Konfirmohet rritja e re e pagave dhe e pensioneve gjatë 2010-s

Prezantohet në komisionet parlamentare projekt-buxheti për vitin 2010, ku parashikohet një rritje e re pagash dhe pensionesh, megjithë krizën ekonomike botërore, por edhe një shtim i fondeve në sektorët më jetikë, si në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, çka e shndërron buxhetin e ri në dokumentin më ambicioz të vitit
Projektbuxheti i vitit 2010 konsiderohet nga strukturat shtetërore si dokumenti më i rëndësishëm dhe ambicioz, një buxhet i cili vjen në rritje dhe që parashikon në pika të veçanta të tij realizimin e sfidave të mëdha. Rritja e konsiderueshme e investimeve për vitin që vjen, progresivi me pagat dhe pensioneve dhe shtimi i fondeve për të gjithë sektorët e vendit, janë direktivat kryesore të dokumentit më ambicioz të vitit.
Projektbuxheti për vitin 2010, pas aprovimit që mori nga qeveria pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare sipas kalendarit të miratuar dje nga Konferenca e Kryetarëve. Kjo e fundit zhvilloi mbledhjen nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, me rend dite prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2010 nga ministri i Financave, Ridvan Bode.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe kryetarët Komisioneve Parlamentare të Kuvendit, puna e të cilëve gjatë kësaj periudhe do të përqendrohet në shqyrtimin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, që konsiderohet edhe ligji më i rëndësishëm që kalon në Kuvend.
Kryetarja Topalli në hapje të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, tha, ndër të tjera, se nga një vështrim i përgjithshëm projektbuxheti i paraqitur rezulton mjaft ambicioz.
“Ky është buxheti i sfidës së madhe, buxheti i kurajës së madhe. Një buxhet që parashikon që 9-10% të shkojë përsëri për investime, ndaj quhet buxheti i guximit. Një buxhet në të cilin investimet do të zënë pjesën kryesore, bazuar në doktrinën ekonomike të adaptuar edhe në vitet e kaluara”, tha kryetarja Topalli, duke nënvizuar se kjo doktrinë ekonomike bëri të mundur që Shqipëria të ndjejë më pak se vendet e tjera krizën globale financiare.
Sipas saj, buxheti i prezantuar nga ministri tregon se ky është një konfirmim dhe fillim i mbajtjes së premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale.
“Buxheti është politika e shtetit. Aty projektohen të gjitha drejtimet kryesore, nxitjet kryesore të zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë. Buxheti i prezantuar nga Ministri tregon se ky është një konfirmimin dhe fillim i mbajtjes së premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale. Është një sfidë e jashtëzakonshme fakti që, siç tha Ministri, në vitin e ardhshëm mendohet të ardhurat të rriten dy herë se vetëm 5 vjet më parë. Është i jashtëzakonshëm fakti që buxheti vazhdon të rritet përsëri, që investimet përbëjnë 10% të GDP-së ose 30 për qind e buxhetit shkon në investime. Është një politikë konservatore dhe e matur ulja e borxhit dhe e deficitit. Është një reformë që duhej filluar ajo mbi fondin e ndihmës sociale. Absolutisht janë prioritare shëndetësia, arsimi dhe bujqësia dhe unë dua t’ju jap mirëkuptimin më të madh për uljen e shpenzimeve administrative për të bërë të mundur vazhdimin e rritjes së pensioneve, rrogave, vazhdimin e mbështetjes së shërbimeve dhe të fondeve në shëndetësi dhe në arsim”, u shpreh kryeparlamentarja Jozefina Topalli.
Në vijim, në Konferencën e Kryetarëve, ministri i Financave, Ridvan Bode, paraqiti në detaje projektbuxhetin për vitin 2010. Bode nënvizoi se diskutimi i detajuar dhe me një përfshirje sa më të gjerë të projektbuxhetit do të mundësojë që të rritet numri i individëve dhe qendrave që do të jenë të interesuar jo vetëm në debatimin e buxhetit, por edhe në zbatimin e tij.
Gjatë prezantimit, Ministri Bode vuri në dukje se prioritetet për projektbuxhetin e vitit 2010 mbeten sektorët e arsimit, shëndetësisë, bujqësia, rritja e pagave dhe pensioneve, që parashikohet të arrijë 7-10 për qind dhe 4-10 për qind respektivisht dhe rritja e investimeve në infrastrukturë.
Në fjalën e tij përpara Konferencës së Kryetarëve, ministri i Financave u ndal në reformat e thella, të cilave pritet t’i nënshtrohet sektori i shëndetësisë, ku në fokus parashikohet të jenë pacientët dhe kostot e kurimit të tyre, reformat administrative, që parashikojnë një shkurtim të shpenzimeve administrative, reforma për mbështetjen sociale, që parashikon një rishikim të përdorimit të këtij fondi, ku prioritet do t’u familjeve që nuk kanë mundësi të përmirësojnë jetesën e tyre, etj.
Fondi rajonal për investime, fondi për financimin e infrastrukturës rrugore të bashkive dhe komunave, politikat zhvilluese rajonale, si dhe rritja e granteve konkurruese, ishin zëra të tjerë të projektbuxhetit të paraqitura nga Ministri i Financave.
Prezantimi i projektbuxhetit për vitin 2010 u vendos të bëhet në komisionet parlamentare duke nisur nga e hëna për të kaluar më pas me diskutimin dhe votimin e tij në parlament.
Projektbuxheti i 2010, 600 milionë dollarë më shumë në krahasim me atë të 2009-s
Qeveria shqiptare ka shprehur vazhdimisht vullnetin e saj të hekurt që dhe për vitin e ardhshëm të rrisë në mënyrë progresiste pagat dhe pensionet, pavarësisht se vendet e rajonit ende nuk po korrigjojnë uljen e tyre në masën 10% si pasojë e presioneve të krizës globale. Ministri i Financave Ridvan Bode, bën me dije se qeveria ka parashikuar për vitin që vjen 600 milion dollarë më shumë, krahasuar me buxhetin e vitit 2009. Për kreun e Financave shqiptare të ardhurat e parashikuara janë 361 miliardë lekë, shpenzimet arrijnë në masën 416 miliardë lekë, ndërsa deficiti parashikohet të jetë më i ulët rreth 3.8 për qind.
Një zë të veçantë në buxhet do të zënë dhe për këtë vit sipas Bodes investimet publike, ato në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit, ashtu sikundër theksoi ministri, reduktimi i të ardhurave për Administratën si pasojë e reformës së ndërmarrë së fundmi nga qeveria. Por pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, tha kreu i financave, qeveria për 2010 mbetet e vendosur për të mos rritur nivelin e taksave.
Projektbuxheti i 2010 është 600 milionë dollarë më shumë në krahasim me vitin që po lëmë pas. Janë rritur të ardhurat fiskale.
Është e njohur tashmë se përparësi do të kenë investimet publike, ndërsa nuk do të ketë rritje të taksave. Pagat dhe pensionet parashikohet të rriten në masën 4-10 për qind dhe 7-10 për qind. Gjithashtu është pakësuar në masën 2.5 miliardë lekë të ardhurat nga shpenzimet e tepërta të Administratës, krahasuar me një vit më parë, investimet publike mbeten me përparësi dhe zënë 9 për qind të GDP-së.
Përpos plot sektorëve të tjerë, Shëndetësia dhe Arsimi mbeten gjithashtu prioritete të qeverisë për 2010 në këtë projektbuxhet. 2010 mbetet gjithashtu dhe viti i reformës sociale.