E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do fitojmë 20 bashki dhe 100 komuna



Lëvizja Socialiste për Integrim synon që të fitojë në zgjedhjet e ardhshme lokale 20 bashki dhe 100 komuna. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë takimit në qytetin e Lezhës me anëtarë dhe simpatizantë të partisë së tij shpalli objektivin për votimet vendore të pritshme në vitin 2013. Sipas Metës, këto janë objektivat paraprake të LSI-së për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ai deklaroi se zgjedhjet e ardhshme tashmë po trokasin dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të përcaktojë dhe objektivat e saj për një fitore sa më të madhe në garën elektorale. Në këtë linjë, Meta theksoi se LSI-ja do të përpiqet që të marrë një rezultat sa më të madh në shkallë vendi. "Disa nga objektivat tona paraprake për zgjedhjet e ardhshme vendore, që tashmë po trokasin, kanë të bëjnë me fitoren e 100 kryetarëve të komunave në të gjithë vendin, të 20 kryetarëve të bashkive, të tre kryetarëve të qarqeve dhe të paktën të 1500 këshilltarëve në të gjitha nivelet, komuna, bashki dhe qarqe. Kuptohet që numri më i madh i tyre të ishin kryetare dhe këshilltare, por kjo do të varet nga angazhimi i femrave dhe grave gjatë kësaj periudhe në Lëvizjen Socialiste për Integrim", deklaroi Meta. Dy ditë më parë, kreu i kësaj partie së bashku me nënkryetarin Dritan Prifti zhvilloi një takim në qytetin e Lushnjës. Në bashkëbisedimin me anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force politike, ai u ndal në procesin e strukturimit të partisë. Duke theksuar domosdoshmërinë e përmirësimit të Kodit Zgjedhor, kryetari i LSI-së u shpreh se "LSI ka filluar punën për përgatitjen e një platforme për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, duke riparuar defektet e vëna re gjatë zgjedhjeve të 2009-ës". Ai theksoi në të njëjtën kohë, se ky përmirësim duhet të bazohet mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR në raportin e saj për zgjedhjet e fundit parlamentare në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›