E Diel, 1 Nëntor 2026

“Buxheti i Bashkisë, kopje e buxhetit të investimeve të parealizuara në 2008”

Shoqata e Njësive Bashkiake të Tiranës hedh poshtë pretendimet e kryebashkiakut Edi Rama

TIRANE - Shoqata e Njësive Bashkiake të Tiranës, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka hedhur poshtë dje pretendimet e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama i cili deklaroi se  buxheti i vitit 2009 u hodh poshtë për arsye politike.
Armond Halebi, kryetar i Shoqatës së Njësive Bashkiake të Tiranës dhe Kryetar i Njësisë nr. 9, deklaroi dje se “me keqardhje dëgjuam deklaratën e kryetarit të Bashkisë, Edi Rama ku theksoi se buxheti i vitit 2009 u hodh poshtë për arsye politike, kur në të vërtetë është e kundërta dhe për këtë, ne si Shoqatë e Njësive Bashkiake jemi shprehur qartë përpara se ky projekt të kalonte në Këshillin Bashkiak të Tiranës”.
Halebi deklaroi se “i kujtojmë Ramës se ky buxhet është një kopje buxhetit të investimeve apo projekteve të parealizuara për vitin 2008”.
Të njëjtin mendim ka pasur dhe Luzhiana Abazi, Kryetare e Njësisë nr. 6 në Tiranë, e cila deklaroi se “ne kemi bërë propozime për projektbuxhetin, me të gjitha shqetësimet që kanë njësitë bashkiake, janë pasqyruar në mbledhjen e parë, u kthye mbledhja e parë i kemi diskutuar dhe me ata punonjës  të administratës, të cilëve u vjen shumë keq për hallet dhe shqetësimet që ka Tirana dhe këto nuk u morën parasysh”.
Abazi bëri të ditur më tej se “në mbledhjen e dytë të Këshillit, është ridiskutuar i njëjti material i buxhetit, pa marrë parasysh prioritet që kanë të gjithë kryetarët e njësive, ndaj këtu politika nuk ka më vend”.
Sa i përket shkuarjes në zgjedhje duke qenë se buxheti është kthyer, Ilir Kokona, kryetar i Njësisë nr. 3 në Tiranë, deklaron se “Rama duhet të kuptojë nëse është gati të shkojë në zgjedhje”, çka sipas tij “nuk është politike, për shkak se ne i kemi miratuar këto edhe në këshillat e njësive bashkiake, ku janë të gjitha forcat politike të përfshira. Pra, nuk duhet të ngatërrohen problemet teknike me problemet politike”.
Haki Mustafaj, kryetar i Njësisë Bashkiake nr. 11, shprehet se “Edi Rama i ka gjetur kohë, për t’u takuar me 10-15 banorë në lagjet tona dhe nuk ka gjetur kohën deri sot, për t’u takuar me 11 kryetar të njësive bashkiake, për t’i dëgjuar ato, qoftë edhe nëse nuk i merr parasysh konsideratat dhe propozimet që kanë”.
Mustafaj komentoi gjithashtu se kjo “nuk kemi dalë këtu për t’iu kundërvënë Edit, por ne kemi dalë për të mbrojtur komunitetin dhe për të kërkuar atë që i kanë premtuar këshilltarëve dhe ne, dhe ato për të cilat zonat tona kanë nevojë dhe e dinë më mirë ato se vetë Edi”, përfundoi Mustafaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›