Buxheti i planifikuar për rrugët, i pamjaftueshëm
Për sektorin rrugor është planifikuar të jepen për vitin 2010 rreth 37 miliardë lekë, që sipas Financave janë të mjaftueshme për ndërtimin, rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e tyre. Por nuk është i këtij mendimi nëndrejtori i përgjithshëm i rrugëve, Skënder Çota, i cili sugjeron për më shumë fonde. Në total, Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve i janë dhënë rreth 51 miliardë lekë, ose 27 miliardë lekë më pak nga sa mori për 2009-ën. Mbarimi i rrugës Rrëshen-Kalimash reduktoi fondin për investime me gati 50 për qind, duke i akorduar para vetëm për akset e mbetura të Durrës-Kukës dhe projektet e Jugut bashkë me Arbrin. "Propozimi ynë mbetet te rritja e fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve, të paktën me 500 milionë lekë", tha për "Shqip", Çota. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit raportoi dje në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat rreth parametrave të buxhetit, duke ngritur në një farë mënyre pretendimet për më shumë fonde, kryesisht për mirëmbajtje rrugësh dhe shtesa për ujësjellës-kanalizime. Deri tani, Ministria e Financave nuk e ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Transporteve. Ministria e Punëve Publike ka në ngarkim një sërë objektesh të mëdha rrugore, si pjesa e mbetur e Durrës-Kukës, Rruga e Arbrit, disa mbikalime të rëndësishme, si dhe një listë të gjatë me asfaltime dhe rikonstruksione. Sa i takon buxhetit në tërësi, specialistët e ministrisë nuk kanë pretendime, por vetëm sugjerime nëse do të ishte mendësia të jepeshin më shumë para nga sa ka miratuar qeveria. "Aktualisht, fondi për mirëmbajtjen e rrugëve është 1.4 miliardë lekë, kurse ne propozojmë të jetë rreth 1.9 miliardë, pasi përmbush plotësisht objektivat tona", tha nëndrejtori i Rrugëve. Në totalin e investimeve për rrugët, janë parashikuar që rreth 8.5 miliardë lekë të sigurohen nga donatorët, ku rreth 6 miliardë janë kredi me interesa, kurse pjesa tjetër grante. Në buxhetin 2009, MPPT-ja mori rreth 68 miliardë lekë, kurse për vitin që vjen do të ketë në dispozicion rreth 30 miliardë më pak. Duke i ndarë me zëra të veçantë, 4.1 miliardë lekë me financim të brendshëm do të shkojnë për sistemimin, asfaltimin dhe riveshjen e rrjetit të rrugëve nacionale. Një shumë prej rreth 287 milionë lekësh është parashikuar për supervizionin e punimeve të ndërtimit dhe sistemimit të rrugëve nacionale. Janë parashikuar gjithashtu 336 milionë lekë për studime, projektime, 1.78 miliardë lekë për kontributin e qeverisë shqiptare në projektet me financim të huaj, si dhe 1 miliard lekë për shpronësime.