E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë tregtare rrisin artificialisht shifrën e rritjes ekonomike

Nga Fitim Zekthi

Kreditë e huaja tregtare që ka marrë qeveria shqiptare vitin e shkuar dhe ato që pritet të marrë këtë vit kanë efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e shifrës që tregon rritjen ekonomike të vendit. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave thanë dje se ekonomia e vendit, e cila ka një prodhim kombëtar prej pak më shumë se 10 miliardë, ndikohet drejtpërdrejt nga një kredi prej 300 milionë eurosh që qeveria mori vitin e shkuar. Duke qenë se rritja ekonomike është thjesht vlerë e shtuar në ekonomi, domethënë vlerë që i shtohet gjatë një viti ekonomisë ekzistuese, atëherë kredia prej 300 milionë eurosh ndikon drejtpërdrejt me 3 pikë përqindjeje. Po ashtu, edhe gjatë këtij viti qeveria shqiptare do të marrë një kredi tregtare po në këtë nivel dhe ekonomia sërish do të ketë një ndikim prej saj në nivelin që kishte vitin e shkuar. Pra, ekonomia shqiptare, në rast se vitin e shkuar do të kishte vepruar si në të gjitha vitet e mëparshme dhe nuk do të kishte marrë kredi tregtare, do të kishte një rritje ekonomike 3 pikë më të ulët sesa ajo ka qenë realisht. Shqipëria u lejua prej Fondit Monetar Ndërkombëtar të marrë kredi tregtare deri në një nivel prej pak mbi 600 milionë dollarësh për projekte me leverdi ekonomike gjë që më parë nuk i ishte lejuar. Kreditë tregtare janë një mjet shumë i njohur në ekonomitë e tregut, por problemi që ato mund të shfaqin është shumë i rrezikshëm për shkak të normave të larta të interesit. Marrja e kredive tregtare është një gjë shumë e thjeshtë dhe të gjitha bankat e botës janë të interesuara të japin të tilla kredi për qeveritë, pasi këto janë kredi shumë të sigurta. Qeveria shqiptare tha vitin e shkuar se ajo do të marrë një vlerë të konsiderueshme e më pas nuk do të marrë më, pasi i trembet normës së lartë. Ekonomia është ndikuar drejtpërdrejt në shifrat e rritjes ekonomike për shkak të 300 milionë dollarëve të kësaj kredie, por nuk është e qartë sesa vërtet këto janë shifra që dëshmojnë rritje të ekonomisë në kuptim të mirëfilltë. Instituti i Statistikave, kur paraqet e shifrat e tij të rritjes ekonomike të vendit, nuk përmend asnjëherë faktin që ekonomia shqiptare ka marrë 300 milionë euro tregtare dhe të cilat kanë efekt në rritjen e ekonomike. As zyrtarët e qeverisë nuk e përmendin këtë gjë. Në njëfarë mënyre rritja ekonomike që vjen për shkak të kredive tregtare që futen në ekonomi është artificiale, pasi efekti i këtyre kredive nuk është dhënë ende.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›