E Diel, 1 Nëntor 2026

Diversiteti dhe destruktiviteti i neopolitikës edviniste në kërkim të kohës së vjetër

Një rrezik i madh po i kanoset demokracisë në Shqipëri. Partia më e madhe opozitare, Partia Socialiste po humbet fillin e demokracisë. Një tendencë e tillë regresive është vënë re që në momentin kur lideri historik i Partisë Socialiste Fatos Nano dha dorëheqjen në vitin 2005, pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vend. Lideri historik i PS, zbatoi një normë të statusit dhe të demokratizimit të brendshëm të partisë së themeluar prej tij.
Populli shqiptar në tërësi dhe Partia Socialiste ne veçanti, menduan se pasardhësi i Nanos, do të punojë më mirë dhe do të sjellë diçka të re në demokratizimin e partisë dhe të vendit. Pas dorëheqjes së liderit historik, anëtarët e Partisë Socialiste dhe elektorati i saj, u ngazëlluan me zgjedhjen e Edi Ramës, jo se u gëzuan kaq shumë. Ata e pranuan Ramën si lider në aparencë, por e panë me skepticizëm punën e tij në drejtimin e partisë, pasi herë pas here shfaqte diversitet dhe destruktivitet në idetë që hidhte për drejtimin e partisë dhe të veprimtarisë së opozitës parlamentare. Kjo e shqetësoi dhe vazhdon ta shqetësoi, elektoratin e majtë dhe përfaqësuesit e zgjedhur për deputet. Çdonjëri prej tyre, anëtar i partisë apo drejtues të saj, kur pyetej nga dikush se ç’thotë kryetari i ri, të kthenin një përgjigje standarde “ta shohim”. Kuptohej që në fillim, se ata nuk ishin të bindur për liderin e zgjedhur, por në heshtje e pranuan në drejtimin e partisë. Ata e dinin gjenin nga vinte, por nuk e paragjykuan për momentin. Ata kishin mësuar për emigrantin e rrugëve të Parisit, por e punësuan në karrigen më të lartë politike të Partisë Socialiste. Dilema politike në radhët e partisë opozitare qëndroi për një kohë të gjatë. Partia Socialiste i dhuroi shumë në politikë Edi Ramës, por ata morën pak prej tij, për të mos thënë aspak për demokracinë. Të dhënit shumë në politikë Rama e shfrytëzoi si dobësi të partisë. Ndaj dhe vendosi rolin e individit të “fort” dhe pa fre në parti.
Historia jonë ka vërtetuar se kur një individi i dhurohet shumë ne politikë pa e merituar dhe pa qënë të bindur për punën dhe kontributin e tij, krijon efektin e kundërt ndaj vetes dhe të tjerëve, kthehet në një bumerang, që krijon pasoja në politik, në ekonomi dhe në jetën sociale për popullin dhe vendin.
Kështu po ndodh aktualisht me Partinë Socialiste. Socialistët tashmë pas katër vitesh në opozitë e kuptuan se kishin gabuar, ndaj shumica e tyre sot janë të zhgënjyer. Ata sot e kanë kundërshtuar hapur liderin e tyre, i cili erdhi pa e merituar në krye të partisë. Ata nuk i binden më politikës regresive të propoganduar nga lideri i tyre. Kjo për shumë arsye. Ai është një humbës i madh në politikë, në elektorat dhe në diplomaci. Kryetari i tyre nuk njeh vlerat dhe kontributin e antarsisë të partisë ku ai drejton. Kryetari i socialistëve nuk njeh parimet e përfaqësimit të elektoratit të tij në demokraci. Kryetari socialistëve nuk njeh normat e përcaktuara në aktin themelor të partisë së tij. Kryetari i socialistëve nuk ka besim te strukturat politike ku ai drejton. Këto fakte dhe të tjera si këto e kanë shpjegimin e tyre. Idetë e Ramës janë të lidhura me të kaluarën. Idetë e tij prodhojnë destruktivitet dhe anarki për vendin dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Të gjithë i kujtojnë sot fjalët e përçarta e diversioniste të Ramës, spiranca e të cilave ishte e lidhur me të kaluarën si, “kthimi në identitet të gjithçkaje” dhe të politikës, qëndrimi dhe qetësimi i tij në “ambientet e ish-komunistëve klasikë” të vendit, fjalët e pakuptimta “përtej së majtës” e “përtej së djathtës” idetë e tij kundër nismave ligjore “për dënimin e krimeve të komunizmit”, veprimet e tij kundër nismës ligjore për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të shtetit “lustracionin” e të tjera si këto. Socialistët po e heqin mbi kurriz dështimin e kryetarit të tyre. Ai e konsideron antarësinë dhe elektoratin e majtë si konglomerat politik dhe jo si një forcë politike që i duhet demokracisë në vend. Në këtë konglomerat sipas tij, ai kërkon t`i ndajë në “tradhtar” dhe “mbështetës”, ku të parët duhen larguar nga partia, kurse të dytët të afrohen pranë të tij. Ai dhe mbështetësit e tij kërkojnë për ta kthyer drejtimin e Partisë Socialiste te parimet e drejtimit bolshevik duke i dhënë rëndësi forcimit të rolit të individit në parti, jo strukturave të saj. Kjo lloj politike është zbatuar para vitit 1990, në kohën e diktaturës komuniste në sistemin njëpartiak. Këtë nuk mund ta pranojë Partia Socialiste. Ndryshe ajo del jashtë politikës. Këtë, besoj se e ka kuptuar elektorati i majtë, këtë besoj se e kanë kuptuar vetë antarësia, këtë besoj se e kanë kuptuar vetë strukturat në rrethe, këtë besoj se e kanë kuptuar KPD-ja, kryesia dhe asambleja e Partisë Socialiste.
