“Si vendosa fletë-rrufe kundër Enver Hoxhës në 1974, më dënuan 10 vjet burg në Spaç”
Afrim Imaj
Një fletërrufe për Enver Hoxhën në ‘74! E pabesueshmja tronditi një mëngjes vere qytetin jugor. Goditja ishte menduar në “pjacën”e Korçës, madje te përmendorja e diktatorit. Aty pikërisht aty ishte vendosur pllakati me mbishkrimet: “Poshtë enverizmi! Boll më skllevër të komunizmit! Në çdo fasadë, në çdo rrugicë, me dhjetëra fletushka të tilla me përmasa të ndryshme”...
U deshëm vetëm pak minuta për të kryqëzuar njeriun që kishte guxuar të përbalte publikisht vet Zeusin. Beteja për më tej mbetej e hapur: Kush fshihej pas tij dhe cilat ishin lidhjet me agjenturat e huaja? Tani që viktima ishte në duart e shtetit, nuk bëhej fjalë për dështim. Përballja me të do të ndiqte linjat e zakonshme, si në rastet e tjera të goditjeve dërrmuese ndaj “armiqve të klasës”. Ngjarja e bujshme zuri vend në memorien e qytetit duke zgjuar dhjetëra dilema për mënyrën si kishte shpërthyer. Shumëkujt i ngjante aventurë, përçartje e moshës, një krisje e momentit, por kishte që besonin në një sjellje të urdhëruar nga bindjet e brendshme. Sakaq, protagonisti i saj, mbërthyer në hekura, sfidonte haptazi: E bëra se urrej regjimin, diktaturën, komunizmin! Këtu historia merrte trajtën e plotë. Pastaj, hakmarrja e shtetit, shpagimi i pamëshirshëm. Gëzim Proko do ta çonte sfidën deri në fund, pavarësisht pse i kushtoi shtrenjtë. Megjithatë, është i bindur, se ka bërë atë që duhej të bënte. Madje, shprehet se dhe njëqind herë të ishte në ato kushte do të bënte të njëjtën gjë. Më tej rrëfen për “Panorama” retrospektivën e plotë të kalvarit të vuajtjeve pas asaj aventure të rrezikshme...
Zoti çlirim! Njëri nga bashkëvuajtësit e Spaçit, duke përmendur arsyet e dënimit tuaj, kujton tekstin e një fletërrufeje që i keni adresuar publikisht Enver Hoxhës. Së pari, për çfarë periudhe bëhet fjalë?
Ngjarja i përket verës së vitit 1974. Filloi si aventurë dhe përfundoi në tragjedi. Dhjetë vjet në ferrin e Spaçit më kushtoi ajo. Po jo vetëm kaq. Më shkatërroi familjen, jetën. Deri te brezi i tretë i shfarosën skajeve të largëta në internim...
E mbani mend tekstin e fletërrufesë?
Fjalë për fjalë jo, sado që me kujtesën kam qenë mirë. Pastaj nuk ishte vetëm një fletë rrufe, por dhjetëra të tilla. Më kujtohet që kur m’i numëruan në hetuesi, bëheshin rreth 60 copë. Mbaj mend vetëm thelbin e përmbajtjes. I bëja thirrje rinisë korçare të çohej kundër enverizmit dhe diktaturës çnjerëzore, të braktiste prangat e komunizmit dhe të luftonte për lirinë e vërtetë. Gjithnjë me bindjen se apeli do të lëvizte sadopak përgjumjen popullore, por...
Por, nuk dha efektin që prisnit...
Ndodhi që ato nuk arritën asnjëherë te njerëzit që u drejtohesha. Në të gjitha rastet i bllokonin rojet vigjilente të regjimit. Asnjërën nga traktet kundra diktatorit që vendosja natën, nuk i zinte mëngjesi. Me sa dukej Dega e Brendshme kishte patrulla të veçanta, që kontrollonin çdo skutë të qytetit. Sa binin në kontakt me to, i zhduknin për mos t’i lexuar të tjerët. Që këtej pastaj fillonte operacioni, me të tjerë njerëz, për të shkuar te “çerdhja” e reaksionit, siç i thoshin atëherë. Ngjarje të tilla për regjimin ishin nga më tronditëset...
Pra, ishte një nismë e rrezikshme, që e bëtë me shumë vendosmëri dhe përkushtim. Kishim të bënim me një aventurë, me një përçartje moshe apo me sjellje që buronin nga bindje të brendshme?...
