Kryeministri Sali Berisha, ripërsërit angazhimin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe komenton ligjin e dosjeve
Berisha: Me 28 qershor, Shqipëria do mbajë zgjedhjet më të ndershme të epokës pluraliste
TIRANE - Kreu i ekzekutivit Sali Berisha përshëndeti dje gjatë një konference shtypi mbylljen e procesit të Stabilizim Asociimit Shqipëri- BE nga të gjitha vendet anëtare të Unionit.
Duke vlerësuar procesin zgjedhor, si të rëndësishëm, Kryeministri Berisha premtoi, se qeveria do të sigurojë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Para gazetarëve, Kryeministri dha sqarime edhe për ligjin e lustracionit.
Nënshkrimi i MSA-së, dëshmi e suksesit të qeverisë
Në konferencën për shtyp, Berisha rikonfirmoi, se pas mbylljes së kësaj marrëveshjeje, qeveria është gati të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat, për në BE.
“Jam përpara jush për të përshëndetur përfundimin e procesit të ratifikimit të
Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Ky hap historik për Shqipërinë është një dëshmi e suksesit spektakolar të reformave të kësaj qeverie. Në qershor të vitit 2008, 27 ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në deklaratën e tyre të Lubjanës, do të shpallnin si frymëzuese për rajonin suksesin e reformave të qeverisë shqiptare. Kjo firmë, mbi kontratën e parë historike të Shqipërisë me Evropën, përbën një vlerësim maksimal për vendin, përpjekjet dhe reformat e tij. Në rast se procesi i para hapjes së negociatave dhe ai i negociatave për firmosjen e Marrëveshjeve zgjati nga vitit 1999 deri në vitin 2005-2006, duke u shndërruar në procesin më të gjatë në historinë e Bashkimit Evropian, procesi i firmosjes dhe ratifikimit nga 27 vende anëtare të Marrëveshjes së Stabilizimit-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian u realizua në një kohë tre herë më të shkurtër”, u shpreh Berisha.
Sipas Kryeministrit, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në qershor të vitit 2006, ratifikimi i MSA-së nga 27 vendet anëtare të BE-së, përbën suksesin e tretë më madhor të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Kreu i qeverisë vlerësoi se ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u bë e mundur para së gjithash nga zgjerimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, të lirisë së mendimit, të lirisë së mediave, minoriteve dhe ndryshimeve të qarta pozitive në institucionet e vuajtjes së dënimit.
“Kjo u bë i mundur nga lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe shndërrimit të Shqipërisë në një nga vendet më të sigurta të rajonit. Shqipëria ka sot treguesit e kriminalitetit, qartësisht, nën mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian.
Kjo bë e mundur nga lufta e vendosur me reforma dhe ndëshkim ligjor ndaj korrupsionit. Qeveria shqiptare u njoh si kampion në reformat e saj në luftën kundër korrupsionit nga “Transparency International” në raportin e saj për vitin 2008”.
Qeveria në përpjekjet e saj, tha kryeministri, ja doli të shkëpusë Shqipërinë nga rrethi i 24 vendeve më të korruptuara të planetit dhe të lërë pas 95 vende.
“Drejtësia shqiptare funksionoi dhe vendosi përpara ligjit me dhjetëra e dhjetëra zyrtarë.
Firmosja u bë e mundur, sepse suksesi i Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit e renditi vendin në një nga 10 vendet më të suksesshme të planetit në këtë luftë vitin që kaloi.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga 27 vendet e Bashkimit Evropian u bë i mundur, sepse reformat e thella ekonomike dhe fiskale e shndërruan Shqipërinë në vendin e dytë në botë për suksesin e tyre, sipas ‘Doing Business’, e bënë Shqipërinë, vendin e rritjes më të shpejtë ekonomike në rajon dhe ndoshta të kontinentit, si dhe një ndër vendet më tërheqëse për investimet e huaja. Ratifikimi nga 27 vendet e BE-së të kontratës sonë me Bashkimin Evropian, u bë i mundur nga reformat e mëdha kushtetuese dhe ligjore të institucioneve të vendit, Parlamentit, Presidentit, Këshillit të Ministrave, sistemit zgjedhor, sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të tjera. Pra, kjo u bë e mundur sepse ne ju përmbajtëm me seriozitetin më të madh motos që shpallëm me ardhjen në pushtet, se reformat dhe vetëm reformat do të jenë ‘alpha’ dhe ‘omega’ e programit tonë”, vijoi më tej Berisha.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe raporti i Komisionit Evropian për vitin 2008, përbëjnë bazën ligjore, morale dhe të gjithanshme për Shqipërinë, për të merituar statusin e kandidatit.
Këto janë dëshmi e maturimit të saj, për të fituar statusin e kandidatit për vend anëtar të Bashkimit Evropian.
“Mazhoranca garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme”
“Shumica parlamentare zotohet për realizimin e një procesi të rregullt zgjedhor, në kuvendoret që pritet të zhvillohen më 28 qershor 2009”.
Kreu i qeverisë Sali Berisha, dha garanci të plotë, për të gjithë shqiptarët se zgjedhjet e këtij viti, do të jenë më të mirat e realizuara ndonjëherë në vend, duke theksuar se qeveria do të japë të gjithë përkushtimin e saj për një proces të lirë zgjedhor dhe të ndershëm.
“Dua të zotohem me solemnitet dhe seriozitetin më të madh para shqiptarëve se për Sali Berishën objektivi i parë më absolut do të jetë një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm. Kjo qeveri do të bëjë çdo përpjekje që shqiptarët të votojnë në një proces të denjë për moralin e tyre qytetar, të votojnë si të gjithë qytetarë evropianë”, u shpreh Berisha.
