duke bojkotuar mbledhjen”.

Ndërsa Monika Kryemadhi është shprehur se nuk do të aprovohet buxheti pa pasur më parë një detajim të saktë të tij në zëra dhe shpenzime. Ndërsa Suzana Guxholli e ka cilësuar më të dobët se buxhetin e vitit të shkuar, me një performancë tepër të ulët, duke mos arritur të realizojë asgjë. “Rritjet e deklaruara nga mbledhja e të ardhurave kanë ardhur si pasojë e transferimit të mbledhjes së një sërë taksash nga niveli qendror në atë lokal”, - ka pohuar Guxholli. Megjithatë, këto deklarata janë hedhur poshtë nga përfaqësia e PS-së në këshill. Sipas tyre, hartimi i buxhetit është bërë pas një analize dhe rishikimi e diskutimi edhe me vetë qytetarët. Përfaqësuesi i këtij grupimi në këshill Arben Ahmetaj ka kërkuar moszvarritjen e mëtejshme të miratimit, pasi në këtë mënyrë qytetarët humbasin realizimin e 1 miliard lekëve investimeve vetëm në fushën e pastrimit, 2.1 miliardë lekëve të tjera në fushën e infrastrukturës 196 milionë lekë për transportin si dhe rreth 1 miliard lekë të tjera në sferën e arsimit.

Miratimi

Buxheti nuk do të miratohet derisa të merren parasysh kërkesat e paraqitura nga palët për detajimin e zërave përkatës të buxhetit, por kjo pas publikimit dhe njohjes së tyre me një analizë të mirëfilltë të realizimit të buxhetit të vitit 2008.

Kundrejt reagimeve të anëtareve të këshillit zëvendëskryetarja e Bashkisë Albana Dhimitri ka pohuar se në këtë buxhet janë shtuar fondet e shpenzimeve me rreth 18 për qind më shumë se të një viti më parë.

7.6 miliardë parashikohet të jetë buxheti i vitit 2009, që do të shkojë për realizimin e investimeve në fusha të ndryshme të kryeqytetit.

18 për qind është rritja e fondeve të parashikuara nga ekspertët e Bashkisë për këtë vit në buxhet krahasuar me atë të realizuar gjatë vitit të shkuar

8 për qind e fondeve të përcaktuara në totalin e buxhetit janë parashikuar të shkojnë për mbulimin e pagave të punonjësve të aparatit të Bashkisë.

rreth 3 miliardë lekë është zëri i shpenzimeve të parashikuara për pjesën sociale dhe programeve apo projekteve që do realizohen për të.

Në këtë buxhet nuk është parashikuar rritje e taksave dhe sipas ekspertëve prej tre vjetësh nuk janë rritur taksat që derdhin qytetarët.

Monika Kryemadhi

“Administrata e Bashkisë që ka hartuar projektbuxhetin përkatës nuk ka dhënë asnjë detajim të investimeve dhe projekteve që do të realizohen që dhe ne të dimë se çfarë po votojmë dhe sa në shërbim të qytetarëve janë. Për këtë buxhet nga 11 minibashkitë e kryeqytetit 7 prej tyre janë kundër tij. Në këtë buxhet ka shumë objekte që ishin parashikuar të realizoheshin gjatë 2008-s, po planifikohen sërish më 2009-n. Ku kanë shkuar të gjitha ato fonde?”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›