E parë nga jashtë mund të duket aventurë, pse jo dhe përçartje e moshës. Po e vërteta nuk është tërësisht kështu. Nuk ishte një shkrepje e momentit, diçka spontane, një shfryrje dufi, si i thonë. Të paktën unë kështu e kam përjetuar. Te kjo mënyrë proteste erdha, pasi kisha pjekur mendimin te vetja dhe kisha reflektuar gjatë. Ishte represioni i regjimit dhe skamja në çdo familje, ajo që më motivonte për të adresuar burimin e të keqes. E dija që mund të më kushtonte, por nuk kisha çfarë të humbisja. Se i mbyturi nuk ka dert nga të lagurit, themi ne nga Korça. Ca më tepër në kushtet e familjes time, kur prej vitesh ishim shpallur si të padëshirueshëm për sistemin...
Në çfarë rrethanash ishte shpallur e padëshirueshme për regjimin familja juaj?
Biografia jonë u sterros nga regjimi në fillimin e viteve 60. Deri atëherë nuk kishim pasur ndonjë konflikt me të. Ishim njerëz të thjeshtë, idealistë, të padëgjuar në punën tonë. Rronim me pagën e babait që punonte këpucar. Ditët më të lumtura në atë fukarallëk të madh, ishin ato kur dy nga vëllezërit, Ilua me Foton vazhdonin studimet në Rusi. E keqja u shfaq pas diplomimit të tyre. Ndarja me Hrushovin në një farë mënyre, e futi rrjedhën e familjes tonë në një dramë pafund...
çlidhje kishte vendimi politik i Tiranës së asaj periudhe me fatin e një familje këpucari në Korçë?
Ndëshkimi nuk kishte të bënte drejtpërdrejt me divorcin e madh. Ai ishte vendim i Enverit, i publikuar fillimisht në mbledhjen e 81 partive dhe nuk guxonte kush të shprehej ndryshe. Në rastin tonë, e keqja lidhej me një divorc tjetër që kushtëzohej nga divorci historik. Ndodhi që Fotua, vëllai që studioi për gazetari në Moskë, refuzoi urdhrin për të ndarë bashkëshorten ruse dhe kjo na futi në rrethin e kuq...
Kush e urdhëroi vëllain tuaj për t’u divorcuar me bashkëshorten nga Moska?
Lidhja e tim vëllai, Fotos me Erën, vajzën nga Moska u kurorëzua gjatë studimeve në Bashkimin Sovjetik. Pas diplomimit, aty nga fundi i viteve 50, Fotua u kthye në Shqipëri dhe filloi punë si gazetar në Radio Tirana. Sakaq, e shoqja priste të bëhej nënë në Moskë. Erdhi në jetë Tanja, vajza e tyre dhe akoma pa mbaruar urimet për të, shpërtheu stuhia e ndarjes së madhe. Në përmbushje të “vendimit historik” regjimi do shkonte më tej. Kur divorcohej partia, do divorcoheshin edhe lidhjet e tjera, qoftë dhe ato familjare! Fotua nuk mund të dilte jashtë kësaj logjike. Kundërshtoi, por e pagoi shtrenjtë...
Me një fjalë nuk ju bind urdhrit politik...
Një stuhi e tmerrshme filloi pas kësaj. E thirri drejtori i Hetuesisë së Përgjithshme Nevzat Hazdenari. “Duhet të lësh gruan!”, i tha shkurt, duke i përmendur pasojat në rastin e kundërshtimit. Fotua kërkoi arsyet, këmbënguli për të mësuar pse duhej bërë diçka e tillë. Kryehetuesi i kujtoi se përndryshe binte ndesh me vijën, me regjimin. “Unë me shtetin, me ligjin jam më rregull” u shpreh Fotua. “Je në rregull me qeverinë, me Partinë, por refuzon urdhrin e tyre”, kërcënoi Nevzati duke shtrënguar nofullat. “Po të jetë për këtë, mos u lodhni fare. Unë Erën e Tanjën i kam pjesë të shpirtit dhe nuk i braktis”, ja ktheu aty për aty Fotua. Kaq zgjati takimi dhe Hazdenari iku. Iku duke lënë prapa hijen e tij. Ajo na ndoqi si vemje e zezë për vite me radhë. Të parin kryqëzuan Foton. E larguan nga Radio Tirana dhe e syrgjynosën në Zvërnec. Jo për të bërë gazetarin, po punëtorin e krahut, të internuarin. Nga Zvërneci pastaj e transferuan në Memaliaj, për të provuar sfilitjen e tre turneve në minierë. E nga miniera në shtatë penxheret e burgut. Dhjetë vite aty, në kampin e Ballshit. Vetëm se nuk firmosi dokumentin e divorcit me gruan nga Moska...
