E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha:Buxheti i vitit 2009, prej 5 miliard dollarësh, rezultat i suksesit të reformave shumë të rëndësishme të qeverisë

-Lufta kundër korrupsionit, kontrabandës, informalitetit dhe evazionit fiskal bëri të mundur buxhetin më të madh të të gjitha viteve.

Duke i’u referuar vlerës së buxhetit për vitin 2009, e cila arrin në rreth 5 miliardë dollarë, Kryeministri Berisha u shpreh se ky buxhet është bërë i mundur si rezultat i reformave shumë të rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria.

“Para së gjithashtu, ky buxhet u bë i mundur si rezultat i reformave shumë të rëndësishme që ne kemi ndërmarrë. Buxheti u bë i mundur sepse për tre vjet rresht, ne, si asnjë vend tjetër, kemi rritur të ardhurat me 22 përqind. Këto nuk u bënë të mundura nga ndonjë burim i papritur gazi apo nafte në territorin e vendit tonë, por u bënë të mundura nga një ‘bum’ real i tregut dhe luftë me paanësi të madhe ndaj kontrabandës, evazionit dhe informalitetit. Në tregun shqiptar, në këto tre vitet e fundit, kanë hyrë 460 mijë ton më shumë se në tre vite më parë. Në doganat shqiptare, në sajë të luftës kundër kontrabandës, janë ç’doganuar rreth 350 mijë ton të tjera më shumë. Rreth 810 mijë ton naftë ka qenë ç’doganimi total që ka bërë qeveria e mëparshme në tre vite, kundrejt 1160 mijë ton të bëra në këto tre vitet e fundit, të cilat janë bërë edhe duke prodhuar”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më tej, Kryeministri Berisha u ndal në luftën kundër kontrabandës. “Po kështu në luftën kundër kontrabandës, në rast se në tre vitet e mëparshme u ç’doganuan rreth 11 mijë ton kafe, gjatë këtyre tre viteve të fundit ç’doganim i kafesë ka arritur në 18 mijë ton. Në total të ardhurat nga akcizat, nga 37 miliardë që ishin në vitet e kontrabandës, kanë arritur pothuajse  në 90 miliardë në vitet e anti- kontrabandës”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se të gjithë ata që kanë nocionet bazë ekonomike e kuptojnë se çdo të thotë të rriten të ardhurat nga një vit në tjetrin me 22 përqind.
“Kjo nuk vjen me rritjen e taksave, por me uljen më të madhe të tyre në Evropë. Pra, është kjo disiplinë fiskale që ka bërë që për 2009 të mund të parashikohet buxheti më i madh dhe më i suksesshmi në historinë e vendit”, u shpreh Kryeministri.

Në vijim të prezantimit të projekt-buxhetit për vitin 2009, Kryeministri Berisha u ndal dhe në disa zëra të tjerë të tij si shëndetësia, arsimi, mbështetjen e fermerëve shqiptarë, mbrojtja dhe zhvillimi i pasurive të mëdha kulturore të vendit, zgjerimi i veprimtarisë diplomatike dhe përfaqësimit diplomatik, mbështetja e investimeve për nismën “Shqipëria në moshën dixhitale”, etj..

Duke folur për rëndësinë që kanë reformat në sistemin e shëndetësisë Kryeministri u shpreh se “buxheti i këtij viti do të mbështesë fuqishëm reformën në sistemin e shëndetësisë. Institutit të Sigurimeve Shëndetësore do të shtrijë aktivitetin me blerjen e shërbimeve nga institucionet tona shëndetësore publike, për të bërë hapin e parë dhe për të kaluar pastaj në blerjen e shërbimeve nga institucionet private”.

Një drejtim shumë i rëndësishëm i këtij buxheti, u shpreh Kryeministri, është mbështetja e institucioneve të zbatimit të ligjit, për të përmbushur më mirë detyrat e tyre.

Kryeministri u shpreh se buxheti për vitin 2009 shoqërohet me rritje të dukshme për investime në infrastrukturën e institucioneve të vuajtjes së dënimit, infrastrukturën e institucioneve gjyqësore dhe të sistemit të drejtësisë. Më tej, Kryeministri theksoi se “ky buxhet lejon rritjen e madhe të investimeve për nismën “Shqipëria në moshën dixhitale” në të gjitha sektorët. Po ashtu arsimi mbetet një përparësi madhore. Buxheti për vitin 2009 do të shoqërohet me rritje të ndjeshme për mbështetjen e fermerëve shqiptarë dhe të projekteve për mbrojtjen e mjedisit. Mbrojtja dhe zhvillimi i pasurive të mëdha kulturore të vendit, trashëgimisë së madhe kulturore, veprimtarive kulturore dhe sportive është gjithashtu një risi tjetër e buxhetit. Mbështetje në këtë buxhet gjen zgjerimi i veprimtarisë diplomatike dhe përfaqësimit diplomatik të vendit me hapjen e disa ambasadave të reja”.


31/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›