E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replikë e detyruar me zotin Fatmir Mediu

Nga Niko Nesturi, kryetar i Shoqatës AK “Bregdeti”

Në datën 16.01.2009, z. Fatmir Mediu, ka publikuar deklarimin ku thuhet se ai dhe Kryesia e Partisë Republikane janë njohur me 12 pikat për zgjidhjen e çështjes së pronës dhe se po punojnë seriozisht, madje do të paraqisnin një projektligj në parlament.

Në emër të Kryesisë së Shoqatës AK “Bregdeti” deklarojmë publikisht se 12 kërkesat e paraqitura nga shoqata kombëtare “Pronësi me Drejtësi”, me rastin e takimit të tyre me Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, dhe të publikuara në datat 12 dhe 13 janar nga shumica e gazetave, mbështeten plotësisht nga populli dhe shoqata jonë, pasi e zgjidhin drejt, plotësisht dhe përfundimisht problemin e pronës që ju, politikanët e pas vitit 1991, vazhdoni ta mbani të penguar prej 18 vjetësh. Kjo është një situatë që ju turpëron të gjithëve ju politikanëve të pas vitit 1991, me ndonjë përjashtim të rrallë që e ka kundërshtuar këtë platformë të shitjes, të grabitjes dhe të tjetërsimit të Shqipërisë. Po ju përgjigjem juve me këtë replikë për shkrimin tuaj, zoti Mediu, sepse nuk pasqyroni të vërtetën, sepse nuk e keni mbajtur premtimin tuaj para Kryesisë së shoqatës “Bregdeti” dhe popullit në të gjitha takimet në zonat e bregdetit. Është guxim i madh apo taktikë që pas sabotimit sistematik që në dukje e kryesoi deputeti Arian Madhi, tani ju përsëri merrni guximin të ftoni rreth vetes pronarët dhe të angazhoheni se do përpiqeni që atyre t’iu kthehet prona e trashëguar… Ju rikujtojmë se në zgjedhjet e kaluara ju kërkuat mbështetjen elektorale të shoqatës “Bregdeti” dhe ju na keni deklaruar se, “nëse Sali Berisha nuk pranon kthimin e pronës tek i zoti, Partia Republikane do të tërhiqet edhe nga koalicioni qeverisës me PD” dhe ne ju kemi mbështetur fshat më fshat. Partia Republikane fitoi, por ju u zhdukët nga skena, ndërsa deputeti Arian Madhi vazhdoi të mbajë ison për zbatimin e Katovicës. Moralisht dhe në emër të bregdetasve të mashtruar nga mos-mbajtja e premtimeve, ju them se edhe tani sikur të veproni me seriozitet për premtimet tuaja problemi zgjidhet. Ky problem duhet të zgjidhet me urgjencë akoma sa nuk janë ndezur motorët e fushatës elektorale. Edhe në popull, por edhe në Biblën e Shenjtë thuhet se “pema duket nga frytet e saj”. Ju politikanët na keni mashtruar e po na grabisni pronat tona të trashëguara për interesat tuaja personale. Prona për ju është shfrytëzuar vetëm për fushatat elektorale dhe, me t’u afruar fushata e re, jemi të sigurt se për të gjitha partitë kjo çështje do të dalë në plan të parë.

Zoti Fatmir, sugjerimet dhe 12 pikat e paraqitura nga zoti Rrapo Danushi nuk janë të reja për asnjë nga ju politikanët. Ato janë botuar prej shumë vitesh nga të gjitha gazetat që nuk e zbatojnë censurën e Katovicës. Veç botimit në gazeta, ato parime dhe kërkesa, ne, shoqata “Bregdeti”, ua kemi sjellë të shkruara në formë kërkesash dhe peticionesh shumë herë duke kërkuar që ligji për pronat të rishikohet nga e para, por koha nga ju është shtyrë pa realizuar asnjë veprim për kthimin e pronës tek i zoti. Edhe ligji i miratuar në vitin 2004 nën kujdesin e ambasadorit të OSBE, Osmo Lipponen, falimentoi.

