E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi kandidat, ambasadorja e Shqipërisë në BE sqaron afatet për mbylljen e procesit

Pas aprovimit nga Ambasadorët e përhershëm të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit, pritet që ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian të formalizojnë vendimin gjatë takimit të tyre të martën në Bruksel. Ambasadorja e misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, Mimoza Selimi shpjegon gjatë një interviste për Tv Klan procedurën që vijon pas këtij vendimi. “Pas aprovimit të kërkesës nga Këshilli, Komisioni Evropian fillon punën për përgatitjet e opinionit lidhur me gatishmërinë e Shqipërisë për të hyrë në fazën e negociatave. Kjo presupozon një punë të përbashkët të qeverisë shqiptare me Komisionin Europian. KE në vijim i dërgon qeverisë shqiptare një pyetësor, përgjigjet e të cilit përbëjnë kontributin kryesor mbi bazën e të cilit do të përgatitet opinioni i KE-së”, tha ajo.
Ambasadorja Selimi shtoi se përgatitjet për këtë proces kanë filluar kohë më parë, që në momentin që kryeministri Sali Berisha dorëzoi aplikimin e Shqipërisë për integrimin në BE. Selimi vlerësoi punën e qeverisë në këtë drejtim, duke theksuar se përgatitjet për këtë proces janë shumë konkrete. “Duke iu referuar ministres së Integrimit Majlinda Bregu, përgatitjet për këtë proces janë shumë konkrete. Institucioni që ajo drejton ka përgatitur një plan konkret veprimi, me afate kohore, me detyrimet, përgjegjësitë që ka çdo institucion i përfshirë në procesin e dhënies së përgjigje të pyetësorit. Shpreh bindjen se Administrata shqiptare ka të gjitha kapacitetet, angazhimin për ta përmbyllur procesin e përgjigjeve të pyetësorit në kohën e duhur, dhe me cilësi”, u shpreh ambasadorja e Shqipërisë në BE, Mimoza Selimi.
Dhënia e opinionit nga ana e Komisionit Evropian lidhur me aplikimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat pritet të merret brenda këtij viti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›