Pra, Fotua nuk e braktisi bashkëshorten...
Nuk e braktisi me letra, nuk firmosi certifikatën e divorcit zyrtar, po në fakt ata mbetën të braktisur për dekada me radhë. Era, e shoqja, në Moskë, ku nuk rreshti me përpjekjet për t’ju bashkuar familjes në Shqipëri dhe Fotua, në ferrin e burgjeve komuniste. Kështu, deri në fillimin e viteve 90, kur nisën të rihapen rrugët. Fotua preu biletën dhe fluturoi drejt Moskës. Takoi Erën që e kishte pritur si dhe ai. U përqafua me Tanjën, të bijën, të cilën nuk e kishte parë asnjëherë. Mbrapa kishin mbetur tre dekada dhe drama e ndarjes së madhe...
Historia e Fotos pastaj u bë shkak i dramës familjare...
Aty fillon kalvari i vuajtjeve pambarim të familjes tonë. Pas këtij momenti nuk ishim qytetar të thjeshtë, por kontingjent i armikut të klasës. Regjimi na vendosi kështu përballë dhe na përgjonte ngado. Në atë kohë, sa kisha mbaruar shkollën e mesme dhe më përplasën ushtar në një repart pune në Tiranë. U ktheva prej andej dhe përfundova punëtor me tre turne në kombinatin e trikotazhit. Nuk mjaftonte fukarallëku, por hajt të përballoje dhe përçudnimin. Kudo na shikonin si macja e zezë. Më keq u ndjeva kur krijova familjen. Keq e mos më keq. Fakti që nuk ishim të vetëm në këtë fat, na ngushëllonte disi. Po përsëri sikleti mbetej i padurueshëm...
Në këto kushte vendosët të hakmerreshit drejtpërdrejt me Enver Hoxhën...
Unë e dija se nuk mund të bëja gjë i vetëm, por duke parë se e keqja ishte shtruar derë më derë, mendova se thirrjes për të ndryshuar gjendjen mund t’i bashkoheshin dhe të tjerët. Me këtë bindje nisa nga puna si dikur ilegalët. Për orë të tëra u mbylla në dhomë dhe shkrova fletërrufenë dhe traktet e tjera. Bëra plot 60 të tilla, në fletë formati të zakonshëm. Atë kundër Enverit e shkrova në një tabak të madh, në përmasat 80 me 40 centimetra. Natën pastaj, i vendosa në vendet më të dukshme të qytetit. U ktheva në shtëpi pa i thënë gjë as gruas. Të nesërmen u zgjova herët dhe shkova për të parë ç’kishte ndodhur me to. Si për çudi ishin zhdukur të gjitha si me magji...
Pastaj u zbuluat dhe nisi odiseja e hetuesisë, gjyqit, burgut, internimit...
Po atë ditë, diku nga dreka, më thirrën në degë. As që diskutohej t’i bëja bisht akuzës. Pranova menjëherë. Më hodhën prangat dhe filluan hetimet. Në seancat pambarim të tyre kërkonin kush fshihej pas meje dhe marrëzisë për të quajtur Enverin diktator, kriminel e antinjerëzor. Nuk mjaftuan torturat në degën e Korçës, por duhej të provoja dhe ato të burgut të Tiranës. Tre muaj aty, i lidhur këmbë e duar me litar. Nëna ime, ç’kanë parë sytë e mi. Më në fund, pas 11 muajsh hetime intensive erdhi dita e gjyqit. Kryeakuza: Armik, tradhtar, shërbëtor i borgjezisë etj. Në mbyllje “fatura” e dënimit: 10 vjet në ferrin e Spaçit...
çfarë kujtoni nga Spaçi?
Para se të shkoj aty, desha të shtoj diçka nga procesi i hetimeve. çdo ditë më sillnin përballë me dhjetëra dëshmitarë. Kishte ndër ta, të njohur, kolegë pune, komshinj etj. çfarë nuk kishin vënë në gojën e tyre. Më kujtohet dëshmia e Stavri Qeleshit, njërit prej shokëve të ndërmarrjes. Ai deklaroi se çlrim Prokua më ka thënë se Heroin e Popullit Raqi Qirinxhi nuk e kanë vrarë nazistët, por Enver Hoxha. Nuk e di si u përmbajta. M’u errën sytë dhe desha ta shaja. Nuk mund ta mendoja kurrë një poshtërsi të tillë. Aty për aty m’u kujtua biseda që kisha bërë me të para disa kohësh. Krejt rastësisht, në një shëtitje të lirë, Stavri Qeleshi, kunati i Vangjel çërravës, më pyeti në mirëbesim: E di ti çlirim kush e ka vrarë Raqi Qirinxhin? Jo, i pata thënë. Enveri pas shpine, shpjegoi ai me pamjen e njeriut që të beson një sekret jo të zakonshëm. Me sa duket ky Raqi e kishte ngrënë karremin më herët. Nejse. Kishte të tilla plotë si këto detaje. Sa për Spaçin, do të rezervoja vetëm një fjalë: Ferr e kaluar ferrit. Sidoqoftë, në vitet e para kur ishim vetëm ne të dënuarit politik, ishte diçka më ndryshe. Më të rëndë e bëri gjendjen prania masive e të dënuarve ordinerë, kusarëve, kriminelëve etj.
