“Buxheti, moment themelor që opozita të vijë në Parlament”

Bojkoti i opozitës - deklaron kryeparlamentarja Topalli
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i bëri thirrje përsëri palës opozitare që t’i drejtohet sallës së parlamentit, për t’i dhënë fund kështu bojkotit të stërzgjatur.
Duke iu referuar takimit të zhvilluar një ditë më parë me ambasadorët e Trojkës Evropiane dhe atë të SHBA-ve, John Withers, kryeparlamentarja vuri në dukje se dialogu është i rëndësishëm dhe se çdo kompromis bëhet në Parlament.
“Isha unë që kisha ftuar ambasadorët për çështje që kanë lidhje me drejtësinë dhe për mbështetjen që përmes ekspertizës ata mund të japin. Absolutisht dialogu është i nevojshëm dhe dialogu, dhe çdo kompromis bëhet në Parlament”, u shpreh ajo.
Duke u fokusuar te rikthimi i PS-së në Kuvend, Topalli nënvizoi se diskutimet për buxhetin janë momenti më kulmor për ta hedhur këtë hap.
“Unë do të dëshiroja që me rastin e buxhetit që është momenti themelor kur përcaktohet rritja e rrogave, rritja e pensioneve, investimet që do të bëhen, ulja e deficit buxhetor, ulja e shpenzimeve operative, është një rast për të ardhur në parlament dhe për të kontribuar në atë që është momenti ekonomik, natyrisht edhe në të gjitha reformat e tjera”, tha më tej, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.