E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i 2013: Viti i zgjedhjeve, sa do rriten pagat e pensionet

Nga mbledhja e djeshme e qeverise

Shtesë 4-5 për qind për pensionistët dhe 2-5 për qind për buxhetorët. Të përndjekurit e pronarët, 43 milionë USD.

Në buxhet, 30 milionë USD për të përndjekurit e 13 për pronarët.

Buxheti, investimet rriten nga borxhi.

Zbardhet projekti për vitin 2013. Ulen fondet për Kuvendin, Prokurorinë dhe SHISH. Tabela për çdo institucion.

Shpenzimet kapitale 710 milionë USD, ja si do të ndahen.

Pagat dhe pensionet pritet të rriten në maj të vitit 2013, kjo sepse në qershor parashikohet të mbahen zgjedhjet. Dhe duket se janë pikërisht zgjedhjet ato që kanë lëshuar dorën e qeverisë në rritjen e përfitimeve për këto kategori. Gazeta zbardh tabelën e plotë të përfitimeve edhe për shtresat e ish-të përndjekurve e pronarëve. Por këto të fundit nuk do të përfitojnë më shumë para sesa këtë vit. Ndoshta, në pritje të parave që do të vijnë nga privatizimet.
Pensionet
Shtesa për pensionet do të rrisë ndjeshëm kontributin e qeverisë në buxhetin e ISSH. Sidoqoftë, në buxhet janë parashikuar 15 milionë USD për rritjen e pensioneve. Kjo, si garanci në rast të mosrealizimit të të ardhurave. Pensionet në buxhet parashikohen të rriten me 4 për qind në qytet dhe me 5 për qind në fshat. Nga shtesat do të përfitojnë më shumë fermerët, në mënyrë që të përafrohet përfitimi me qytetin. Shtesë në përfitim pritet të kenë edhe ata që jetojnë me ndihmë ekonomike. Sipas parashikimit, do të ketë një rritje prej 5.6 për qind
Pagat
Kreu i qeverisë tha se pagat e nivelit të lartë politik të administratës do të rriten vetëm 1 për qind. Kjo ndoshta është edhe arsyeja pse në buxhetin e shtetit, paga e presidentit është parashikuar njësoj me atë të këtij viti, 257 mijë lekë. Por në buxhet parashikohet që pagat e administratës të kenë një shtesë nga 2 në 5 për qind. Rritjen më të madhe do ta kenë pagat e ulëta. Mjekët, mësuesit dhe infermierët janë sërish shtresë e privilegjuar. Shtesa për këtë kategori është 3-4 për qind, ku 4% mendohet të përfitojnë infermierët.
Të përndjekurit
Protestat, grevat e urisë dhe vetëdjegjet deri në humbjen e jetës duket se kanë detyruar qeverinë të shtojë ndjeshëm fondin për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë. Në total, fondi për vitin 2013 është 3 miliardë lekë ose rreth 30 milionë USD. Për ta krahasuar, mjafton të përmendim se gjatë këtij viti fondi për të përndjekurit politikë ishte 1.7 miliardë, ose 17 milionë USD. Pra, për këtë shtresë, edhe me afrimin e zgjedhjeve ku në qeveri është një forcë e djathtë, do të përfitojë gati dyfishin e fondeve.
Pronarët
E kundërta ndodh me pronarët. Këta të fundit nuk do të përfitojnë më shumë para, por në të kundërt fondi u është zvogëluar. Pronarët ndahen në dy kategori, ata që përfitojnë kompensim nga tokat e zëna nga ndërtimet pa leje dhe ata që përfitojnë kompensim nga tokat e zëna gjatë komunizmit. Në total, fondi për vitin 2013 është 1.3 miliardë lekë. Për këtë vit, parashikohet që fondi të shkojë në 1.8 miliardë lekë. Pra, dukshëm në vitin 2013, fondi do të ulet. Nga këto para, rreth 2 milionë USD janë për kompensimin e pronave të zëna gjatë kohës së komunizmit dhe rreth 11 milionë USD për legalizimet.

(Artikullin  e plotë  e lexoni në numrin e sotëm të gazetës Panorama)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›