E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Struktura partiake paralele me komisionet parlamentare

Partia Socialiste do të tentojë të krijojë struktura paralele me komisionet parlamentare në mënyrë që deputetët të njihen dhe të diskutojnë rreth të gjitha nismave dhe projektligjeve që kalojnë në Kuvend. Vendimi është marrë dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, i cili do të rimblidhet sërish në datën 3 dhjetor për të vendosur datën e saktë të protestës së Partisë Socialiste. Për dy orë e gjysmë deputetët socialistë diskutuan strategjinë e mëtejshme të opozitës për t‘u rimbledhur sërish në datën 3 dhjetor, kur do të vendoset data e saktë e protestës së radhës. Por njëzëri deputetët kanë rënë dakord se nëse Kryeministri Berisha i përgjigjet negativisht ultimatumit për të hapur kutitë, atëherë do të përshkallëzohet qëndrimi dhe do të vijohet me protesta. Në mbledhje mungonin deputetë të Lëvizjes së Mendimit Ndryshe, përveç deputetit Arben Malaj, i cili ishte i pranishëm. Edhe deputeti Ben Blushi ka qenë i pranishëm pranë ambienteve ku zhvillohej mbledhja, po nuk është futur në sallë. Sakaq, pjesë e diskutimeve dhe shqetësimeve të deputetëve është bërë edhe mandati i tyre duke i kërkuar kryesocialistit Edi Rama që të mos lejojë që Kryetarja e Kuvendit të tallet me mandatet. Mësohet se Rama i ka garantuar deputetët se nuk do lejohet një gjë e tillë. Duket se po merr jetë ideja më e hershme e krijimit të komisioneve parlamentare brenda Partisë Socialiste. Për shkak të bojkotit, duke mos marrë pjesë në komisionet parlamentare, deputetët nuk kanë mundur të njihen me projektligjet dhe vendimet që merren për ta. Madje, deputetët kanë pranuar se e vetmja mënyrë që u ka mbetur për t‘u njohur me ta është që t‘i marrin përmes ndonjë të njohuri te Kuvendi. Në kuadër të këtij organizimi është folur edhe për drejtimin e grupit, për zgjedhjen e kryetarit dhe sekretarit të tij, por pa përcaktuar ndonjë afat konkret. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kreu socialist theksoi vendosmërinë e kësaj partie e grupit të saj për të vijuar me protestat popullore. "Grupi u mblodh dhe diskutoi në një kohezion të plotë e me një vendosmëri më të madhe se asnjëherë, për të vazhduar të udhëheqë lëvizjen e re popullore, e cila do të shkojë duke u zgjeruar duke përfshirë gjithë Shqipërinë me protesta të pandalshme, në qoftë se Sali Berisha nuk do ta shfrytëzojë kohën që i kemi dhënë, për të reflektuar në funksion të forcës së arsyes e jo të arsyes së forcës", tha ai. Kryetari i PS-së bëri me dije se do të ketë një vendim pas festave kombëtare dhe fetare duke uruar nga ana tjetër që Berisha, i cili mban peng pushtetin e popullit pa i dhënë popullit të drejtën që të shohë votat nga ka dalë Parlamenti dhe qeveria, do të thërrasë arsyen në ndihmë e nuk do të ndihmojë në precipitimin e ngjarjeve dhe në rëndimin e rrethanave. "Ne jemi të vendosur. Ne nuk kthehemi nga rruga jonë. Unë i qëndroj me forcë në emër të atyre 100 mijë qytetarëve që erdhën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit‘, po dhe atyre miliona të tjerëve që na ndjekin, bindjes se nëse Sali Berisha nuk hap kutitë duhet të ikë së bashku me kutitë", vijoi Rama. Sakaq, Rama nisi përpjekjet për të bashkuar në protestën e opozitës përfaqësuesit e sindikatave. Ai mori pjesë dje në konferencën e katërt duke u bërë thirrje që të mbrojnë pronat e tyre. "Unë ju ftoj që ju të mos ua lëshoni Sali Berishës ato prona dhe ju siguroj që ka vetëm një rrugë për t‘i ruajtur, për çdo shqiptar, liritë dhe të drejtat pronat e shpresat e veta: të dalë në rrugën e protestës së pandalshme, deri në largimin e Sali Berishës", deklaroi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›