E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Basha: Hap para

Qeveria shqiptare do të dorëzojë sot në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian, raportin e zbatimit të detyrimeve në lidhje me liberalizimin e vizave. Ky veprim përbën një akt formal në lidhje me hapat e integrimit, por që qeveria e vlerëson si pozitiv, ndërsa opozita thotë të kundërtën. Në një përballje që u bë dje në seksionin shqip të BBC-së, shefi i diplomacisë, Lulzim Basha, dhe sekretarja për Marrëdhënie Ndërkombëtare në PS, Arta Dade, thanë versione të ndryshme për situatën. Raporti që dorëzohet sot paraqet progresin në marrëdhëniet me BE-në për të mundësuar heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Zyrtarë të lartë thonë se Shqipëria ka plotësuar kushtet e vendosura nga BE, por opozita shprehet kritike dhe skeptike nëse ky proces do të ndodhë së shpejti. Raporti është hapi i dytë që qeveria shqiptare hedh në kuadrin e përmbushjes se detyrimeve që rrjedhin nga bashkëpunimi me BE-në për heqjen e vizave. Në muajin shtator të vitit të kaluar, Shqipëria së bashku me disa vende të tjera të Evropës Juglindore paraqitën raportet e tyre. Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulëzim Basha, tha për BBC-në se raporti që do të dorëzohet paraqet në mënyrë përgjithësuese tablonë më të plotë mbi të gjitha çështjet që Brukseli po merr në shqyrtim dhe do t‘ia paraqes Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili më tej pritet të përcaktojë rrjedhën e procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Sipas Bashës, Shqipëria i ka plotësuar kushtet e vëna nga BE, ndërsa shprehu besimin e plotë se "ky vit do të jetë vendimtar për këtë hap historik". Por për opozitën në Tiranë, qeveria shqiptare nuk i ka plotësuar kushtet. Arta Dade, ish-ministre e Jashtme e qeverive socialiste radhiti çështjen e kartave të identitetit, menaxhimit të kufijve, moszbatimit siç duhet të marrëveshjes së ripranimit dhe luftës kundër krimit.

Lehtësimi dhe më pas heqja e vizave për qytetarët shqiptarë që duan të lëvizin në hapësirën e vendeve evropiane, ka qenë një nga premtimet e qeverisë së djathtë të Kryeministrit Berisha gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, por tashmë kur mandati i kësaj mazhorance po mbaron, ish-ministrja e Jashtme socialiste, Arta Dade, pyet "nëse ka qeveria një datë konkrete".

Shefi i diplomacisë shqiptare, Basha, ndonëse nuk jep datë, shpreson në një vendim të shpejtë nga Bashkimi Evropian. Ai i bëri thirrje opozitës që "përtej retorikës elektorale të njohë progresin e vendit", ndërsa tha se "procesi ka ecur me një shpejtësi të papërfytyruar para dy-tre vjetësh nga shqiptarët".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›