Vatikani: Ta dëshmojmë dashurinë e Krishtit, t’i shërbejmë botës e ta duam
Qëllimi kryesor i atyre, që punojnë në fushën e bamirësisë, është ta bëjnë të njohur Fytyrën përdëllyese të Hyjit, që dëshiron ta shpëtojë njeriun në të gjitha përmasat e tija, tokësore e shpirtërore: këtë nënvizoi Papa sot paradite, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit e mbledhjes plenare të Këshillit Papnor ‘Cor Unum’, me temë “Rrugë për formimin e veprimtarëve të bamirësisë”, punimet e së cilës vijojnë në Vatikan. Mendimi i Papës shkoi posaçërisht tek besimtarët e shumtë që, në të katër anët e botës, dhurojnë me bujari e përkushtim, kohën dhe energjitë e tyre, për të dëshmuar dashurinë e Krishtit, Samaritanit të Mirë, i cili nuk i braktis kurrë nevojtarët në korp e në shpirt. Më pas, duke kujtuar se dashuria e krishterë është pjesë e pandarë e vetë natyrës së Kishës, nënvizoi se kjo, në kumtimin e vet shëlbues, nuk mund të shkëputet nga kushtet konkrete të jetës së njerëzve, ndërmjet të cilëve është e dërguar: “Veprimtaria për t’i përmirësuar, lidhet me vetë jetën e saj e me misionin e saj, sepse shëlbimi i Krishtit është i gjithanshëm; ka të bëjë me njeriun në të gjitha përmasat e tij: fizike e shpirtërore, shoqërore e kulturore, tokësore e qiellore. Pikërisht nga kjo vetëdije lindën, në rrjedhë shekujsh, shumë vepra e struktura kishtare në shërbim të përparimit të njerëzve e të popujve, që dhanë e vijojnë të japin një kontribut të pazëvendësueshëm për rritjen dhe zhvillimin e harmonishëm e të gjithanshëm të qenies njerëzore”. E është pjesë e pandarë përbërëse e dëshmimit të Krishtit, ndihmesa për ndërtimin e një rendi të drejtë në shoqëri, siç bëjnë shumë besimtarë, duke kryer veprimtari të dobishme në fushën ekonomike, shoqërore, ligjore e kulturore e duke marrë pjesë drejtpërdrejt në jetën publike, gjithnjë në shërbim të së mirës së përbashkët: “Nuk i takon, natyrisht, Kishës të ndërhyjë drejtpërdrejt në politikën e Shteteve, por bashkësia e krishterë nuk mund e nuk duhet të rrijë mënjanë, kur është fjala për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të drejtësisë. Feja është forcë shpirtërore, që pastron arsyen në kërkim të një rendi të drejtë, duke e çliruar prej rrezikut, gjithnjë të pranishëm, të verbimit nga egoizmi, nga interesat vetjake e nga etja për pushtet”.
Në të vërtetë - shtoi Papa - përvoja dëshmon se edhe në shoqëritë më të zvilluara në këndvështrimin shoqëror, bamirësia mbetet gjithnjë e nevojshme:
“Shërbimi i dashurisë nuk bëhet kurrë i tepërt, sepse situatat e vuajtjes, të vetmisë, të nevojave, që kërkojnë përkushtim vetjak e ndihmë konkrete, mbeten gjithnjë aktuale”. E ky duhet të jetë qëllimi kryesor i atyre, që kryejnë shërbimin në organizmat kishtare, të cilat drejtojnë nismat dhe veprat e bamirësisë: “...ta bëjnë të njohur e ta provojnë Fytyrën e mëshirshme të Atit qiellor, sepse në zemrën e Hyjit-Dashuri gjindet përgjigjja e vërtetë për pyetjet më të fshehta të zemrës njerëzore. Sa e nevojshme është për të krishterët t’i mbajnë sytë ngulur mbi Fytyrën e Krishtit! Vetëm në Të, që është plotësisht Hyj e plotësisht njeri, mund të kundrojnë Atin (cfr Gjn 14,9) e të provojmë mëshirën e tij të pambaruar”. Të krishterët - tha në përfundim Papa - e dinë se janë të thirrur ta duan botën e t’i shërbejnë, pa qenë të botës, deri në dhurimin e plotë të vetvetes: kjo është rruga që duhet të përshkojë, në se do të ndjekë logjikën e Ungjillit, kush dëshiron të dëshmojë dashurinë e Krishtit.
Vatikani:Të fuqizohet prania e krishterë në Internet/Kisha nuk mund të mos e përfillë Internetin: kjo po theksohet me forcë në Plenaren e Komisionit ipeshkvnor evropian për komunikimet shoqërore (Ceem), me temë: “Kultura e internetit dhe komunikimi i Kishës”, që vijon në Sallën e Vjetër të Sinodit, në Vatikan. Në një mesazh, drejtuar pjesëmarrësve të takimit, Benedikti XVI i fton ipeshkvijtë evropianë ta analizojnë këtë kulturë të re si dhe mundësitë e përdorimit të saj për misionin e Kishës. Në tekstin e mesazhit papnor, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, Ati i Shenjtë nënvizon se ‘shpallja e Krishtit kërkon njohje të thella të kulturës së re teknologjike’. Dje paradite, në mbledhjen plenare, u fol kryesisht për Rrjetin shoqëror të internetit (social network Facebook). U paraqit edhe veprimtaria e Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore në fushën e Internetit. Imzot Klaudio Maria Çeli, kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore flet, në mikrofonin e Radio Vatikanit, për temën e plenares: "Ati i Shenjtë na ngarkoi me një detyrë të rëndësishme, atë të diakonisë së kulturës. Këtë shërbim duhet ta kryejë Kisha në realitetin tejet të ndërlikuar të kulturës dixhitale. Ipeshkvijtë evropianë po e shqyrtojnë këtë mundësi. Rreziku i madh, nganjëherë, është ai i përqendrimit të tepërt tek mediat, domethënë tek këto mjete kaq të ndërlikuara që, pa asnjë dyshim, i krijojnë komunikimit mundësi gjithnjë më të gjëra. Gjithsesi, besoj se Kisha, gjatë gjithë veprimtarisë së saj, duhet t’i bëjë vazhdimisht vetes pyetjen: “ç’është në të vërtetë komunikimi?”.
Marrë nga “Radio Vatikani”