E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten enigmë, KQZ nuk tregon emrat e financuesve të partive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka bërë publikimin e emrave të financuesve të partive politike. Raporti i nxjerrë në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni nuk e përmban listën e financuesve, duke e lënë të mjegullt këtë element të rëndësishëm. Gazeta "Shqip" iu drejtua përmes një letre zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më datë 3.11.2009 dhe kërkonte raportet e shpenzimeve të fushatës për të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i këtij institucioni, Arben Ristani, përmes një shkrese të datës 5.11.2009 thotë se "në përgjigje të shkresës tuaj, të datës 03.11.2009, dëshirojmë t‘ju sqarojmë se, në bazë të nenit 91 të Kodit Zgjedhor, KQZ mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit dhe jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose përfundimit të verifikimit, do të bëjë publikimin e raporteve të auditimit të subjekteve zgjedhore". Në këto kushte, vijon Ristani, KQZ do t‘ju vërë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar, menjëherë pasi të ketë përfunduar verifikimi si dhe afati ligjor i përcaktuar në dispozitën e sipërcituar. Në shkresë zoti Ristani nuk sqaron se kur përfundon verifikimi dhe kur fillon numërimi i afatit ligjor prej 30 ditësh që cakton Kodi. Deri dje, kur data shënonte 24.11.2009, asnjë përgjigje zyrtare ndaj kërkesës nuk kishte mbërritur në redaksinë e gazetës "Shqip". Informacioni i publikuar dje në internet nga KQZ nuk përmban të dhënat për emrat e financuesve, por vetëm shifra në total mbi partitë dhe shpenzimet e tyre. Në përmbledhjen e publikuar thuhet se lista e personave që dhurojnë mbi 100 mijë lekë duhet të bëhet kurdoherë publike. Shtatë subjekte politike kanë përfituar donacione në shuma mbi 100 mijë lekë. Këto subjekte janë: Partia Demokratike, Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia G99, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia e të Drejtave të Mohuara e Re dhe Partia Rruga e Lirisë. 13 parti politike nuk kanë çelur llogari bankare të posaçme: Partia Aleanca Demokratike, Partia e të Drejtave të Mohuara e Re, Partia Toleranca e Re, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar, Partia Demokracia e Re Europiane, Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Partia e Gjelbër, Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Forca Albania, Partia Republikane, Partia Socialdemokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Demokristiane, Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, Partia Balli Kombëtar, Partia Lidhja Demokristiane, Partia për Drejtësi dhe Integrim, Partia e Reformave Demokratike Shqiptare, Partia Ora e Shqipërisë, Partia Ligj dhe Drejtësi dhe Partia Konservatore.

D.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›