Shembet suvaja, plagoset rëndë ish-oficeri i policisë
Një 27-vjeçar nga Korça është plagosur rëndë, teksa suvaja e tarracës së një pallati është shembur papritur dhe ka rënë mbi kokën e të riut. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen vonë të së premtes, kur Erjon Mërkuri ka qenë pranë bulevardit kryesor të qytetit duke pritur disa shokë të tij kur nga tarraca e pallatit është shembur një pjesë e suvasë prej betoni. 27-vjeçari, ish-oficer policie ka marrë plagë të rënda në kokë dhe është transportuar menjëherë drejt spitalit civil të qytetit ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertë të policisë që kanë përcaktuar ngjarjen si aksidentale. Zona është rrethuar nga policia për të ndërprerë lëvizjen e kalimtarëve të shumtë në trotuarin ku ka ndodhur ky aksident i rëndë. Ngjarja ka ndodhur në orën 21:15 dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar të tjerë edhe pse në ato momente ka pasur shumë lëvizje për shkak të lëvizjeve në qytet. I plagosuri sipas policisë ka qenë duke pritur në trotuar në afërsi të një shtylle elektrike kur një pjesë e betonit e ka kapur në pjesën e kokës duke i shkaktuar një plagë të rëndë që mund t’i rrezikojë jetën.
#