E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i ri, shkurtohen 240 milionë USD investime



nertila maho

Qeveria do të shkurtojë me të paktën 24,515 miliardë lekë shpenzimet për 14 ministri. Sipas Ministrisë së Financave, të dhënat e të cilës i janë shpërndarë të gjitha dikastereve, për vitin 2010, buxheti do të shkurtohet me të paktën 240 milionë dollarë. Në tabelat e Financave, parashikohet që Qeveria këtë vit të investojë të paktën 17,486 miliardë lekë më pak(rreth 170 milionë USD), dhe të shpërndajë paga dhe shërbime të tjera të domosdoshme për administratën rreth 70 milionë dollarë më pak se sa parashikimi. Ndryshe nga parashikimi fillestar i financave për shkurtim të rreth 50 milionë dollarëve në shpenzime korente, shifrat e reja tregojnë se kjo shifër tashmë ka shkuar në 7,027 miliardë lekë, ose rreth 70 milionë USD. Duket se rreth 20 milionë dollarë, i janë lënë sërish investimeve, ose shpenzimeve kapitale.
Investimet
Shumën më të madhe të shkurtimeve, Qeveria do ta bëjë nga Ministri i Transporteve. Në total, fondi për shpenzimet kapitale i kësaj ministrie ulet me rreth 89 milionë dollarë. Pra për këtë vit do të kemi rreth 89 milionë dollarë më pak rrugë dhe ujësjellës, menaxhimi i ndërtimit të të cilave bëhet nga ministria e Olldashit. E dyta në listë për shkurtimet vjen ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Arsimit. Përkatësisht këtë vit do të ketë rreth 22.5 milionë USD më pak shkolla dhe rreth 22.1 milionë USD më pak investime në ushtri. Fondet e ministrisë së Arsimit ulen ndjeshëm, pasi nga 85 milionë USD investime të parashikuara tani do të kryen vetëm 62 milionë. Tjetër sektor jetik që preket nga ndryshimi i buxhetit është shëndetësia. Sipas shifrave të financave, këtë vit do të ndërtohen rreth 15 milionë USD më pak spitale dhe qendra shëndetësore se sa ishte parashikuar në fillim të vitit. çuditërisht, edhe fondi i ministrisë së Bujqësisë, është ulur me rreth 30 për qind, edhe pse përmbytjet e fundit treguan qartë se duhen rritur investimet në kanalet kullues, apo argjinaturat e lumenjve. Këtë vit financat kanë shkurtuar me rreth 8.5 milionë USD investimet në bujqësi. Qeveria, ka parashikuar të ulë ndjeshëm edhe fondin e shpenzimeve korente. Të gjitha ministritë, do të duhet të shpenzojnë më pak për kryerjen e punëve të përditshme nga administrata. Sipas financave, nuk është prekur fondi i pagave, por i shërbimeve të tjera ndihmëse për administratën. Sidoqoftë, Ministria e Ekonomisë, ajo e Jashtme, e Integrimit dhe e Kulturës, nuk kanë ndryshim në fondin e shpenzimeve korente.
Kriza
Dy muaj më parë, në fillim të këtij viti, financat e pranuan që efekti i krizës po ndihet qartë edhe në Shqipëri. Ministri i Financave, në daljet e tij publike pranoi se buxheti i këtij viti do të rishikohet me rreth 250 milionë USD. Vetë ministria i shpërndahu një shkresë të brendshme të gjitha ministrive të linjës, për pezullimin, deri në një periudhë të dytë të të gjitha investimeve. Nga ana tjetër, të dhënat informate, pasi deri tani ministria e Financave nuk ka dhënë shifra zyrtare për të ardhurat e tatimeve dhe doganave, tregojnë se organet fiskale, në rastin më të mirë kanë mbledhur po aq para sa në janar dhe shkurt të vitit të kaluar, pra me rritje zero. Në këto kushte, ndryshimi në ulje i buxhetit, bëhet i domosdoshëm. Financat, vetëm nga paratë që i duhen pushtetit që administrohet nga Qeveria, kanë parashikuar një shkurtim prej 240 milionë USD.

PS: Qeveria ka humbur gërshërët e inaugurimeve

Partia Socialiste akuzoi dje Qeverinë se me papërgjegjshmërinë e saj ka çuar vendin në krizë ekonomike. Në një konferencë për shtyp, nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati tha se "papërgjegjësia e qeverisëse është shkaktare e krizës së financave publike; financa që nuk kanë para as të shlyejnë borxhet ndaj kompanive shqiptare që kanë kryer punime, e jo më të investojnë a të nisin punë të reja. Rrugët e nisura me shumë fanfarë para fushatës zgjedhore, janë braktisur pa u përfunduar, pasi puna për zbatimin e tyre ka ndaluar tashmë prej muajsh". Sipas tij "shpenzimet, ashtu si dhe korrupsioni elektoral i shfrenuar kanë shkaktuar krizën ekonomike, stresin financiar, zhvlerësimin e lekut dhe rënien e nivelit të jetesës për çdo familje shqiptare. Kriza ekonomike bëhet më e rënde kur kupton se Qeveria Berisha nuk mund të nisë investime të reja pa shlyer ato të vjetrat, investim të cilat sot janë lënë në baltë. Vlera e punimeve të papërfunduara ashtu si dhe ato të papaguara, vë në dyshim real seriozitetin financiar dhe menaxhues të një qeverie që i nis punët pa menduar se si do t'i shpjerë deri në fund ato".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›