Festa e 8 dhjetorit, Berisha shpërndan deputetët në rrethe
Partia Demokratike shpërndan deputetët e saj në rrethe për zbatimin e axhendës politike të dy javëve të para të muajit dhjetor. Paralelisht me mbledhjen e grupit socialist në kupolën rozë, kampi demokrat ka marrë vendimin për të shpërndarë deputetët në rrethe, për t‘u paraprirë zgjedhjeve në strukturat e nëndegëve, por edhe për të siguruar mbështetjen maksimale në tubimin madhështor që Partia Demokratike do të organizojë më 8 dhjetor. Kryeministri Berisha ka mbledhur dje në selinë e partisë jo vetëm Kryesinë e demokratëve, por edhe të gjithë deputetët e grupit të tij parlamentar, për të marrë këtë vendim politik. Pas përfundimit të saj, Kryeministri u shpreh se "aleancës puniste mafioze do t‘ia shkulim dhëmbët një nga një dhe pastaj do të fillojmë edhe me dhëmballët". Në këtë ligjëratë, Kryeministri iu referua përplasjes mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë për truallin në qendër të kryeqytetit. "Aleancës puniste mafioze ia pret mendja se do të delegjitimojë shtetin, por nuk do t‘ia arrijë dot", tha Berisha, duke shtuar se tubimi i 8 dhjetorit është një festë madhështore, duke mos preferuar ta cilësojë si një antimiting ndaj opozitës. "Aleanca punisto-mafioze, të cilën e rren mendja se do të mund të dhunojë rendin demokratik, legjitimitetin e institucioneve kushtetuese të vendit dhe të merret me mbledhje dhe ultimatume sa të dojë", theksoi Berisha. Të mandatuar në 12 qarqe për zgjedhjet brenda Partisë Demokratike më 12 dhjetor janë kryesuesit e listës së demokratëve në të gjitha qarqet e vendit. Për Tiranën, do të jetë Aldo Bumçi, për Durrësin Ferdinand Xhaferraj, për Fierin, Sokol Olldashi, për Beratin Genc Pollo etj. Emrat e parë për çdo qark në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së do të jenë personat që do të mbikëqyrin procesin zgjedhor brenda Partisë Demokratike në rrethe. Njëherësh, këta persona do të ngarkohen edhe me detyrën për të sjellë në Tiranë të gjithë mbështetësit e tyre, për të përmbushur atë çka Kryeministri Berisha i parapriu në grupin e PD-së, që më 8 dhjetor do të jetë në festë e gjithë Shqipëria. Për qytetet e vogla do të jenë emrat pasues të kësaj liste, si për shembull në rastin e Sarandës do të jetë Leonard Demi. Kriza politike në Shqipëri dhe mungesa e debatit parlamentar do të zbresë në muajin dhjetor në rrugët e Tiranës. Partia Demokratike ka vendosur kështu të "sfidojë" protestat e socialistëve, duke organizuar për 8 dhjetorin një tubim madhështor në kryeqytet. Në kohën që partia më e madhe opozitare në Shqipëri përshkallëzon protestat me qëllim hapjen e kutive të votimit, Partia Demokratike shfrytëzon 8 dhjetorin, ditën kur 19 vjet më parë studentët hodhën poshtë regjimin komunist në Shqipëri, për të organizuar një tubim madhështor në Tiranë. Deklarata e Kryeministrit ka si qëllim në vetvete sfidën për të mbushur sheshin dhe bulevardin kryesor të Tiranës, me më shumë mbështetës sesa Partia Socialiste në protestën e saj të 20 nëntorit. Debatin e munguar në Parlament dhe në institucionet kyçe të vendit, duket se dy forcat më të mëdha politike kanë vendosur ta bëjnë në shesh. Kjo, për koincidencë lidhet edhe me vet faktin se shqiptarët në këto 19 vjet pluralizëm gjithmonë kanë qenë pjesë e tubimeve politike. Kryeministri Berisha, në këto 19 vjet, asnjëherë nuk është ndodhur përballë vështirësisë së mbledhjes së turmave dhe organizimit të mitingjeve, por duket se protesta e 20 nëntorit e Partisë Socialiste, ka prekur seriozisht sedrën e Kryeministrit.