E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti për pushtetin lokal, qeveria shpërndan fonde vetëm për bashkitë e djathta

Bashkitë dhe komunat urdhërohen t’i përfundojnë para zgjedhjeve. Buxheti për pushtetin lokal llogaritet në rreth 36.8 miliardë lekë

Ervin Koçi

Buxheti i pushtetit lokal, që është miratuar këtë vit, ka një ngjyrim krejtësisht “blu” dhe ka nisur që të shpërndahet vetëm për njësitë e pushtetit vendor në të cilat ka fituar e djathta. Këtë e tregon pranimi i projekteve të ndryshme nga ministritë, ku pas urdhrit të kryeministrit për të dorëzuar dosjet e projekteve të ndryshme publike, paratë kanë nisur të disbursohen vetëm për të djathtët. Krerët e njësive vendore ku ka fituar maxhoranca ishin të parët që iu përgjigjën urdhrit të kryeministrit Berisha vitin e kaluar, për të realizuar në kohë rekord tenderat për përfitimin e fondeve nga buxheti i shtetit. Kaq e ngutshme ka qenë kjo kërkesë, sa një pjesë e komunave i kanë lidhur kontratat me firmat private në javën e fundit të vitit 2008, ndërsa në disa të tjera janë zhvilluar tendera në datat 27 dhe 31 dhjetor, pa pasur në dispozicion fondet. Duke qenë se do të përballen me procedurat e reja të prokurimit, të cilat nuk japin shumë hapësira për korrupsion, disa komuna kanë kryer tendera para hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Sipas rregullave të reja, ndalohet zhvillimi i procedurave të prokurimit publik me dokumentet e dorëzuara dorazi. Çdo veprim kalon përmes internetit, përfshi edhe rezultatin final. Edhe pse hasin në disa probleme, për kryeministrin Berisha ka shumë rëndësi fakti i përfundimit të të gjitha tenderave brenda gjashtëmujorit të parë të vitit, në fundin e të cilit janë parashikuar zgjedhjet parlamentare.

Buxheti

I gjithë buxheti për pushtetin lokal llogaritet në rreth 36.8 miliardë lekë, ku gjysma do të sigurohet nga fondet e qeverisë, ndërsa pjesa tjetër nga të ardhurat e taksave që mblidhen nga bashkitë dhe komunat. Buxheti për pushtetin vendor vlerësohet të zërë 3.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në një kohë që ai ka nisur të ketë një shpërndarje preferenciale. Më të privilegjuarat kanë qenë bashkitë dhe komunat që drejtohen nga krerë të së djathtës, në një kohë që zonat më të favorizuara kanë qenë ato veriore dhe verilindore të vendit, ku nivelin më të lartë të investimeve e ka marrë qarku i Shkodrës. Edhe pse mbështetja nga qeveria për fonde nuk ka munguar, pushteti lokal ka rezultuar gjithnjë me mosrealizim të investimeve, deri në masën 30 për qind. Duke qenë se premtimet e qeverisë lidhen direkt dhe me punën e bërë nga pushteti lokal, kryeministri Berisha ka nisur që tani thirrjet që tenderat për lidhje kontratash me privatin për punët publike të nisin në janar dhe të mbyllen para qershorit 2009.

Kredia për investimet

Investimet publike dhe ato në infrastrukturë do të jenë baza e fondeve që do të shpërndajë qeveria në gjysmën e parë të vitit 2009 nga buxheti i shtetit. Për të bërë të mundur nivelin e investimeve të parashikuara, si dhe për të përfunduar një pjesë të atyre projekteve që konsiderohen edhe si “elektorale”, qeveria është duke aplikuar edhe për një kredi të konsiderueshme nga bankat tregtare. Bëhet fjalë për të paktën rreth 200 objekte, kryesisht rrugë, të cilat do të inaugurohen brenda 6-mujorit të parë të vitit.
Kryeministrit do t‘i vihen në dispozicion rrugë, shkolla dhe ujësjellës, të cilat kanë përfunduar dhe do të përfundojnë dhe që presin shiritin e inaugurimit. Zyrtarisht fushata elektorale nis më 28 maj, një muaj para datës së zgjedhjeve, por kryeministrin Berisha nuk e ndalon ligji që prerjet e shiritave t‘i nisë më 1 maj. Për të vënë në zbatimin skemën do të vihen në dispozicion fondet e buxhetit, të mbështetura nga kredia tregtare 250 milionë euro, e cila pritet të merret këto ditë.

Plani

Qeverisë i nevojiten më shumë fonde se kurrë, nisur nga procesi i afërt zgjedhor. I gjithë buxheti për investimet do të jetë rreth 1 miliard dollarë, diçka më pak se viti 2008, por që nuk e "tkurr" planin e rritjes së shpenzimeve në ato objekte ku qeveria ka interes. Për ta zgjeruar më tej planin e inaugurimeve, qeveria do të marrë një fond mbështetës nga kredia tregtare prej rreth 250 milionë eurosh. Fondi që do të përdoret për fushatë konsiderohet i mjaftueshëm për të hapur rrugë të reja dhe për të përfunduar në kohë rekord, para datës së zgjedhjeve, objektet që kanë nisur në 2008-n. Por Ministria e Financave nuk pranon që fondi 250 milionë eurosh do të përdoret për fushatë.

Kredia e qeverisë, më 30 janar nis aplikimi për 205 milionë euro

Ndryshe nga se ishte planifikuar, kredia prej 200-250 milionë eurosh do të merret nga bankat e huaja jashtë vendit. Këtë fakt e garanton zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, duke siguruar që tregut bankar në vend mos t‘i krijohen boshllëqe likuiditeti. "Në këtë situatë, nuk na intereson që sistemit bankar në vend t‘i merren 250 milionë euro, pasi pengon likuiditetin. Marrja e kredisë jashtë do t‘i japë mundësi biznesit për më shumë financime nga bankat", - tha zëvendësministri Shehu. Hapja e ofertave ishte parashikuar të kryhej tri ditë më parë, por pushimet e fundvitit sollën shtyrje të afatit që parashikohet të realizohet më 30 janar 2009.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›