Praktikisht, kjo e ashtuquajtur neopolitikë u duk dhe ngriti krye, në mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve të Partisë Socialiste për të përfaqësuar elektoratin e saj në zgjedhjet e 28 Qërshorit të vitit 2009. Nga kjo përzgjedhje, doli në pah, se në krye të listës qëndronin djemtë e ish antarëve të Byrosë Politike, djemtë e ish antarëve të KQ të PPSH-së, eksponent të mbetur nga fosilet e politikës së vjetër, kandidatë të klanit të korrupsionit të marrë nga strukturat e Bashkisë Tiranë dhe në fundë të listës qëndronin kontribuesit, meritokranët dhe antarët e thjeshtë e të sinqertë të Partisë Socialiste. Pjesa më e madhe e njerëzve me vlera në këtë parti nuk u konsideruan dhe nuk u përfillën në këto lista famëkeqe, nga kryetari i cili trumbeton idet e tij hipokrite për një kohë të re. Në fakt ai është në kërkim të kohës së vjetër, të vendosjes së diktaturës në drejtimin e partisë së tij dhe të vendit. Ky fakt tashmë është bërë publik dhe është i njohur jo vetëm nga elektorati i majtë por nga të gjithë shqiptarët. Kjo përbën një shqetësim dhe rrezik jo vetëm për Partinë Socialiste por për demokracinë në Shqipëri. Këto fakte duhet t`u bëhen edhe një herë të njohura përfaqësuesve të trupës diplomatike në Shqipëri dhe parlamentarëve Evropian, jo vetëm nga mazhoranca qeverisëse, por dhe nga vetë socialistët e vërtetë dhe kandidatët për deputet që kërkojnë integrimin, heqjen e vizave dhe futjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shqiptarët e kuptojnë, se me Edi Ramën janë vetëm kandidatët për deputet që vijnë nga ish kupola e kuqe e komunizmit. Vetëm ata i binden Edi Ramës, për të mos u futur në Kuvendin e Shqipërisë. Këta persona nuk mund ta mbajnë peng lëvizjen e lirë të shqiptarëve, nuk mund të mbajnë peng zhvillimin ekonomik, politik e social të Shqipërisë. Baballarët e tyre u kanë borxh të gjithë shqiptarëve, i kanë borxh Shqipërisë. Është e pafalshme që pasardhësit e tyre në vitin 2009, në kohën e lulëzimit të demokracisë në Shqipëri, të provokojnë ndjenjat e shqiptarëve, me politika keqbërse ndaj vendit. Krytari i Partisë Socialiste në detyrë, si përfaqësues i tyre, të mos shpresojë dhe ta harrojë se demokracinë tonë të fituar me gjak në Dhjetorin 1990, do ta komandojnë pasardhësit e ish antarëve të Byrosë Politike e të KQ të diktaturës komuniste. Tribuna e tyre dhe e juaja do të mbesë rruga, jo foltorja e Kuvendit të Shqipërisë. Kandidatët të tipit tuaj të listës do të mbeten kandidat të virgjër të këtij parlameti. Kurse përfaqësuesit e vërtetë e me vlera të zgjedhur nga elektorati i majtë do të dinë të futen në parlament, aty ku kuvendohet për demokracinë, aty ku bëhet politika opozitare ndaj mazhorancës dhe qeverisjes së saj. Populli shqiptar e kupton se ju mendoni për t`u kthyer te e kaluara, te bolshevizmi rus. Politika juaj e bojkotit nuk mund të pengojë integrimin e Shqipërisë në Evropë. Populli shqiptar nuk do të lejojë që t`i privohet lëvizja e lirë në 27 vendet e Evropës. Ju sugjerojmë të mendoni vetëm për përfundimin tuaj. Së shpejti ju do mbeteni një percipitat i reaksionit zinxhir politk, të zhvilluar në të majtën shqiptare. Për demokracinë në Shqipëri mendojnë socilistë të tjerë, mendon mazhoranca demokratike në qeverisje, mendon Kryeministri Sali Berisha dhe diplomacia eroperendimore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›