Huamarrja dhe garancitë në sektorin publik
Këshilli i Ministrave është i vetmi autoritet që ka të drejtën e marrjes së huave për financimin e projekteve kapitale nga institucionet ndërkombëtare, shtetet ose personat juridikë, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe me ligjet në fuqi. Ai është i vetmi autoritet, që jep garanci shtetërore të huasë. Kuvendi bën ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me marrjen përsipër të detyrimeve financiare. Ministri i Financave përfaqëson Këshillin e Ministrave në marrëveshjet e huave dhe të garancive shtetërore ndërkombëtare. Ministri i Financave është i vetmi autoritet, që ka të drejtën e marrjes së huave, brenda limiteve të përcaktuara në ligjin vjetor të buxhetit nga persona, juridikë dhe/ose fizikë. Ministri i Financave është autoriteti, që emeton instrumentet e huasë dhe negocion në marrëveshje huaje shtetërore dhe garancie shtetërore të huasë.
Ministri i Financave ka të drejtën e zgjedhjes së llojit të instrumenteve financiare, të karakteristikave dhe kushteve të tyre. Për marrëveshjet e huasë, që parashikojnë politika monetare, merret, paraprakisht, mendimi i Bankës së Shqipërisë. Këshilli i njësisë së qeverisjes vendore është autoriteti, që ka të drejtën e marrjes së huave dhe dhënien e garancive, brenda dhe jashtë vendit, për huan vendore. Huaja afatgjatë vendore miratohet, paraprakisht, nga ministri i Financave për procedurat, limitet dhe efektet e saj. Ministri i Financave merr vendim të argumentuar dhe informon njësinë e qeverisjes vendore, brenda 20 ditësh nga marrja e njoftimit.
Borxhi publik, ligji parashikon kufijtë e tij
Borxhi publik përbëhet nga borxhi shtetëror dhe borxhi vendor. Në ligjin vjetor të buxhetit vendoset kufiri për: a) Borxhin e ri shtetëror, për t’u marrë në vitin buxhetor;
b) Totalin e borxhit shtetëror; c) Garancitë e reja për t’u lëshuar gjatë vitit buxhetor;
ç) Totalin e shumës së garancive. Ndërsa njësitë e qeverisjes vendore marrin hua dhe lëshojnë garanci në rastet kur: a) Raporti i tepricës operative, të llogaritur si diferenca e të ardhurave operative, gjithsej, (nga burimet e veta, taksat e ndara dhe transferta e pakushtëzuar) me shpenzimet jo të kushtëzuara operative të njësisë së qeverisjes vendore, përfshirë shërbimin e borxhit, dhe kostos së shërbimit të borxhit, që duhet të paguhet në çdo vit për borxhin afatgjatë është jo më pak se 1.4:1; b) Raporti i stokut të borxhit ndaj të ardhurave operative, gjithsej, nga burimet e veta, taksat e ndara dhe transferta e pakushtëzuar, është jo më shumë se 1.3:1; c) Kufiri maksimal vjetor i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave mesatare të tri viteve të mëparshme fiskale të njësisë së qeverisjes vendore nuk e kalon masën 20 për qind. Borxhi total publik, përfshirë garancitë, nuk duhet të tejkalojë limitin 60 për qind të produktit të brendshëm bruto.
28 Shkurt 2008