E Shtunë, 31 Tetor 2026

“The Economist”: Shqipëria, vend me regjim hibrid

Nga Armand Maho

Një raport i fundit i “The Economist” për Indeksin e Demokracive në botë e rendit Shqipërinë në grupin e vendeve me regjim hibrid. Economist Intelligence Unit Index of Democracy për vitin 2008, e rendit Shqipërinë në vendin e 81, duke qenë në një vend së bashku me Bosnjën, e cila nuk renditet në këtë pozicion veçse për shkak të problemeve etnike që ka. Në grupin e parë të 167 vendeve që janë marrë në studim dhe që përbëjnë popullsinë e krejt globit, duke lënë jashtë vetëm mikro-shtete, futen vendet me demokraci të plotë, në grupin e dytë vendet me demokraci të paplotë, në grupin e tretë vendet me regjime hibride dhe në vendin e katërt, vendet me regjime autoritare. Tri grupet e para presupozohet se janë vende demokratike, ndërsa grupi i katërt përfshin vende që janë diktatoriale.

Në grupin e parë përfshihen vetëm 300 shtete, në të dytin 50, në të tretin 36 dhe në grupin e fundit përfshihen 51 vende. Dëshpërues është fakti se një e treta e globit jeton në diktaturë, ndërsa raporti vëren se pas prirjeve të fundit të dekadës që lamë pas për demokratizim, është vënë re një stanjacion.

Analiza e “The Economist” për çdo vend përqendrohet në pesë kategori: Procesi elektoral dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisjes, pjesëmarrja politike, kultura politike dhe liritë civile. Vendi ynë ka një renditje më të dobët për sa i përket funksionimit të qeverisjes dhe pjesëmarrjes politike, ndërsa ndodhet pak më mirë për sa i përket lirive civile dhe procesit elektoral. Dobët është në renditje dhe kultura politike.

Duhet theksuar dhe raporti i vitit 2006 që na rendit gjithashtu si regjim hibrid. Renditja bëhet pasi plotësohet një pyetësor me 60 pyetje, për të cilat merret mendimi i ekspertëve të ndryshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›