Buxheti i Tiranës, sot votimi në Këshillin Bashkiak

Buxheti i kryeqytetit për vitin e ardhshëm do të kalojë sot provën në këshillin bashkiak. Kryebashkiaku Lulzim Basha përfundoi dje konsultimet me banorët e 11 njësive të Tiranës, të cilët i njohu me prioritetet dhe investimet kryesore, ndërsa dëgjoi dhe sugjerimet e tyre për ndërhyrjet në infrastrukturë. Kreu i bashkisë, prezantoi më 17 dhjetor shtyllat kryesore të draftit i cili sipas tij është përmirësimi i projektit financiar në interes të kryeqytetasve.
Në mbledhjen që organizohet në orët e pasdites, buxheti i parë që pas rotacionit të zgjedhjeve të 8 majit, do të përballet me argumentet e 27 këshilltarët e majtë, ndërsa pritet të marrë të gjitha votat e 28 këshilltarëve të Aleancës për Qytetarin.
Buxheti ka qenë gjithnjë një pikë e nxehtë e debatit në këshillin bashkiak të mëparshëm, ku për shkak të përplasjeve LSI-PS, drafti i kryebashkiakut të larguar Rama, nuk mundi të votohej.
Buxheti i bashkisë së Tiranës për vitin 2012-të është parashikuar të jetë rreth 7 miliardë lekë i cili do të shkojë për mjedisin, rikualifikimet urbane, rrugët, transportin publik dhe për arsimin parauniversitar dhe edukimin.