E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha:Buxheti i vitit 2009 mundëson mbajtjen e premtimit për dyfishimin e pagave dhe pensioneve

-Në tre vjet dyfishohen pagat e  44 mijë arsimtarëve dhe 14 mijë infermierëve. Po ashtu, dyfishohen pensionet në fshat dhe rriten me 10 përqind pensionet në qytet

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u shpreh se buxheti i vitit 2009 realizon të gjitha premtimet për rritjen e pagave dhe pensione.

“Me shtesën që do të bëhet vitin e ardhshëm të 44 mijë arsimtarët shqiptarë do të ndjejnë dyfishimin e rrogave. Po ashtu, me shtesën që do t’i bëhet vitin e ardhshëm 14 mijë infermierët shqiptarë do të kenë dyfishim të pagave”, u shpreh Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh se nëpërmjet këtij buxheti zhvillohet një politike sociale konstante. “Pensionistët në qytet do të kenë një rritje të ndjeshme të pensionit me 10 përqind, ndërsa pensionistët në fshat do të kenë një rritje me 20 përqind, rritje kjo që garanton dyfishimin e pensioneve të tyre. Përfundimisht, pësojnë rritje të gjitha pensionet e natyrave të ndryshme, si dhe ndihma ekonomike. Rritja e pagave gjatë vitit të ardhshëm, e cila bëhet e mundur sërish ë sajë të miradministrimit, administrata shtetërore do t’u peshojë taksapaguesve shqiptarë gjithsej 6. 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm të vendit dhe ky është  tipar i qeverive të vogla”, u shpreh Kryeministri Berisha. 

Më tej, Kryeministri theksoi se e “të ardhurat janë ato që bëjnë të mundur këtë politikë të stabilitetit ekonomik dhe të rritjes makro-ekonomike, të investimeve më të mëdha në historinë e vendit dhe të rritjes më të madhe të pagave se çdo periudhë e mëparshme”.


31/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›