Buxheti në krizë, shitja e pronave shtetërore arkëton 100 milion euro
Nxjerrja në shitje e pothuaj të gjithë objekteve shtetërore dhe parashikimet për grumbullimin e rreth 100 milion eurove pritet shpëtojnë buxhetin e shtetit nga vështirësitë. Në arkën e shtetit pritet të shtohen likuiditet edhe me marrjen e borxhit
në euro,që do të merret nga operatorët brenda vendit. Qeveria, ndërkohë ka parashikuar edhe uljen e shpenzimeve nga të gjitha ministritë dhe dikasteret e tjera nën varësi të saj, të shpenzimeve në masën 20 për qind. Të gjitha lëvizjet për mbledhjen e të ardhurave erdhën menjëherë pas dështimit të eurobondit për shkak të interesave të larta në tregjet financiare ndërkombëtare. Të gjitha paratë e mbledhura janë llogaritur të shpërndahen për rritjen e pagave dhe pensioneve dhe shlyerjen e kushtit të kredisë së marrë për rrugën Durrës-Kukës. Skema bëhet e ditur nga burime pranë Ministrisë së Financave sipas të cilave mësohet se tashmë ka nisur edhe hartimi i draftit për shkurtimin e shpenzimeve. Efektet e hyrje-daljeve në buxhetin e shtetit janë parashikuar të japin rezultatet deri në fund të korrikut, kohë e cila korrespondon me përfundimin e procedurave të shitjes për objektet shtetërore dhe rritjen e pagave dhe pensioneve sipas kategorive.
Shitja
Qeveria shqiptare parashikon të shtojë 100 milionë euro në arkën e shtetit, nga privatizimi i objekteve shtetërore. Burime nga Ministria e Financave bënë të ditur se procesi i privatizimit është në fazën e akumulimit të informacionit nga institucionet shtetërore, që i kanë nën varësi objektet, tashmë jo rentabël. Procedura e privatizimit të objekteve shtetërore do të kalojë përmes praktikës së ankandit. Të gjitha ndërmarrjet apo objektet e veçuara, mjetet kryesore dhe mjetet e xhiros së ndërmarrjeve, shoqërive tregtare dhe institucioneve, me kapital tërësisht shtetëror kanë dalë në shitje nga qeveria. Pagesa për ndërmarrjet që do të privatizohen, do të jetë 2 për qind e vlerës së objektit apo të grup-objekteve të vlerësuara, por jo më pak se 60 000 lekë dhe jo më shumë se 300 000 lekë. Vendimi është marrë dy ditë më parë nga Këshilli i Ministrave në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të aktit normativ nr. 4, datë 9.7.2008, Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të ministrit të Financave. Sipas vendimit institucionet qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore, për pasuritë e ndërmarrjeve apo të institucioneve, që kanë në varësi administrative a në pronësi, i dërgojnë mendimin e tyre për privatizimin e këtyre pasurive ministrisë përgjegjëse për ekonominë. Ministri përgjegjës për privatizimin nxjerr urdhrin e miratimit për privatizim, pas mendimeve të përmendura më sipër.
Komisioni
Burime nga ministria bëjnë të ditur se komisioni i vlerësimit të pronës shtetërore kryesohet nga kryetari i degës së shoqërive publike, në prefekturën ku ndodhet objekti, dhe në përbërje ka ekspertin vlerësues, të licencuar dhe përfaqësuesin e ndërmarrjes apo të institucionit, në administrim të të cilit ndodhet objekti. Sipas vendimit të qeverisë mësohet se në varësi të nevojave të procesit të vlerësimit të objektit, nëse është e nevojshme, ministri përgjegjës për privatizimin urdhëron që në komisionin e vlerësimit të marrë pjesë edhe eksperti kontabël apo ekspertë të tjerë të fushës përkatëse. Sipas të njëjtave burime mësohet se ekspertët vlerësues në përbërje të komisionit të vlerësimit të pronës shtetërore përzgjidhen nga ministri përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore. Shpenzimet për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit (pagesa e ekspertëve etj.) bëhen nga ministria përgjegjëse për privatizimin, përveç rasteve kur ministri përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore urdhëron pagesën nga institucione të tjera.
Vlerësimi i objekteve
Vlera e fillimit të ankandit është VAM-i, i përcaktuar sipas kreut II, të këtij vendimi, (mjete kryesore + mjete xhiroje + vlera e truallit). Ankandi zhvillohet vetëm për vlerën e mjeteve kryesore + vlerën e truallit dhe vlera e mjeteve të xhiros shtohet sipas inventarit fizik, në çastin e dorëzimit të objektit. Shitja e pasurisë së luajtshme bëhet vetëm me ankand sipas procedurave të këtij vendimi. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, pasi ka pranuar dokumentet e vlerësimit të objektit, ndërmerr hapat përkatëse për publikimin e tij për privatizim, si më poshtë vijon:
Periudha e botimit zgjat 21 (njëzet e një) ditë nga data e botimit të parë dhe bëhet në çdo botim të Buletinit të Njoftimeve Publike, brenda këtij afati. Dita e parë e botimit është data e përcaktuar në njoftimin që Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, dërgon për botim. Brenda këtij afati, ky njoftim botohet edhe në një gazetë, me qarkullim kombëtar. Për rastet kur konfirmohet se objekti ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara, shitja bëhet pa ankand dhe subjektet e shpronësuara të truallit, në zbatim të ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004, Për kthimin dhe kompensimin e pronës, të ndryshuar, kanë të drejtën e parablerjes së objektit me vlerën fillestare.
Ornela Manjani