E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Kuvendit, miratohet fondi për prishjen e Piramidës

SHKRUAN: Fejzi Braushi 18-10-2011 13:58

Prishja e Piramidës dhe krijimi në të i sheshit të ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar është çështje kohe. Çdo gjë duket se varet nga vullneti që ka qeveria për të miratuar projektbuxhetin e vitit 2012, ku një fond i veçantë por i konsiderueshëm është parashikuar edhe për zbatimin e projektit teknik, si dhe për nisjen në terren të punës për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Byroja e Kuvendit që ka zhvilluar punimet e saj dje pasdite, ka marrë në dorëzim projektbuxhetin dhe ka dëgjuar prezantimin e bërë nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu, lidhur me parashikimet që ka ky institucion sa i përket nevojave financiare të vitit të ardhshëm. Burime pranë kësaj mbledhjeje thanë se në prezantim të projektbuxhetit është bërë e ditur se, në të parashikohet një fond i veçantë për vijimin e zbatimit të projektit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, ndërkohë që shifra konkrete gjendet në materialin e shkuar. Kështu që, në rast se ekzekutivi do t’i thotë ‘po’ këtij draft-buxheti të Kuvendit, atëherë me shumë gjasa viti i ri mund të sjellë dhe nisjen e zbatimit të projektit të parlamentit të ri dhe kjo me fondet shtetërore deri sa të sigurohet një financim i huaj për ndërtimit e godinës. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së djeshme të Byrosë është hedhur poshtë kërkesa e një grupi deputetësh socialistë për të penalizuar kryeministrin Sali Berisha me përjashtim nga punimet në seancat plenare, si penalizim për fjalorin e përdorur në seancën e fundit ndaj deputetit Sajmir Tahiri. Të pranishëm në këtë mbledhje dy deputetët socialistë, Namik Dokle dhe Erion Braçe, mësohet se kanë mbrojtur argumentet e sjella edhe nëpërmjet kërkesës zyrtare të kolegëve të tyre, duke theksuar se Kryeministri duhet të dënohet për shkak se ka kërcënuar dhe ofenduar rëndë deputetin Tahiri, çka sipas tyre parashikohet nga Rregullorja e Kuvendit dhe e cila duhet të zbatohet njësoj për të gjithë. Por me shumicë votash përfaqësuesit e mazhorancës e kanë hedhur poshtë një propozim të tillë, duke theksuar se Kryeministri u gjend i provokuar nga Tahiri. “Me dëshirën për një frymë bashkëpunimi për 12 prioritetet e BE-së, kryetarja e Kuvendit nuk përjashtoi nga punët e Kuvendit deputetin e PS-së, Saimir Tahiri, i cili në mënyrë të përsëritur, larg etikës parlamentare, në seancën e kaluar ka shkelur nenin 64, 65 të Rregullores, duke tentuar të provokojë seancën plenare”, - thuhet në njoftimin e Kuvendit, a thua se ajo ishte mbledhur për të dënuar Tahirin.

“Byroja i kërkoi kryetares së Parlamentit që të jetë e vëmendshme dhe rigoroze në zbatimin e Rregullores, sidomos në rastet e provokimeve nga deputetë përsëritës, sikurse është rasti i z. Tahiri, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtat arsye.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se "ajo gjithnjë ka qenë dhe do të jetë e kursyer ndaj deputetëve në masat e rregullores për ndëshkim, sidomos në këtë periudhë, kur deputetët duhet të diskutojnë me sens të lartë përgjegjësie dhe të etikës së komunikimit, veçanërisht në sallën e Parlamentit”, - thuhet më tej në këtë njoftim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›