Nga Spaçi kam kujtimet më të mira për shokët e afërt Robert Vullkani, Feti Kumanaku, Nestor Topeçarovi, Nikolla Shyti etj,
Një kalvar më vete vijuan ditët pas Spaçit. I mbetur pa familje, me prindër e vëllezër të internuar në zonat e largëta, u rropata si endacak ku mund të gjëja punë e ku të fusja kokën. Sidoqoftë, deshi Zoti dhe mbijetova...
Ballafaqimi i parë në hetuesinë e Korçës: “Urrej enveristët”
“Kam thënë poshtë enverizmi, se urrej pushtetin e tij” Në ballafaqimin e parë në hetuesinë e Korçës, Gëzim Proko është shprehur hapur pa fshehur asgjë rreth akuzës. Procesverbali i datës 15 gusht 1974, përmban dialogët me hetuesin e çështjes të fokusuar te termat e pa dëgjuar më parë, “enverizëm” dhe “Komiteti Rinia”…
HETUESI: çfarë keni për të thënë rreth akuzës?
çLIRIM PROKO: Akuzën që më bëhet, e dëgjova, e kuptova dhe e pranoj. Rreth saj kam për të thënë se: Unë kam ushqyer urrejtjen për pushtetin popullor.
HETUESI: Në fletërrufe keni përdorur fjalën “enveristët”. Ku e keni marrë këtë shprehje?
çLIRIM PROKO: Unë këtë e kam vënë në fletërrufe nga fakti se çdo rrymë në filozofi mban emrin e udhëheqësit të saj. Kështu që te ne, udhëheqës është Enver Hoxha dhe shokët që e pasojnë atë, i kam quajtur enveristë.
HETUESI: Juve në fund të fletërrufesë keni shkruar “Komiteti Liria”. Na thuaj, ç’doni të thoni me këtë?
çLIRIM PROKO: Fjalët Komiteti Liria i kam vënë në mënyrë që të krijohej përshtypja tek ata që do të lexonin, se ekziston një organizatë me këtë emër dhe të mund të futja në të edhe persona të tjerë.
HETUESI: Pse i keni vendosur fletushkat në vende të dukshme në qytet?
çLIRIM PROKO: I kam vënë që t’i lexonin sa më shumë njerëz dhe efekti të ishte më i madh, për të krijuar urrejtje sa më shumë për pushtetin dhe partinë, pastaj të ngriheshin në formën e protestës masive kundër pushtetit.
Thirrje rinisë korçare!
Ka ardhur koha të luftojmë për një jetë të lirë. Me politikën e Enverit dhe këlyshëve të tij po shkojmë drejt shkatërrimit të plotë, drejt vdekjes pa kuptim. Ne punojmë sa shuhemi dhe vuajmë për bukën e gojës. Ata po na kthejnë në skllevër, ndërsa vetë janë kthyer në egërsira të pangopshëm me djersën dhe gjakun tonë. Nëpërmjet diktaturës së urryer duan të na futin frikën. Me anën e burgut po dënojnë njerëzit e ndershëm. Ata janë gati ta fusin gjithë popullin në burg, por mendojnë se pa të, froni i tyre s’ka kuptim, s’ka “autoritet”, i cili u qelb në monotoninë 30 vjeçare të diktaturës, e cila po bie erë krime e tradhti. Ky lloj froni perandorak nuk duhet të ekzistojë. Ju bëjmë thirrje që të:
1-Urreni enverizmin dhe politikën e fëlliqur të komunizmit.
2-Zhdukni frikën ndaj diktaturës së Proletariatit.
3-Përgatisni shpirtin për të derdhur edhe gjakun tonë për çlirimin e vërtetë të popullit shqiptar.
4-Ruajuni nga spiunët e fëlliqur, ata janë të ulët, pa karakter dhe dinjitet.
5-Shprehni urrejtjen tuaj nëpërmjet fletushkave dhe i hidhni ato kudo, në rrugë, kinema, shtëpi e kafene.