Ndodhi ashtu siç ne patëm paralajmëruar në takimin e organizuar në zyrat e OSBE në korrik 2004 se, nëse prona e grabitur nga diktatura do të vazhdojë të quhet pronë e shtetit, situata e anarkisë së pronës do të përkeqësohet. Pas futjes së Partisë Republikane në koalicionin qeverisës, ju heshtët plotësisht dhe pa përfunduar kthimin e trojeve të lira dhe lirimin e pronave të zaptuara, shqetësimi për deputetin Arian Madhi, që është dhe jurist, dhe përfaqësues i PR në Komisionin e Ligjeve ishte që të fillojnë legalizimi i ndërtimeve pa leje. Ju rikujtojmë se zotit Madhi krahas shumë kërkesave dhe propozimeve i kemi dorëzuar edhe një kërkesë me 9000 firma të pronarëve të Bregdetit. Zoti Fatmir, ju e dini shumë mirë se kjo që po ndodh në Shqipëri me mosrespektimin e të drejtës së pronës private, ku akoma ka rezistencë për të kthyer edhe pronat e lira, dhe punohet për ta thelluar anarkinë e pronës, nuk mund të perceptohet nga bota demokratike dhe nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet e tjera ish-komuniste. Deri tani në zonën turistike Vlorë-Sarandë, shteti dhe pushteti, ligji dhe Maliqi, gjykata dhe prokuroria, fillojnë dhe mbarojnë brenda zyrës ose më saktë mendjes së kryetarit të Komisionit të Kthimit të Pronave. Çdo 6 muaj këta kryetarë janë larguar nga puna, “pa iu futur gjemb në këmbë”. Të gjitha institucionet që përfaqësojnë shtetin praktikisht e përcjellin problemin te njeri-tjetri, me një justifikim formal dhe pa anuluar asgjë nga paudhësitë dhe vendimet, me të cilat kryetarët e KKKP kanë bërë “biznes” me pronat tona. Nëse ju, zoti Mediu, e keni me seriozitet dhe përparësi zgjidhjen e drejtë të anarkisë së pronës, e keni shumë të lehtë të veproni në mënyrë të veçantë në zonën turistike, duke ndërhyrë pa hezitim në ligjin aktual, për shpalljen e pavlefshmërisë së aneksit nr. 1 të tij për zonat me përparësi zhvillimin e turizmit dhe zbatimin e 12 pikave në këtë zonë. Kthimin e pronës tek i zoti ne e kërkojmë pa mëdyshje, sepse prona është çështje e të drejtës dhe jo dëshirë e politikanit x apo y, se prona e trashëguar për çdo shqiptar përfaqëson atdheun që askush nuk mund të na e mohojë, qoftë edhe në këmbim të parave apo premtimeve të tjera për kompensim. Zona turistike Vlorë-Sarandë, që përfshihet në vendimin nr. 88, dt 1.3.93 të qeverisë, si zonë me përparësi zhvillimin turistik, në parim është truall. Në këtë zonë turistike qeveria mund të vazhdojë të administrojë, të disponojë dhe të legalizojë ndërtimet pa leje vetëm siç parashikohet në një prej 12 pikave, në ato toka të cilat shteti i kishte dhe i ka të regjistruara në kadastër si prona të shtetit para vitit 1945, por pronat e grabitura, duhet t’u kthehen pa hezitim të zotëve sipas kadastrës së vitit 1944 , pasi juridikisht nuk janë prona të shtetit.

Përpara se të shkojmë në kutit e votimit, ne, shoqata dhe populli i Bregdetit Vlorë-Sarandë, presim pikërisht kthimin e pronës tek i zoti dhe personat e tretë, që kanë marrë pronat tona të trashëguara, qeveria sipas rastit le t’i kompensojë. Është përsëritje e tepërt se pa zgjidhjen e problemit të pronës veçanërisht në këtë zonë, ekonomia shqiptare, rendi, qetësia, investimet e huaja janë të sabotuara, po ashtu ftesat për në NATO dhe BE janë të sabotuara nga ju politikanët e pas vitit 1991, pasi dihet se këto struktura përfshijnë shtete, ku respektimi i pronës private as që vihet në diskutim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›