Buxheti i vitit 2009 përcakton të gjitha fondet e domosdoshme për të zhvilluar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm

-Kryeministri Berisha: Fushata elektorale jo vetëm që nuk do të ngadalësojë ritmin e reformave, por do ta rrisë më tej atë
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha theksoi se buxheti i vitit 2009 përcakton të gjitha fondet e domosdoshme për të zhvilluar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Kryeministri Berisha u shpreh se institucionet do të punojnë me përkushtim të madh për mirë administrimin e buxhetit.
Duke ju referuar faktit se viti 2009 është një vit elektoral, Kryeministri Berisha theksoi se “dua të siguroj qytetarët se institucionet do të punojnë me përkushtimin më të madh në mirë administrimin e buxhetit, sikur viti 2009 të mos ishte vit zgjedhjesh. Institucionet do të punojmë me përkushtim edhe në konsolidimin e mëtejshëm të disiplinës fiskale, si interesi më i mirë dhe më madhor i qytetarëve shqiptarë”.
Më tej, kryeministri u shpreh se fushata qytetarët do të jetë dëshmitarë të një fushate elektorale ndryshe. “Dëshiroj të deklaroj se fushata jo vetëm që nuk do të ngadalësojë reformën, por do të ndodhë e kundërta. Xhirot e motorit të reformave dhe shpejtësia e tij do të njohin tregues shumë më optimalë nga sot deri në ditën para zgjedhjeve. Me fjalë të tjera, do të jeni dëshmitarë të një fushate tjetër, në një fushate që do të jetë sinonim i reformës dhe që do të procedojë me vendosmëri me reforma dhe vetëm reforma. Kjo do të jetë fushata e ardhshme e kësaj qeverie. Ndaj, përveç ditës së zgjedhjeve, çdo ditë do të vazhdojnë reformat dhe shqiptarët do të informohen. Ne do të ruajmë vrullin e reformave”, u shpreh Kryeministri.
31/10/2008