Buxheti i Bashkisë mban peng rikonstruksionin e shkollave, fondet lëvrohen dy vjet me vonesë
Bashkia e kryeqytetit ka lënë në gjendje pothuajse të mjeruar qindra ambiente të shkollave apo rrugëve në kryeqytet, të cilat kanë nisur për tu rikonstruktuar prej disa muajsh e ende nuk kanë përfunduar. Edhe pse nga vetë kreu i Bashkisë Rama është deklaruar shpesh
se në disa shkolla të Tiranës gjendja do të përmirësohet ndjeshëm e se në këto institucione shkollore së shpejti do të futet edhe sistemi i ngrohjes, shumica prej klasave në shkollat e periferisë janë në gjendje tejet skandaloze pa dyer e pa dritare e në shkollat ku është premtuar prej dy vjetësh ngrohja vazhdojnë ende punimet. Por nga vëzhgimet e kryera nga gazeta SOT në disa prej shkollave që janë në rikonstruksion të vetmit që e vuajnë situatën e krijuar nga dherat e nga rrëmuja janë nxënësit të cilëve ju duhet që në mes të vitit shkollor e në prag të provimeve të lirimit të lëvizin në një tjetër shkollë. Në lidhje me këtë Drejtori i një prej Drejtorive të punëtorëve të qytetit ka rrëfyer për gazetën të gjitha problemet dhe ngërçet që ka shkaktuar mosmiratimi i buxhetit të Bashkisë. Sipas specialistit Bashkia edhe pse në parim e ka miratuar buxhetin e vitit 2009 ende mbetet problem lëvrimi i fondeve pasi procedura është tejet e gjatë dhe do të duhen të paktën deri në 8 ose 10 muaj për çeljen e parave përsa i përket rikonstruksionit të shkollave rrugëve apo elementëve të tjerë që kanë të bëjnë me procesin e mirëmbajtjes. Specialisti sqaron gjithashtu se mësuesit, nxënësit por edhe prindërit e tyre kanë të drejtë të ankohen për angaritë e krijuara në mes të vitit shkollor sepse vonesa e fondeve nga buxheti i Bashkisë është një ngërç i madh që krijon edhe problemet e vonesës së mbarimit të punimeve. Specialisti thekson gjithashtu faktin se mbivendosja e fondeve përgjatë çdo viti është shqetësim i madh.
Pagesat
Sipas specialistit punimet që po kryhen në këtë kohë në shkollat e kryeqytetit po bëhen me paratë e fondit të buxhetit të 2008-ës. Shkaku sipas tij është ngërçi i krijuar prej më shumë se dy vitesh i buxheteve të dy viteve të fundit i cili ka vonuar edhe çeljen e fondeve. Sipas specialistit kohët e fundit ka pasur edhe probleme me pagesën e punëtorëve të mirëmbajtjes por jo vetëm kaq. Specialisti thekson gjithashtu edhe faktin se në çdo rast që nga drejtoritë e mirëmbajtjes bëhet një raportim e kërkohet fondi përkatës dalin probleme që kanë të bëjnë me mosmiratimin e buxheteve. Sipas të dhënave fondet përgjatë çdo viti për rikonstruksionin e shkollave në kryeqytet jepen deri në vleftën e 100 milion lekëve të vjetra, duke përmbledhur këtu punimet, rivendosjen e dyerve dhe dritareve të reja, lyerjen e shkollave por edhe vendosjen e sistemeve të ngrohjes për herë të parë, në disa shkolla të mesme të Tiranës. Sipas specialistit të gjitha punimet apo rikonstruksionet në shkolla e në rrigët e Tiranës mbahen peng në njëfarë mënyre nga Bashkia e Tiranës dhe nga mos miratimi i Buxheteve përkatëse i cili ka krijuar një ngërç të madh me vonesat e çeljes së fondeve sipas zërave përkatës.
Buxheti
Programi Buxhetor Afatmesëm i cili është prezantuar për herë të parë vitin e kaluar është një dokument, i cili do të miratohet në parim çdo vit, nga Këshilli Bashkiak. Ky material siguron një analizë të hollësishme të shpenzimeve publike dhe përcakton parametrat dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e vazhdueshëm të buxhetit vjetor. Gjithashtu PBA siguron mekanizmat e nevojshme, përmes të cilave, objektivat prioritare, të identifikuara në Programin e Bashkisë së Tiranës, të integrohen sa më mirë në procesin buxhetor. PBA-ja prezantohet pranë Këshillit Bashkiak së bashku me buxhetin vjetor, me qëllim njohjen e tij me politikat tre vjeçare të financimit të Bashkisë së Tiranës dhe krijimin e një vizioni të qartë për të vlerësuar objektivisht propozimet e Kryetarit të Bashkisë, për periudhën afatmesme. Njëkohësisht me dokumentin e PBA-së, Këshillit Bashkiak do ti prezantohet edhe Buxheti i vitit 2009, i cili përbën vitin e parë të PBA-së.
Hartimi i Programit Buxhetor Afatmesëm, me miratimin e Ligjit të ri Organik të Buxhetit (Ligji nr. 9936, datë 26.06.2008, Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë), përbën tashmë një detyrim ligjor për institucionet buxhetore dhe ato të qeverisjes vendore. Ky dokument, i pari i këtij lloji i përgatitur nga Bashkia e Tiranës, do të mbështetet në Programin e mandatit të tretë (2007-2011) të Kryetarit të Bashkisë, program i cili do të jetë baza për përcaktimin e sektorëve prioritare të zhvillimit dhe identifikimin e prioriteteve të shpërndarjes se burimeve për periudhën 2009-1011.
Arta AGOLLI