Buxheti i shtetit, si do të bëhet menaxhimi sipas ligjit të ri
Në buxhet përfshihen të ardhurat, shpenzimet dhe financimet e qeverisë. Ai përfshin një fond rezervë dhe një fond kontigjence të pashpërndarë
Ervin Koçi
Në mbështetje të nenit 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi të propozojë projektligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi. Ky ligj rregullon sistemin buxhetor në Republikën e Shqipërisë, strukturën, parimet dhe bazat e procesit buxhetor, marrëdhëniet financiare ndërqeveritare dhe përgjegjësitë, për zbatimin e legjislacionit buxhetor, në tërësi. Ky ligj zbatohet nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme në të gjitha fazat e procesit buxhetor, si në: a) Përgatitjen, shqyrtimin dhe miratimin e buxhetit; b) Zbatimin, ndjekjen dhe rishikimin e buxhetit; c) Të drejtat dhe kufizimet për huamarrjen, garancitë, si dhe format e tjera, të rrjedhura prej tyre; ç) Kontrollin, kontabilitetin, raportimin, inspektimin dhe auditimin e buxhetit. Viti buxhetor për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, fillon nga data 1 janar dhe përfundon me 31 dhjetor, të çdo viti.
Buxheti i shtetit
Buxheti i shtetit përfshin të gjitha të ardhurat, shpenzimet dhe financimet e qeverisjes qendrore. Ai përfshin një fond rezervë dhe një fond kontigjence të pashpërndarë, i cili miratohet nga Kuvendi në ligjin vjetor të buxhetit, deri në masën 3 për qind të vlerës së përgjithshme të fondeve të miratuara. Fondi rezervë përdoret vetëm për rastet e financimit të shpenzimeve, të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit. Miratimi i përdorimit të tij bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Fondi i kontigjencës përdoret sipas përcaktimit në ligjin e buxhetit vjetor, për të përballuar efektet e mosrealizimit të të ardhurave, nevojën e kryerjes së financimeve të reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara të programeve ekzistuese. Buxheti i shtetit nuk mund të trashëgohet nga njëri vit në tjetrin, përveç rasteve të përcaktuara në këtë ligj. Ai është i balancuar në termat e arkëtimeve dhe të pagesave dhe të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e tij janë në terma bruto.
Buxheti vendor
Buxheti vendor përfshin të gjitha të ardhurat, shpenzimet dhe financimet e njësisë së qeverisjes vendore. Ai përfshin një fond rezervë dhe një fond kontigjence, të pashpërndarë, i cili miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore në vendimin e buxhetit vjetor, deri në masën 3 për qind të vlerës së përgjithshme të fondeve të miratuara, duke përjashtuar transfertat e kushtëzuara. Fondi rezervë përdoret vetëm për rastet e financimit të shpenzimeve, të cilat nuk njihen ose janë të pamundura të parashikohen gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit. Përdorimi i tij bëhet me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore. Fondi i kontigjencës përdoret sipas përcaktimit në vendimin për buxhetin vjetor të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, për të përballuar efektet e mosrealizimit të të ardhurave, nevojën e kryerjes së financimeve të reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara, të programeve ekzistuese. Ky buxhet është i balancuar, përveç rasteve kur merret hua për financimin e projekteve të investimeve. Ai është i balancuar në termat e arkëtimeve dhe të pagesave, ku të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e tij janë në terma bruto.
Fondet speciale
Fondi special i njësive të qeverisjes, qendrore ose vendore, krijohet me ligj të veçantë nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave. Fondet speciale të qeverisjes vendore i propozohen ministrit të Financave nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore. Ligji për krijimin e fondit special të qeverisjes, qendrore apo vendore, përcakton: a) Qëllimin e krijimit të fondit special; b) Njësinë administrative të fondit special, që mund të jetë një njësi e qeverisjes, qendrore ose vendore, e pavarur ose e kontrolluar nga një njësi tjetër; c) Mënyrën e financimit dhe balancimit të fondit special; ç) Mënyrën e konsolidimit në llogaritë e qeverisjes, qendrore ose vendore; d) Kohëzgjatjen dhe mënyrën e mbylljes së fondeve speciale. Fondi special përfshin të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e një njësie të fondit special. Procedurat e propozimit dhe të miratimit të buxhetit të fondit special të qeverisjes, qendrore apo vendore, janë të njëjta me buxhetin e shtetit. Fondet speciale të njësive të qeverisjes qendrore paraqiten në Kuvend, së bashku me buxhetin e shtetit. Fondet speciale të njësive të qeverisjes vendore paraqiten në këshillin e qeverisjes vendore, së bashku me buxhetin vendor. Asnjë fond ekstrabuxhetor nuk krijohet, nëse nuk është një fond special.
Deficiti dhe suficiti buxhetor
Deficiti buxhetor, në një vit buxhetor, është diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, kur shpenzimet janë më të mëdha se të ardhurat. Suficiti buxhetor, në një vit buxhetor, është diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, kur të ardhurat janë më të mëdha se shpenzimet. Dokumenti i buxhetit të shtetit përcakton përdorimin e një suficiti buxhetor apo mënyrat e financimit të një deficiti buxhetor. Deficiti i buxhetit të shtetit financohet nga huat e brendshme ose të huaja. Buxheti vendor është i balancuar. Përjashtimisht, buxheti vendor mund të ketë deficit vetëm për shpenzimet kapitale, të financuara me hua, sipas dispozitave të përcaktuara në këtë ligj ose në ligj të veçantë. Fondet speciale janë gjithmonë të balancuara dhe nuk mund të kenë deficit.
28 Shkurt 2008