E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i kryeqytetit, replika mes PS-PSD e LSI

Një ditë pas rrëzimit të buxhetit të kryeqytetit në Këshillin Bashkiak, këshilltarët e së majtës kanë justifikuar qëndrimet përkatëse. Socialistët, përmes zëdhënëses së kryesisë, Mimi Kodheli, akuzuan LSI-në e Ilir Metës se ka bashkuar votat me Partinë Demokratike për interesa të ngushta politike, kundër interesave të kryeqytetit. "Mbrëmë qe një natë e trishtuar për Tiranën. Partia Demokratike dhe grupimi i Ilir Metës rrëzuan së bashku buxhetin e Tiranës për këtë vit, pasi e morën atë zvarr qysh nga fundviti i shkuar", konstatoi Kodheli. Teksa sqaroi votën e LSI-së, Monika Kryemadhi, i kërkoi kryetarit të bashkisë të reflektojë ndaj qëndrimeve dhe propozimeve të bëra me qëllim që buxheti i Bashkisë së Tiranës të jetë buxheti i qytetarëve, gjithëpërfshirës dhe transparent. "Vota jonë nuk është thjesht politike, është një votë në shërbim të qytetarëve, në shërbim të interesave të qytetarëve, të njerëzve që ne përfaqësojmë dhe të njerëzve që na kanë votuar", tha Sokol Dervishaj. Deputetja e PSD-së, Diana Çuli, konstatoi se bllokimi i buxhetit të bashkisë së kryeqytetit, që cenon drejtpërdrejt interesat e mijëra qytetarëve të Tiranës, ku dha kontributin e vet Lëvizja Socialiste për Integrim, është pjesë e një loje shumë të qartë politike të kësaj partie.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›