Sipas kryeministrit, qeveria ka bërë investime dhe përpjekje të mëdha, të paprecedent, për një infrastrukturë zgjedhore nga më modernet që ekzistojnë.
“Qeveria u bën thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve publike dhe private në vend që të japin kontributin e tyre për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Është jetike për ligjin, për moralin, për fytyrën e këtij vendi që të tregojmë të gjithë përkushtimin tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke qenë të sigurt se nga ky proces nuk ka të humbur, përkundrazi. Sigurisht që një palë do të fitojë zgjedhjet, ndërsa pala tjetër do të mbetet opozitë, por, në fund të fundit, çdo qytetar shqiptar, i rritur, i moshuar apo fëmijë do të jetë i fituari i këtij procesi”, nënvizoi kreu i qeverisë.
“Qeveria iu përmbajt parimeve të KE-së për ligjin e lustracionit”
Kryeministri Berisha ka komentuar edhe deklaratën, që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Evropian, Terry Davis ka bërë për ligjin e lustracionit, i cili hyri në fuqi këtë të mërkurë. Berisha ripërsëriti se nuk është i habitur, që edhe në Shqipëri si në të gjithë vendet, ku është aplikuar ky ligj, kritikat të mos mungonin, por megjithatë Berisha theksoi se në deklaratën e Davids ka disa pasaktësira, të cilat burojnë nga keqinformimi, që i kanë bërë atij, në lidhje me ligjin shqiptar të pastërtisë së figurave.
“Më duhet të theksoj se duhet të jeni të ndershëm kur të citoni dokumentet. Nëse lexoni deklaratën e zotit Davis, në të thuhet se ligji nuk përcakton një afat, por ju si shqiptarë e dini se ky ligj ka një afat dhe ky afat është 5 vjeçar. Unë mund të pranoj se ka një kufizim të të drejtave, por nuk mund ta pranoj se nuk ka afat. Atëherë po të jetë me afat, nëse e lexojmë deklaratën siç është, i bie që ligji të jetë në rregull. Por, në rast se ka pasur një pakujdesi nga nëpunësi që ia ka dhënë, nuk e kuptoj maninë tuaj për ta besuar verbërisht këtë, kur ju e dini që ligji ynë ka një afat. Në deklaratë përmendet viti 1999, por ata që erdhën në pushtet me rebelimin komunist në Shqipëri e anuluan procesin. Kjo është e vërteta. Dhe tani nuk është asgjë tjetër veçse vazhdim i procesit të anuluar. Ne i jemi përmbajtur parimit të Këshillit të Evropës se ndaj atyre që preken nga ligji nuk mund të përdoren ato parime që ata kanë përdorur kur kanë kryer krime apo kanë shtypur të tjerët. Ka vende që i kanë përdorur edhe në vitin 2007, madje po e diskutojnë edhe tani për t’ju përgjysmuar pensionin etj., por ne nuk kemi hyrë deri këtu”, u shpreh Berisha.
Kreu i mazhorancës risolli, sërish në vëmendje të opinionit publik se ligji i propozuar nga demokratët dhe i huazuar nga modeli çek, është shumë herë më i butë se ai i propozuar nga socialistët.
Lidhur me këtë argument Kryeministri komentoi dhe dorëheqjen e Zamir Shtyllës, duke theksuar se dorëheqjet janë akte individuale.
“Unë nuk ndërhyj në qëndrimet e askujt. Dorëheqjet janë akte individuale, vetjake që gjykohen nga gjithsecili dhe vendime që merrem mbi bazën e logjikës së atij që do të përballet. Natyrisht, ligji shqiptar është një ligj që nuk bën persekutime. Ligji parashikon që ata që japin dorëheqjen, me dosjen e tyre nuk merret njeri. Kjo është normale. E gjykoj këtë pozitive. Kur të vijnë zgjedhjet, ata që kanë probleme nuk do të kandidojnë, vetvetishëm nuk besoj të kandidojnë, kështu që procesi kalon në mënyrë shumë të civilizuar”, u shpreh kryeministri.
“Qeveria dënon incidentet ndaj gazetarëve, Edi Rama i shfrytëzon për qëllime politike”
TIRANE - Kreu i qeverisë tha dje se qeveria që ai drejton, e ka kujdes të veçantë veprimtarinë e lirë të gazetarëve dhe ka kërkuar hetim të plotë për çdo ngjarje që është ushtruar dhunë apo janë dëmtuar gazetarët.
“Ne, si qeveri, e kemi kujdes madhor veprimtarinë e lirë të gazetarëve. Ju jeni dëshmitarë se për herë të parë në historinë e një vendi mori fund një fazë denigruese e turpshme gjyqësore, penale dhe civile kundër gazetarëve. Nuk ka asnjë proces. Ne reaguam dhe dënojmë çdo akt dhe kërkojmë hetim, por kur Edi Rama përpiqet që nga çdo gjë të nxjerrë përfitim politik, duke akuzuar qeverinë, ne këto nuk mund t’i pranojmë. Ne kemi një praktikë tërësisht të hapur ndaj medieve”, tha Berisha, duke iu referuar ngjarjes së disa ditëve më parë të shpërthimit të makinës së gazetarit Mero Baze.
“Një hetim është bërë, le të hetohet 100 herë, të nxirret e vërteta, por nuk mund të hedh hetimin poshtë. Kështu e hodhën poshtë edhe hetimin e Trebickës dhe dolën me këpucë të kuqe. Qeveria është në respekt të plotë të lirisë së shtypit. Ne e kemi faktuar këtë”, u shpreh kryeministri.