Poshtë komunistët që i urren bota mbarë!
Vdekje Enverit me shokë!
“Komiteti Liria”
Procesverbali/ Dëshmia e çlirim Prokos në procesin gjyqësor
“Si e mbusha Korçën me parulla antikomuniste”
“E kisha mbledhur mendjen top: Do ta mbushja tërë qytetin me fletërrufe. E dija se ishte e rrezikshme, por kisha marrë parasysh gjithçka” Kështu nis rrëfimi i çlirim Prokos përballë gjyqtarëve në tetorin e 74-ës. Në dokumentin e procesit gjyqësor zyrtarët kanë hedhur me detaje dëshminë e njeriut që guxoi t’i dalë hapur regjimit në kulmin e represionit të tij. Nga aq sa kujton Proko për aventurën e asaj nate, harrin në 60 numri i trakteve dhe fletërrufeve që ka vënë në vendet e dukshme të Korçës…
Më datën 8 gusht, 1974 në orën 11.30 të natës, lashë punën dhe shkova në shtëpi. Kam hyrë aty pa u ndjerë, mora xhaketën në korridor, hodha brumin nga mbajtësja e sapunit në dy kuti shkrepëse nga ato të prodhimit të vendit, i mbështolla me një copë letër dhe i futa në xhep. Fletushkat i futa në xhepin tjetër, ndërsa fletërrufenë e mbajta në dorë. Shkova nëpërmjet bustit të “Themistokli Gërmenjit” mbrapa mapos, dola prapa stendës së fletërrufeve, që është përbri pallatit të Kulturës. Këtu leva me brumë fletërrufenë e madhe dhe e vendosa në qoshen e djathtë të stendës, nga ana e pallatit të Kulturës.
Për lyerjen e fletërrufesë përdora një kuti brumi, me mbetjen e saj leva dhe tre cope fletushka, të cilat i vendosa: Një në pemën karshi stendës, në një nga pemët përballë pallatit të Kulturës, tjetrën te dera, në fasadën prej mermeri, në krahun e majtë në anën e brendshme të saj, jo me pamje nga bulevardi. Në pallatin e mapos, prapa nga janë shkallët, vendosa një copë, vazhdova rrugën dhe në barakën që ndodhet në krahun tjetër të pallatit vendosa fletushkën e pestë. Vazhdova rrugën lart bulevardit “Lenin” te(byrektorja), te dyqani i ushqimeve gjysmë të gatshme, vendosa një tjetër. Në po këtë vend, në dy pemë vendosa dy të tjera, pastaj u ktheva mbrapa, afër stolave të “Ushtarit të panjohur” në një pemë aty vendosa një tjetër. Një tjetër e vendosa te mëngjesorja “1 Maji”, në derën e saj në të djathtë. Para se të shkoja te “1 Maji” në pemët gjatë rrugës, në të dy anët e saj vendosa disa të tjera, por se sa nuk më kujtohet. Një e vendosa më poshtë bulevardit, te dyqani i vetë-shërbimit, një tjetër te reklamat e kinemasë, në krahun që priten biletat. Një tjetër te portreti i Enver Hoxhës, pranë barakës karshi shtëpisë së oficerëve; dy në afërsi të ‘Themistokli Gërmenjit”; një në një pemë dhe një te shatërvani. Më poshtë vendosa një në pastiçeri “Kristali” dhe më poshtë vazhdova duke vënë në pemë, deri te kinkaleria që është afër dyqanit të ushqimeve, në krahun e majtë kur zbret në hotel “Iliria”. Te dyqani i ushqimeve nuk kam vendosur.. Për vendosjen e këtyre fletushkave kam përdorur brumin e kutisë së dytë. Të dyja kutitë i kam hedhur në bulevard, të parën në periferinë e mapos dhe të dytën aty ku e mbarova. Në këtë kohë që unë vendosa këto, nuk kishte lëvizje njerëzish; tek-tuk kalonte ndonjë person, por unë i jam fshehur takimeve me ta dhe ndërprisja punën. Kur jam kthyer në shtëpi, ka qenë ora 01.20 e datës 9.8.1974, këtë e di, mbasi e pashë orën kur hyra në shtëpi. Kur hyra në dhomë, gruaja u zgjua dhe më pyeti pse u vonova kaq shumë, unë i thashë se kisha punë(se na ishin prishur dy makina). Të nesërmen, aty nga pra 10.00 paradite unë kam dalë në qytet për të parë nëse ishin ose jo. Pashë që fletushkat ishin hequr të gjitha, po ashtu ishte hequr edhe fletërrufeja”.